Bota ka njohur artistë të përmasave universale. Këngëtarë që mbushin stadiume e shesin miliona disqe. Nga Elvis që mbiquhej mbreti deri te mbreti i popit apo mbretëresha. Dhe këtu po flas për Madonna apo Michael Jackson. Mirëpo shpesh për fenomene muzikore, sidomos mes të rinjve, dalin pseudonime edhe për fansat e artistit. Një nga këto raste është Justin Bieber dhe belibersat e tij apo “sorcini-t” e Renato Zero në Italinë fqinje. Mirë këta, po kur fillojnë këto personazhet tanë që as nuk kanë dhënë ndonjë koncert për më shumë se 1000 veta, seç më kap një si diarre psiqike. Dhe ja ku krejt papritur shohim nëpër rrjete sociale për Luanator, Dafinator, etj. Mua si fans i sallatës djath, domate, kastravec me siguri do më etiketojnë sallator, por kur ka selditor pse të mos ketë dhe sallator. Në vazhdën e delirit të madhështisë së të vegjëlve të skenës tonë kjo shfaqje nuk është çudi, por po merr përmasa të bezdisshme. Sidomos në rastet kur është vetë personazhi që e quan sipas emrit të vet një pjesë të publikut. Dhe çka më habit më shumë është fakti se nuk janë emrat më prodhimtarë të muzikës shqiptare që merren me kësi epitetesh. Nëse do e bënin Alban Skënderaj apo Flori Mumajesi që në një javë kompozojnë më shumë këngë se të gjithë sallatorët së bashku, nuk do isha hiçfare i shqetësuar. Ndaj ju lutem djem dhe vajza që keni gjetur 5000 euro sa për një videoklip (+këngë), bëni të paktën një album të plotë para se të bëni pordhator…
Sqarim: Gjithçka shkruhet më sipër, është qëndrim personal i gazetarit Flavio Qarri.