Gazetari dhe ish-kryeredaktori i lajmeve në “Top-Channel” ka folur sërish për largimin e tij nga kjo media, ku ka punuar për më shumë se 15 vjet. Në një postim të ndjerë për ata që e mbështetën, Kikia thotë se 15 vjet punë e përkushtim u hodhën në rrugë me një fjali të vetme. Kikia duket i prekur thellësisht nga kjo ngjarje e paprecedentë, por më tepër është prekur nga solidarizimi i miqve dhe vetë opinionit publik. “Dreqi ta hajë, ia vleka edhe të “vdesësh” ndonjëherë për të parë se çfarë ke ndërtuar në jetë e sa vlen. Ose më saktë, ndodhka që edhe pa vdekur mund ta mësosh se sa vlen në shoqëri dhe se sa të vlerësojnë ata që nuk kanë asnjë interes e as të njohin personalisht. Dhe unë mësova se ajo që kisha ndërtuar s’mund të shembet nga askush dhe në asnjë lloj mënyre”, shkruan Kikia në “Facebook”.
STATUSI I PLOTE
Jo gjithmonë duhet të “vdesësh” për të mësuar se sa vlen! Kur dikush vdes, në ditën e vakisë, njerëzit i thonë fjalë të mira. Edhe nëse nuk i ka merituar. Por edhe më të ligut, në i kursefshin lëvdatat, të paktën nuk do ta shajnë. Ndërsa ndodh shpesh që fjalët e mira, edhe kur meritohen, ruhen për t’u thënë pikërisht kur nuk je më në këtë botë. Megjithatë, asnjëri nga ne nuk e di se çfarë do të na thonë as ditën e funeralit e as kohë më pas. Pasi nuk do të kemi mundësi t’i dëgjojë dhe lexojmë vlerësimet e të tjerëve. Nuk do të mësojmë dot nëse do të thonë: “Ishte njeri i mirë” apo “Shyqyr që iku dhe një qelbësirë”. Por unë pata fatin të dëgjoj dhe lexoj opinionin e shumë njerëzve. Shumë… Të njohur e të panjohur, të dëgjuar e të padëgjuar, personazhe publikë, zyrtarë të lartë dhe shumë qytetarë të tjerë. Nuk pashë ndonjë ëndërr me njerëz që mbanin fjalime në funeralin tim, por përjetova një ndjesi të madhërishme në një ditë të vështirë, në ditën e zhgënjimit më të madh në tërë karrierën time profesionale 25 vjeçare si gazetar, kur vetëm me një fjali më hodhën poshtë e më zhbënë tërë mundin, përkushtimin dhe pasionin me të cilin punova për më shumë se 15 vjet në televizionin Top Channel. Por mesazhet, telefonatat, interesimi i jashtëzakonshëm në mediat online dhe rrjetet sociale, vlerësimet thuajse tërësisht pozitive për punën dhe kontributin tim në gazetari, më bënë ta harroj zhgënjimin. Asnjëherë s’kisha patur kaq shumë lexues njëherësh në karrierën time. Dreqi ta hajë, ia vleka edhe të “vdesësh” ndonjëherë për të parë se çfarë ke ndërtuar në jetë e sa vlen. Ose më saktë, ndodhka që edhe pa vdekur mund ta mësosh se sa vlen në shoqëri dhe se sa të vlerësojnë ata që nuk kanë asnjë interes e as të njohin personalisht. Dhe unë mësova se ajo që kisha ndërtuar s’mund të shembet nga askush dhe në asnjë lloj mënyre. Faleminderit të gjithëve për çdo fjalë inkurajuese dhe çdo vlerësim. Është pasuria ime e vetme!