Moderatorja e “Fiks Fare” në “Top Channel”, Fiori Dardha ka vendosur të bëhet nostalgjike e të kujtojë programin që e bëri të famshme për gjithë publikun shqiptar. “Bla bla bla”, formati i parë kushtuar personazheve të famshëm në Shqipëri dhe thashethemeve që qarkullonin për to, e katapultoi vajzën brune në një prej personazheve më të dashur të viteve 2000… Por sot, kur kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë, Fiori ka një mesazh edhe për të gjithë ata që thonë se po bëjnë revolucion në media e së po thyejnë tabu. Lexoni për më shumë reagimin e saj.
“Më shumë se një dekadë më parë, kam realizuar një format tepër të guximshëm për kohën, që më bëri të njihem si “vajza e thyerjes së tabuve”. Emisioni “Bla bla bla” u kthye në një nga programet më të ndjekur e më të dashur për publikun.
Sot dalin shumë personazhe që thonë se kanë thyer tabu e kanë bërë revolucion në media.
Nuk jam nga ata tipa që dalin e bërtasin me të madhe: “Kam bërë këtë e kam bërë ate”, ama, nuk kam pse të mos e pohoj, se “Bla bla bla” ka dalë në transmetim në kohën kur gazetaria rozë në Shqipëri (thuajse) nuk ekzistonte dhe bota e showbiz-it përbënte pak, ose aspak interes për median.
Më vonë lindën suplementet e gazetave, e të tjerë formate të ngjashem… #blablabla #fioridardha”, – përfundon Fiori.