Nga studente e ekselencës në Itali e SHBA në kërkuese shkencore e lektore në Belgjikë
Keiti Kondi ka një fytyrë aq të paqtë dhe aq natyrale sa në takimin e parë mund të ngjajë se keni përballë një gjimnaziste që sapo ka lënë pas fëmijërinë. E veshur thjeshtë, pa grim me atlete, ajo flet me zë të ulët dhe është tejet modeste. Derisa kalon tek shkollimi dhe rezultatet e saja Keiti është fare e zakonshme, mandej, puna kërkimore e shkencore, i japin asaj një pamje krejt tjetër: e sigurt, sfiduese, krenare dhe me një vizion që shkon përtej çastit. Një gjeni që e vogël, ajo ka mundur të tejkalojë edhe pritshmëritë e veta veçse të prindërve. Fituese në konkurse kombëtare e ndërkombëtare, sot, veçse 24 vjeç Keiti Kondi ka një rrugëtim të gjatë për të ndare me ne.
AMBASADORE E BOCCONIT
“Nga klasa e parë deri në gjimnaz kam studiuar në Tiranë me mesatare 10 në 10”. Gjatë këtyre viteve ka qenë pjesëmarrëse dhe fituese në shumë olimpiada si dhe është përfshirë në projekte të “Junior Achievement” dhe “Opportunity Albania Microfinance”, si dhe në përfaqësime në aktivitete ndërkombëtare. “Jam e prirur ne shkencat ekzakte, kryesisht në matematikë. Pas shkollës së mesme studiova në universitetin Bocconi (një nga universitetet më elitare në Itali) ku diplomohem me rezultate mjaft të larta dhe përzgjidhem dhe emërohem si ambasadore e Bocconit”. Kjo është shumë për një 18-vjeçare shqiptare që e kish nisur rrugëtimin në Tiranë.
STUDIMI NË PRICETON UNIVERSITY
Falë aftësive të saja, njëherësh u përzgjodh edhe në qendrën kërkimore shkencore “Dondena” të këtij universiteti, ku punoi e bashkëpunoi me Ross Macmillan, personalitet shkencor në rang botëror në fushën e demografisë. “Gjatë kësaj kohe kryejmë një studim shkencor që përzgjidhet nga ‘Princeton University’ me siglën e përbashkët të emrave Ross Macmillan dhe Keiti Kondi. Paperi që kam punuar së bashku me Ross Macmillan është prezantuar në shumë konferenca të njohura të organizuara nga ‘Population Association of America’ e ‘European Population Association’”. Mandej, gjatë viteve të studimint në Universitetin Bocconi ajo tregon se pat fatin e madh të ishte nën kujdesin e një nga profesorëve më të shquar: Angelo Marcello Cardani, dekan (Drejtor i Autoritetit për sigurinë e telekomunikacionit Italian, këshilltar për konkurrencën në Komisionin Europian, anëtar në kabinetin e Mario Montit. Ai, arriti të pikaste dhe të vlerësonte përtej kësaj edhe të mbështeste punën e saj, çka vazhdon ta bëjë edhe sot, duke ndjekur ecurinë e saj përtej Italisë. “Një nga mbështetësit e mi, ka qenë një tjetër emër i madh Tito Boeri (Drejtor Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Itali). Ai më orientoi saktësisht drejt fokusit kërkimor. Të gjithë këta në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me një investim cilësor kultivuan personalitetin tim shkencor dhe rritën personalitetin tim njerëzor. Përherë jam mirënjohëse për përkushtimin, mundin dhe besimin e mbështetjen që treguan”, – nënvizon Keiti.
STUDENTE EKSELENCE
Studimet në Bocconi Keiti i kaloi duke u shpallur edhe studente ekselence. Prej kësaj, iu dha e drejta të vazhdonte studimet në universitetin e Minnesotas në SHBA, universitet në vendin e 9-të në rankimet botërore për departamentin e ekonomiksit, sidomos asaj të makroekonomisë (me pedagogë të çmimit ‘Nobel’ në këto fusha). Aty, ajo i finalizoi studimet me mesatare të plotë 100 pikë (4.00 në sistemin amerikan). “Më pas kryej master të tipit ‘double degree’ (2 diploma për një master) mes Universitetit Bocconi dhe Univesitetit Katolik të Louvain në Belgjikë (një nga universitetet më prestigjiozë në botë për ekonomix) me fokus punën kërkimore shkencore e më pas vendos të vazhdoj doktoraturën në ekonomi në po këtë universitet ku bashkëpunoj me personalitete të shquara shkencore, emra të mëdhenj botëror në shkencat ekonomike”.
LEKTORE DHE SHKENCËTARE
Ndërsa vijon doktoraturën e kërkimet shkencore Keiti është edhe lektore në Belgjikë. “Fushat kërkimore ku jam e fokusuar për momentin janë ekonomia e zhvillimit dhe ekonomia e familjes. Përveç punës shkencore, punoj edhe si asistente për lëndët Ekonomi Industriale (ku relatoj leksione në anglisht) dhe Ekonomi Europiane dhe Ekonomi Politike (relatoj leksione në frengjisht)”, thotë ajo. Në fund, tregon se puna në këtë qendër shkencore e bëri të kuptonte se puna kërkimore është ajo që do. “Por në të njëjtën kohë edhe ajo që di të bëj më mirë dhe të kontribuoj më shumë”, e mbyll Keiti bisedën me ne, duke na bërë të mendojmë se përpjekjet shpërblehen dhe se ëndrrat munden ndonjëherë të bëhen realitet me punë të vazhdueshme. Përndryshe, ajo është shembulli i asaj që ne ëndërrojmë: të ecësh falë punës.