Lajmi tronditës i ditës së sotme se 7 nxënës të shkollës 9-vjeҫare në Paskuqan kanë përfunduar në spital është bërë objekt edhe në Parlament. Dyshimet e para se në klasë është djegur lëndë narkotike kanë shqetësuar jo vetëm prindërit, por edhe opinion publik. Pasi kanë shfaqur probleme të rënda shëndetësore, nxënësit e klasës së shtatë në shkollën “Jashar Hoxha”në Paskuqan gjatë paradites së sotme, janë dërguar me urgjencë në spital. Siҫ mësohet nga burimet, nxënësit janë ndjerë keq sapo kanë hyrë në shkollë, pasi pastruesja kishte përdorur acid për larjen e ambienteve të klasave, raporton “Class”. Megjithatë, pasi morën ndihmën e nevojshme në pavionin e Pediatrisë në QSUT, nxënësit u dërguan në shtëpi dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Burime nga QSUT nuk kanë përjashtuar edhe mundësinë se nxënësit mund të jenë helmuar nga ushqimi, pasi, disa prej tyre kanë deklaruar se para se të ndiheshin keq, kishin konsumuar patatina. Por ka pasur edhe dyshime se në klasë një prej nxënësve ka djegur lëndë narkotike. Versionet për ngjarjen e ndodhur kanë përfunduar edhe në Parlament, nga ku kampe të ndryshme kanë sjellë variante të ndryshme. Deputetë të opozitës dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla kanë debatuar ashpër për shkaqet e ngjarjes së sotme në Paskuqan. Deputeti i PD-së, Asllan Dogjani, tha se nxënësit kanë përfunduar në spital pasi janë droguar, ndërsa ministrja Nikolla mohoi këtë fakt dhe tha se fëmijët janë ndjerë keq pasi në shkollë ka pasur rrjedhje gazi: “Drejtoria e Shkollës ka informuar organet kompetente. Jemi në kontakt me spitalin. 6 vajza janë helmuar për shkak të rrjedhjes së gazit në shkollë. S’ka asnjë të helmuar me drogë”, – tha Nikolla. Pas debatit në Parlament, vjen edhe njoftimi zyrtar i policisë:
Njoftimi i policisë
Më datë 06.10.2016, në numrin e emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë nga drejtoresha e shkollës 9 vjeçare “Jashar Hoxha”, në Kamëz, se 4 fëmijë në shkollë kanë pasur probleme shëndetësore. Menjëherë në shkollë është dërguar grupi hetimor, ku drejtoresha e kësaj shkolle ka pretenduar se mos ka pasur lëndë narkotike një nga nxënësit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 5, kanë kontrolluar të gjithë shkollën, nga ku ka rezultuar se në shkollë nuk është konstatuar asnjë lëndë e dyshuar narkotike. Nga kontrolli i imtësishëm dhe aroma e ndier nga shërbimet dyshohet se aroma ka qenë kimikat (në formë të gaztë) që përdoret për pastrim. Nxënësit, të cilët kanë shfaqur probleme me shëndetin, kanë marrë mjekimin e nevojshëm në spital. Sipas deklaratave të tyre, aroma ka qenë shumë e fortë. Nga deklarimi i mjekut të spitalit, figuron se këto shqetësime nuk kanë ardhur si pasojë e aromës së ndonjë lëndë narkotike, por nga aroma e ndonjë kimikati të fortë. Shërbimet e policisë po punojnë për evidentimin e llojit të kimikatit të futur në shkollë…