“Lexova një libër një ditë dhe e gjithë jeta ime ndryshoi”, – ka thënë dikur Orhan Pamuk. Kjo është periudha e vitit që librat i ndryshojnë jetën Tiranës, dhe tërheqin pranë saj lexues të mirë nga e gjithë Shqipëria. Këto ditë kemi “Panairin e Librit”. Kemi dëgjuar përreth përshkrime të ndryshme rreth eventit më të rëndësishëm dedikuar lexuesve. Por sot po sjellim përshtypjet e një syri më të vëmendshëm, që prej vitesh është faktor në “Panairin e Librit”. Botuesja e “Pegit”, Loreta Berhami, ndan me “revistawho.com” jo vetëm përshtypjet, problematikat por na jep edhe sugjerimet e saj për mikun tonë më të mirë, librin.
Si duket panairi këtë vit? Cilat janë të mirat dhe problematikat e tij?
Nuk shoh ndonjë ndryshim të madh në krahasim me vitet e tjera; është i njëjti format, të njëjtët pjesëmarrës dhe i njëjti, pak a shumë, interes. Qëndrueshmëria e këtij panairi është kthyer në traditë në skenën kulturore shqiptare dhe ky fakt në vetvete është shumë pozitiv. Problemet janë gjithashtu ato të zakonshmet. Nga ana ime do të ankohesha për një komunikim të munguar ose të rrallë nga organizatorët në lidhje me temën e panairit. Unë kam marrë vetëm një email në të cilin më thuhej se kjo ishte tema dhe pastaj dëgjova në televizion për konferencën për shtyp që u dha. Por këto janë gjëra pa rëndësi të madhe, si të thuash, meqë m’u kërkuan problemet, po gjej diçka.
Cilat janë librat që duhet të blejmë në stendën tuaj?
Atëherë, për Botimet Pegi, titujt e botuar posaçërisht për panair dhe të rekomanduar janë disa. Për të rriturit kemi një libër të ri të Albatros Rexhajt , “Rebelimi i Lúlus”, i cili që ditën e parë të panairit ka tërhequr turma të mëdha lexuesish. Pastaj kemi dy kryevepra të përkthyera, “Bukë me sallam” të Bukowski-t, përkthyer nga Iris Sojli, dhe “Fundamentalist pa dashje” të Hamid-it, përkthyer nga Ilir Baçi. Për më të rinjtë, kemi botuar të shumëpriturin vëllim të dytë të romanit “Sekreti i Shtëpisë në Ishull”, që titullohet “Qyteti i magjepsur”, ndërsa për më të vegjëlit kemi nisur dy seri të reja që besoj se do të pëlqehen shumë: “Olivia”, historitë e një derrkuceje simpatike, për fëmijët 4 vjeç e sipër, dhe “Martina”, aventurat e një vajze të vogël, për fëmijët 7 vjeç e sipër. Së fundmi kemi ribotuar edhe një nga romanet më të njohura e të mirëpritura nga publiku të Elvira Dones-it, “Yjet nuk vishen kështu”.
A ekzistojnë ne Shqipëri bestseller-at?
Natyrisht që po. Çdo libër që shet shumë kopje mund të quhet një bestseller. Problemi qëndron te përkufizimi i togfjalëshit “shumë kopje”, por ky nuk është një problem shqiptar. Së fundmi po lexoja një libër mbi historinë e bestseller-ave nëpër botë dhe autori, i cili ka bërë një punë kërkimore shumë të kujdesshme, shkruan pikërisht se manipulimi i lexuesve dhe vëmendjes së tyre duke fryrë shifrat e librave të shitur apo duke përkufizuar bestseller një liber para së të bëhej i tillë, ka qenë një taktikë e hershme pothuajse aq sa libri i shtypur masivisht. Në këtë kuptim, nuk jemi të parët, të vetmit apo të fundit që do të “vuajmë” nga keqpërdorimi i fjalës “bestseller”.
A shitet më shumë letërsi shqiptare apo e huaj?
Fatkeqësisht, përshtypja ime, e bazuar në të vetmet shifra që kam, pra të Botimeve Pegi, është që në përgjithësi autorët shqiptarë shiten më pak se autorët e huaj. Me pak përjashtime, siç mund të jetë për ne autori Rexhaj. Mendoj se ka disa arsye për këtë. Ekziston një farë snobizmi i lexuesit shqiptar në lidhje me autorin shqiptar, i cili deri diku mund edhe të jete i justifikuar. Botimet e shumta që pati në vitet ’90 mund ta kenë shpërdoruar deri diku besimin e lexuesve te cilësia e autorëve të botuar. Kështu që ata parapëlqejnë t’i drejtohen letërsise të përkthyer pasi në një fare mënyre gjejnë një garanci më të mirë te seleksionimi i huaj i autorëve. Kjo tregon se në vetvete roli i botuesit është i rëndësishëm për lexuesin dhe se, ndryshe nga sa mund të mendohet, vetëm një seleksionim i rreptë i asaj që botohet mund ta kurojë lexuesin shqiptar nga ky paragjykim.
A është e vërtetë që shqiptarët blejnë libra më së shumti gjatë panairit?
Jo më së shumti, por më shumë në panair. Një nga arsyet parësore të një fare dyndjeje të publikut lidhet me uljet e çmimeve. Por mendoj se, siç e përmenda edhe më parë, është tashmë edhe një lloj tradite ardhja në panair dhe guxoj të shpresoj që shpesh edhe ata që vinë vetëm për të parë, tërhiqen nga një apo dy tituj që nuk prisnin t’i gjenin dhe blejnë.
Ç’mendoni për librin elektronik?
Libri elektronik është një realitet i pashmangshëm tashmë nëpër botë dhe pakëz i vonuar në Shqipëri, por jo më shumë ose jo më ndjeshëm se rajoni do të thoja. Është një risi e mirëpritur për autorët shqiptarë fakti që me sa u deklarua, edhe Amazon ka vendosur tashmë të suportojë gjuhën shqipe. Uroj të mos ketë abuzime me këtë lloj mediumi dhe që lexuesit të kuptojnë se përtej formës, ajo që po blejnë është përmbajtja dhe se kjo përmbajtje meriton një respekt të caktuar dhe nuk mund të vidhet vetëm e vetëm pasi tashmë është më e thjeshtë për t’u bërë.