“Vrapo për Femijët” organizohet për të gjashtin vit rradhazi, me qëllim për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve shqiptarë, nga zona të ndryshme të vendit, të diagnostifikuar me kancer e që trajtohen në spitalin Pediatrik në QSUT në Tiranë.
Gara do të zhvillohet ditën e dielë, datë 4 dhjetor, ora 9:00, përgjatë trajektores: nga sheshi “Nënë Tereza”, tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit” e deri tek parku i Liqenit Artificial të Tiranës.
Ashtu si dhe në vitet e shkuara, shoqata MRDC (Medical Response to Diplomatic Corps) me mbështetjen e Fondacionit Vodafone Albania e organizojnë këtë aktivitet sportiv bamirësie me pjesëmarrjen e qytetarëve e bizneseve të përgjegjshme ndaj kësaj kauze.
Falë kontributeve të dhuruara nga bizneset, gjatë “Vrapo për Fëmijët 2015”, u mundësua ndihmë për 21 fëmijë, kryesisht për blerjen e medikameteve, sigurimin e të cilat familjarët e kanë të vështirë apo dhe të pamundur.
Sfida për këtë vit është edhe më e madhe, pasi edhe nevojat janë akoma më të mëdha. Ndaj këtë vit ky aktivitet vjen më në zemër të kryeqytetit, për të afruar, ndërgjegjësuar e inkurajuar edhe më shumë qytetarë, sportistë, studentë, punonjës të institucioneve e bizneseve të ndryshme, që të bëhen pjesë e kësaj eksperience, e këtij misioni.
Që të bëhet gjithpërfshirës, ky aktivitet është konceptuar si një festë sportive, me kushte të pështatshme për çdo pjesëmarrës. Do të ofrohen tre kategori distancash garimi, specifikisht 10KM vrap, 5KM vrap dhe 5KM ecje sportive dhe e lirë.
Në datën 4 dhjetor, në sheshin “Nënë Tereza” regjistrimi do të jetë i hapur që në orën 8:00.
Eja dhe ti në sheshin “Nënë Tereza”, me datë 4 Dhjetor, për t’i dhënë jetë e shpresë një fëmije që sot ka nevojë për ty!