Ashtu si Policia e Tiranës, edhe në Durrës është shpallur lista me emrat më të kërkuar. Ajo që të tërheqe vëmendjen është një vajzë, e cila sot është 36 vjeçe, por në atë kohë ka qenë adoleshente.
Në listën e 21 personave shumë të kërkuar në qytetin e Durrësit janë edhe dy femra të shpallura nga policia në kërkim, por Ornela të tërheq vëmendjen për monstruozitetin e krimit të kryer, moshën e njomë në të cilën është përfshirë në krim dhe faktin që ka mundur t’i shpëtojë drejtësisë për rreth 20 vite. Bëhet fjalë për Ornela Shefqet Domi (Shaba), e akuzuar për vrasjen në bashkëpunim të vjehrrës së saj më 30 maj të vitit 1997.
Sipas shtypit të kohës, por edhe burimeve policore, në kohën e krimit Ornela, për të cilën policia nuk disponon as foto, ishte vetëm 17 vjeç. Ajo sapo ishte martuar dhe jetonte në shtëpinë e burrit të saj bashkë me vjehrrën, Dritën. Bashkëshorti ishte larguar menjëherë pas martesës në Greqi. Në atë kohë, bashkëshortja e tij adoleshente krijon lidhje intime me kushëririn e parë të burrit, djalin e xhaxhait, Xhurian Shabën. Edhe ky i fundit ishte adoleshent, madje një vit më i vogël sesa gruaja e kushëririt të tij.
Një natë, kur Xhuriani ishte në dhomën bashkëshortore të Ornelës, ata kapen mat nga vjehrra e nuses. E shokuar nga pamja që ka para syve, Drita tenton të largohet nga shtëpia, por qëllohet 5 herë me thikë nga Xhurian Shaba dhe vdes. Për të mbrojtur të dashurin e saj dhe për të fshehur tradhëtinë bashkëshortore, Ornela sajon grabitjen e banesës nga ana e Xhurianit. Ky i fundit largohet nga shtëpia e xhaxhait me florinjtë, ndërsa Ornela lajmëron policinë.
Në fillim dyshohet se gjithçka ka ndodhur sipas rrëfimit të nuses 17-vjeçare, por vite më vonë Policia e Durrësit rihap çështjen nisur nga këmbëngulja e burrit të Ornelës dhe birit të Dritës, Afrim Shabës. Që nga ajo kohë Ornela është shpallur e kërkuar nga drejtësia, madje është dënuar me 9 vite burg për vrasje të kryer në bashkëpunim, por ende nuk është bërë e mundur që Ornela Shaba, tashmë 36 vjeçe të vuajë dënimin për krimin e kryer.
Më poshtë lexoni shkrimin e botuar vite më parë në gazetën “Metropol” për krimin e kryer nga Ornela dhe Xhurian Shaba
Dëshmitari i vetëm Velis Feka, tregon historinë e vërtetë të ’97-ës.
TIRANË – Ishin të dy adoleshentë. Djali është i vitlindjes 1981, ndërsa vajza 1980. Ornela Domi (Shaba) nga Shijaku, më 30 maj 1997 ishte vetëm 16 vjeçe, ndërsa kushëriri i burrit të saj, Xhurian Shaba, ishte 15 vjeç. Megjithëse djali ishte tepër i vogël, ai ra në dashuri me nusen e kushëririt, edhe ajo e mitur, i cili vetëm dhjetë ditë pas martese merr rrugën për në Greqi. Historia e dashurisë së dy të rinjve vazhdoi disa kohë. Ornela rrinte në shtëpi me vjehrrën e saj, Drita Shaba, e cila deri natën e tragjedisë nuk kishte kuptuar asgjë. Ndërkohë që djali i xhaxhait të bashkëshortit të Ornelës, rrinte në shtëpi me babain e tij, Lutfi Shaba, i ndarë nga gruaja. Natën e ngjarjes, Lutfiu nuk ka qenë në shtëpi, kështu që Xhuriani merr për të fjetur një shokun e vet.
