Ministria e Mbrojtjes ka reaguar për publikimin e disa fotove ku shfaqej një makinë ushtarake duke transportuar mobilie. Në rrjetet sociale fotot u shoqëruan me diturën se, makina e ushtrisë po përdorej për mobiliet e ministres për Marrëdhënien me Parlamentin, Ermonela Felaj. Por, në një reagim të Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura të Shqipërisë thuhet se në fakt, po përdorej për transportin e mobileve të Marlon Nasi, kapiten në Ushtri. Në reagim theksohet se këtë shërbim e parashikon një urdhër i ministrit të Mbrojtjes i vitit 2003. Dëshirojmë të sqarojë opinionin publik lidhur me disa foto të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqet një mjet dhe efektivë të Forcave të Armatosura duke transportuar orendi shtëpiake. Komanda Mbështetëse bën me dije se në bazë të urdhrit nr. 411 datë 02.09.2003 të ministrit të Mbrojtjes, çdo ushtaraku që ndërron banesë i sigurohet një mjet për transportin e orendive shtëpiake, nga njëra banesë në tjetrën. Në bazë të urdhrit nr. 411 datë 02.09.2003 të ministrit të Mbrojtjes është përgatitur urdhri nga komandanti i Batalionit të Transportit për vënien në dispozicion të transportit të orendive shtëpiake të kapiten Marlon Nasi, nga banesa e tij e mëparshme te Restorant Durrësi, për tek banesa e tij e re te Rruga e Elbasanit. Komanda Mbështetëse vlerëson se publikimi në fjalë është në rastin më të mirë, i pasaktë dhe në rastin më të keq, është dashakeq dhe që kërkon keqinformojë publikun dhe të cenojë punën e Forcave të Armatosura. Komanda Mbështetëse e Forcave të Armatosura inkurajon çdo media apo individ të denoncojnë me fakte çdo rast abuziv që ka të bëjë me punën e kësaj njësie të rëndësishme të FA”, thuhet në reagimin e Komandës Mbështetëse.