Festa e Halloween prej vitesh festohet edhe në Shqipëri. Banketet me ushqime dhe ëmbëlsira; make up-i i përdorur apo dhe veshjet me personazhet e preferuara, jo pak herë lenë shkas për shqetësime si alergji ushqimore apo komplikacione të tjera tek të rriturit dhe sidomos te fëmijët.
Dr. Ornela Marko, alergologe dhe imunologe klinike
Këtu do të gjeni disa këshilla që mund të qetësojnë sadopak shqetësimin e prindërve dhe ndihmojnë fëmijët me alergji ushqimore ose astma që të shijojnë festën.
Në vitet e fundit, edhe në vendin tonë, nata e Halloween po bëhet “traditë”. Por për fëmijët me astmë apo alergji të ndryshme, si dhe për prindërit e tyre, mund të jetë vërtet “e frikshme”, nëse nuk merren masa apo nëse nuk ndiqen këshillat e alergologut.
Është e rëndësishme që prindërit dhe fëmijët, gjatë përgatitjeve për aktivitetin, të kenë parasysh disa këshilla të vlefshme. Kjo bën të mundur që fëmijët të shijojnë ditën dhe të mos u shfaqet as kriza astmatike dhe as një reaksion alergjik i mundshëm.
Për të ndihmuar prindërit po ju japim disa këshilla, që për disa mund të jetë thjesht një rikujtim:
Maskat mund të jenë të frikshme. Për fëmijët me astmë përpiquni të gjeni një kostum që nuk kërkon maskë. Nëse fëmija insiston që kostumi të ketë një të tillë, atëherë ajo të mos jetë e ngushtë, të mos jetë e puthitur mirë pas fytyrës dhe të mos jetë pengesë për frymëmarrjen.
“Tualeti” (makeup-i) i përdorur për Halloween mund të shkaktojë reaksione alergjike. Prandaj përdorni vetëm produkte të cilësisë së mirë, hipoalergjike, por, çfarë është dhe më e rëndësishme, provojeni më parë produktin në një sipërfaqe të vogël të lëkurës për të parë nëse ekziston mundësia e një reaksioni alergjik.
Eliminoni vizitat e fëmijëve në fqinjët apo të afërmit, të pashoqëruara nga ju prindër, por zgjidhni aktivitete të tjera, më pak të rrezikshme si lojra të ndryshme, filma apo organizoni festa me ëmbëlsira dhe pije të sigurta.
Jini të përgatitur për situatë urgjence. Mos harroni të keni gjithmonë më vete Epipenin dhe numrin e urgjencës. Fëmijët me astma duhet të marrin terapinë e përditshme dhe të kenë gjithmonë me vete Ventolinen.
Kontrolloni ëmbëlsirat. Përpara se fëmijët të konsumojnë ato që iu kanë dhënë për festë, prindërit duhet të hedhin çdo produkt të paetiketuar apo të pasigurt. Tregojuni fëmijëve me alergji se cilat janë gjërat që ata mund të hanë dhe cilat jo. Prindërit mund të çojnë paraprakisht nëpër fqinjët apo të afërmit produkte të sigurta për fëmijët e tyre.
Mos u jepni fëmijëve ushqime për dhurata. Për të qenë më të sigurt dhe për të rritur përkujdesjen ndaj fëmijëve alergjike, mbase është mirë që në derën kryesore të shtëpisë të vendosni një kungull të pikturuar ku të tregoni që produktet ushqimore nuk janë pjesë e dhuratave tuaja për festën./RevistaClass