Ndarja e Jennifer Lopez nga Marc Anthony bëri bujë në media pesë vite më parë. Pas kaq vitesh ata kanë arritur të mbajnë një marrëdhënie miqësore edhe pasi martesa e tyre mori fund.
Rreth një javë më parë, çifti njoftoi se shumë shpejt do të bashkëpunonin në muzikë, një lajm që do t’u pëlqente padyshim fansave të tyre. Edhe pse kënga ende nuk ka dalë, të gjithë janë duke pritur me padurim bashkëpunimin, i cili aktualisht është duke u punuar në studio. Nga një postim në Instagram të martën në mbrëmje, JLo duket se po argëtohet shumë gjatë xhirimeve në krah të ish-bashkëshortit të saj. Duke përdorur disa filtra Snapchat-i, ata duket se përveçse janë duke punuar njëkohësisht po kalojnë moment argëtuese në shoqërinë e njëri-tjetrit.
“Duke bërë histori. Sërish. Momente argëtuese. Familja LOL”,- shkruan këngëtarja bashkangjitur videos.
Të enjten e kaluar, Marc Anthony dhe kompania Sony Music Latin njoftoi se do të merren me zhvillimin dhe prodhimin e albumit të ardhshëm në spanjisht të Jennifer Lopez në nëntor.
“Ajo ka pasur arritje të mëdha në karrierën e saj dhe ka përfaqësuar kulturën tonë në të gjithë botën. Profesionalizmi dhe pasioni i saj për muzikën janë disa nga karakteristikat që i kanë dhënë asaj një vend të veçantë në tregun muzikor, që shumë pak njerëz e kanë”, – është shprehur Marc Anthony./Blitz.al