Ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare, Garry Marshall, regjisori që ka krijuar disa sitcom-e ikonë në vitet ’70, por që famën më të madhe e mori në vitet ‘90 me “Pretty Woman”. Marshall ka ndërruar jetë ditën e martë në Burbank të Kalifornisë pasi disa komplikacioneve shëndetësore të shkaktuara nga pneumonia. Karrierën në ekranin e madh do të niste fillimisht si skenarist, për t’u hedhur më pas tek realizimi i disa serialeve të viteve 1970, që do ta bënin të suksesshëm dhe do t’i siguronin projekte akoma më ambicioze, si “Pretty Woman” dhe “The Princess Diaries”. Pas vdekjes së tij kanë reaguar aktorët Richard Gere dhe Julia Roberts, protagonistë të filmit “Pretty Woman”. “Garry ishte një njeri i jashtëzakonshëm dhe ndihem i bekuar që e kam njohur dhe kam punuar me të në karrierën time”, shkruan Richard Gere. “Pretty Woman” grumbulloi 463 milionë dollarë në mbarë botën, një shifër rekord për ato vite dhe Roberts u nominua për Oscar si aktorja më e mirë, ndërsa vetë filmi për Golden Globe.