Sot në mbarë botën makaronat (pasta) shquhen si një nga ushqimet më të preferuara nga të gjitha grupmoshat.
Sipas organizatës Ndërkombëtare të Makaronave vendi i parë në botë për konsumimin e tyre është Italia e pas saj rezultojnë të renditura, Venezuela, Tunizia, Kili, Peruja, etj. Në Itali makaronat gatuhen në 600 mënyra, ku çdo krahinë ka specialitetin e saj.
Receta: (për 4 persona)
400 gr miell cilësor
4 kokrra vezë në temperaturë ambienti
3 luge gjelle vaj ulliri
Pak kripë
Përgatitja:
Fillimisht hidhni në një enë miellin, më pas shtoni vezët, vajin e ullirit dhe kripën. I përzieni butësisht deri sa të krijohet një masë as shumë e butë apo e fortë. Në rast se ju rezulton e fortë, njomini pak duart me ujë dhe zbusni masën. Brumin vendoseni në frigorifer për 1-2 orë. Do të vëreni se ai është zbutur. E ndani në 4 pjesë dhe për secilën hapni nga një petë. Pasi jeni siguruar se trashësia është e duhura i jepni formën e dëshiruar. Për makarona tagliatelle (lloj makaronash italiane) hapeni brumin dhe realizoni një petë të hollë. Priteni atë në shirita të trashë me anë të një thike apo ndarëse picash.
Ndërkohë që jeni duke i dhënë formë brumit vendosni në zjarr një enë me ujë. Sapo të marrë valë hidhini pak kripë dhe vaj ulliri brenda. Më pas hidhni makaronat dhe përziejini herë pas here me një lugë druri ose silikoni që të mos u prishet forma. Makaronat duhet të ziejnë 5-10 minuta, sipas dëshirës suaj. Salcat shoqëruese mund të jenë nga më të ndryshmet.
Për më tepër do t’iu sugjerojmë receta të ndryshme salcash për makarona, në ditët në vijim të rubrikës sonë.
Thënie:
Arti i kuzhinës, kur është krejt mjeshtëror, është e vetmja aftësi njerëzore nëpërmjet së cilës mund të thuhen gjëra të mira.