Dëshmia
Velis Feka është bashkëmoshatar me Xhurian Shabën. Më 30 maj 1997, Xhuriani e thërret Velisin për të qëndruar së bashku në shtëpi, sepse ishte vetëm. Po atë natë ai i tregon Velisit se kishte rënë në dashuri me një grua të martuar dhe se e donte shumë. “Emrin nuk ma tregoi, por vetëm më tha se kishte rënë në dashuri dhe e takonte fshehurazi, pasi kishte frikë. Madje, më tha se kishte kryer disa herë marrëdhënie me të në shtratin bashkëshortor”, ka treguar Velisi para policisë gjyqësore. Më pas, Velisi ka rrëfyer se Xhuriani është nisur për të shkuar te gruaja e martuar, me të cilën ishte dashuruar. “Xhuriani më tha se do të shkonte të bënte dashuri dhe do të kthehej shumë shpejt. Për të shkuar doli nga dritarja e shtëpisë, meqë nuk donte të bënte shumë zhurmë nga dera. Unë qëndrova në shtëpinë e tij në pritje”, vazhdon tregimin Velisi. Por gjithçka ka ndryshuar shumë shpejt. “Xhuriani erdhi e më thirri nga dritarja. Dola edhe unë. Aty më tha se kishte të dashur nusen e kushëririt që qëndronte në Greqi. Vajta në oborrin e shtëpisë tjetër bashkë me të. Çfarë të shihja. Në këmbë qëndronte një vajzë e re me një fëmijë në krahë dhe Xhuriani që mbante thikën në dorë të lyer me gjak”. Tregimi i Velisit ka vazhduar më gjatë me hollëtisë rreth ngjarjes. Megjithatë ai ka thënë se për shumë kohë e ka mbajtur të fshehur të gjithë historinë, pasi kërcënohej nga shoku i tij që kishte kryer krimin, e shokët e tjerë të tij. “E vrava, pesë thika i ngula në kraharor. Unë ende nuk po bindesha për atë që kishte ndodhur. U futa në korridor dhe pashë një grua të larë në gjak. Duart me gjak i kishte edhe Xhuriani. U tërhoqa prapa për t’i thënë atij se nuk doja të ngatërrohesha me atë punë, por ai më kërcënoi, nëse do të largohesha dhe do të tregoja. Nuk durova dot më, rashë në tokë pa ndjenja”.
Alibija e nuses dhe të dashurit për policinë
Drita Shaba, mbrëmjen e 30 majit të vitit 1997 gjeti në shtratin bashkëshortor të djalit të saj, nusen 16 vjeçe duke kryer marrëdhënie me djalin e kunatit, vetëm 15 vjeç. Pasi pa skenën e llahtarshme, Drita ishte përpjekur të dilte menjëherë nga shtëpia, por nuk arriti. 15-vjeçari Xhurian Shaba e qëllon 5 herë me thikë, duke e lënë të vdekur në vend. Pas kësaj ngjarje, nusja tradhtare krijon një alibi, duke dashur të shpëtojë të dashurin e saj. Ajo i ka thënë Xhurianit të merrte nga shtëpia të gjithë florinjtë dhe sendet e tjera, duke e pregatirur skenën si vjedhje. Velisi, dëshmitari i vetëm i kësaj mbrëmjeje është shprehur se, Xhuriani mori nga shtëpia të gjitha sendet me vlerë. Fillimisht i ka kërkuar Velisit për t’i mbajtur, por më pas sendet e florinjta ia ka dhënë disa shokëve që u larguan në Greqi. Pasi bëri rrëmujën në shtëpi dhe largoi të gjitha sendet e shtrenjta, Ornela lajmëron policinë. Alibia e nuses dhe zhdukja e gjurmëve të krimit bëri që çështja e vrasjes së Drita Shabës të pezullohej disa herë. Ajo u rihap më 18 maj 2004, me kërkesë të djalit të viktimës, Afrim Shaba. Në dosje thuhet se Afrimi pas shumë vitesh arriti të bindë nusen e tij të tregojë të vërtetën. Por me sa duket edhe këtë herë ajo nuk i ka treguar të vërtetën. Bashkëshortit i ka thënë se Xhuriani vrau nënën, pasi grabiti shtëpinë, duke mos treguar të vërtetën, atë të tradhtisë.
Dëshmia e babait të të pandehurit
Në dosjen e dërguar për gjykim dhe që ndodhet në zyrën e gjyqtarit Kreshnik Omari, është edhe dëshmia e babait të Xhurian Shabës, Lutfi Shaba. Policia ka vajtur disa herë në shtëpinë e tij për të mësuar rreth fatit të djalit, por më kot. Lutfiu ka sajuar një histori. I ka thënë policisë se djalin e tij e ka vrarë Afrim Shaba, nipi, për t’u hakmarrë për vdekjen e nënës. Policia nuk ka arritur të gjejë vendndodhjen e të pandehurit Xhurian Shaba, por nga ana tjetër prokuroria nuk e ka pushuar çështjen. Sipas prokurorit Blerim Tominaj, babai i të pandehurit e ka sajuar historinë e vdekjes së djalit me qëllim që t’i shmanget gjykimit. Akuza shprehet se nuk ka asnjë të dhënë që djali të ketë vdekur, madje, vetë Afrim Shaba ka treguar se ka vite që nuk e ka parë. Ndërsa adresa e të pandehurit nuk dihet, Prokuroria e ka të vështirë të gjejë edhe atë të vajzës, Ornela Shaba, të cilën e ka marrë në cilësinë e të pandehurës. Akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin vranë Drita Shabën, më 30 maj 1997. /Marrë nga DurrësLajm