Mbrëmjen e 18 janarit 2016, një grup policësh u futën pa trokitur në dy dhoma të një hoteli në Rrugën e Elbasanit në Tiranë. Qëllimi i tyre ishte arrestimi i dy shtetasve turq, që kishin bujtur në hotel të shoqëruar nga dy prostituta 20 dhe 23 vjeçe. Kjo ndërhyrje e beftë, që gjeti të zhveshur një prej çifteve, ishte finalizimi i një hetimi për një rrjet të shfrytëzimit të prostitucionit të shtrenjtë në kryeqytet, raporton “Panorama”. Sipas Prokurorisë së Tiranës, ishte 29-vjeçarja Silvana N., ajo që “menaxhonte” tri prostituta, njëra prej të cilave minorene. Ajo i ka strehuar në banesën e saj në periferinë e Tiranës tri vajzat dhe i ndërmjetësonte me persona të ndryshëm për prostitucion. Për gjetjen e klientëve, ajo ka bashkëpunuar edhe me disa taksistë, një prej të cilëve edhe punonjës policie, të cilët përfitonin 20 për qind të fitimit në këto raste. Ditët e fundit, Gjykata e Tiranës përfundoi gjykimin e kësaj dosjeje, duke i fajësuar pesë të pandehurit. Vendimi i gjykatës, i siguruar nga “Panorama”, zbardh dhjetëra përgjime telefonatash mes të pandehurve në lidhje me pazaret e shërbimeve të seksit në Tiranë. Sipas Gjykatës, gjatë hetimit e pandehura Silvana N. ka deklaruar se ushtron prostitucion si mënyrën e përfitimit të të ardhurave të saj. Në ushtrimin e kësaj veprimtarie ajo ka bashkëpunuar me disa shtetase të tjera, të cilat i ndërmjetësonte me klientë të ndryshëm. Në këtë veprimtari është ndihmuar nga shtetas që ushtrojnë shërbimin taksi si Engjëll Ylli, i cili është njëkohësisht edhe punonjës policie, si dhe të pandehurin Eglantin Kapo. Në përfundim të gjykimit të dosjes, togat e zeza të Gjykatës së Tiranës dënuan me nga 4 muaj burg për akuzën e “prostitucionit” dy shtetasit turg, M.O. dhe S.K. Për të njëjtën akuzë, të pandehurat Xheje D. dhe Ambra I. janë dënuar me nga 10 muaj burg. Ndërsa e pandehura Silvana N. është dënuar me 4 vjet e 8 muaj për akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit”. Përfundimisht, gjykata e ka lënë atë në liri me kusht për një periudhë 3-vjeçare. Tre taksistët, Eglantin K., Engjëll Y. dhe Franko A., po gjykohen për “shfrytëzim prostitucioni” dhe “moskallëzim krimi” në një proces të veçuar.
PËRGJIMET
Nga procesverbalet e transkriptimit rezultojnë këtë të dhëna: Në datë 07.01.2016, Silvana ka biseda me interes me nr.06…443, me të cilin bën pazar për prostitucion. Nga transkriptet e bisedave telefonike të datës 08.01.2016, në komunikimet e bëra me katër numra ka biseda me përmbajtje pazaresh dhe nënkuptim për të kryer prostitucion. Edhe ne datën 09.01.2016, ora 00:17, Silvana ka komunikim me shtetasin Engjëll Ylli, punonjës policie, të cilin e pyet lidhur me marrjen e disa femrave, si dhe i lë porosi për të marre një telefon e ta çojë diku. Në datë 11.01.2016, ora 14:16, Silvana dërgon SMS në nr.06…340, ku i thotë “1 orë 5 të tonat”. Në orën 20:30, Silvana është kontaktuar nga nr.06…008, i cili i tregon se ku të shkojë ajo, te tuneli nga pas kafe “Europës”.
SEKS TRESH TE “SHEFI”
Në datë 12.01.2016, ora 01:04, deri në 04:43, ajo komunikon me nr.06…431 që i përket Xheje D., ku Silvana e nxit të shkojnë bashkë te një person që i thonë “shefi”, se paguan mirë. Sipas Silvanës, te ky person i panjohur kanë qenë me Xhejën dhe një natë tjetër së bashku me një shoqen e tyre e quajtur Ana.
“100 MIJË LEKË ORA”
Nga transkripti i nr.06…205 në datë 12.01.2016, rezulton se Silvana ka marrë SMS nga ora 02:40, nga numri 06…111, i cili i thotë se do të shkojnë bashkë dhe bëjnë pazar mbi pagesën. Silvana i thotë se për të ndenjur 2-3 orë duhet të paguajë 200 000 lekë, pasi 1 orë e ka 10 000 lekë të rinj. Nuk dihet nëse janë takuar.
“TË SJELL NJË TË URTË”
Në datë 22.12.2015, ora 20:40, Silvana është telefonuar nga nr.06… 346, i cili i thotë se “Kisha një shok unë një cikë”. Silvana i thotë “atë që ishte atë ditë”. L. (klient) i thotë “Po tjetër”. Silvana përgjigjet “skam tjetër, tjetra është e sëmurë, kjo tjetra është e mirë, e urtë”. Lisi “Ja të pyes të marr prapë”. Në këtë moment ora 20:46 Silvana i shkruan një vajzë me nr.06…72 dhe i thotë “A do të vish në Elbasan, do të marrim nga 100”. Më pas, në 20:47, Silvana i shkruan Lisit “O Lal ça thanë”. Silvana ndërkohë i shkruan vajzës që kërkon, duke i thënë “ça do bësh se pret përgjigje ai”. Ajo i thotë “të kthej përgjigje për 10 minuta sa të flas me këtë shokun, por ajo nuk i kthen përgjigje”. Ndërkohë rezulton se Silvana i shkruan L. “A të marr një tjetër se ajo e ka fikë telefonin”. L. nuk i përgjigjet. Në datë 30.12.2015, L. i shkruan SMS Silvanës, duke i thënë se po ikën në Elbasan, se do takojë një kosovar, të cilit ka për t’i marrë disa lekë. “Hajde në Elbasan”, i thotë. Silvana i kthen përgjigje se nuk vjen Rigi. L. i shkruan kush është ajo që do të vijë. Silvana i përgjigjet R. Më pas nuk ka më komunikim.
PËR “PUNË” NË ELBASAN
Nga transkripti i bisedave te nr.06…362, i cili i përket të pandehurës Silvana N. kanë rezultuar disa biseda, të cilat nga organi i akuzës janë konsideruar me interes për hetimin e kësaj çështjeje penale. Në datë 18.01.2016, ora 22:21 nr 06…889, ka telefonuar Silvanën dhe bëjnë bisedë për të shkuar te personi që e telefonon dhe do të marrë me vete gocën e tezes, e cila është e ngjashme si një vajzë tjetër, me të cilën ka qenë dhe një herë tjetër. Telefonuesi i thotë “mirë, hajt”. Numri i telefonit 06…889 i përket L., sipas emrit të regjistruar në rubrikën e telefonit të Silvanës. Po në këtë moment, në orën 22:25, Silvana ka telefonuar një vajzë dhe i thotë të ikin tek ai i asaj në Elbasan, ku do të marrin dhe një vajzë tjetër. Në bisedën telefonike të datës 24.12.2015, ora 19:50, Silvana ka telefonuar një vajzë që quhej R…, të cilës i ofron të shkojnë në Elbasan për “punë”. R… është me menstruacione dhe nuk mund të shkojë. Duke e parë që R… nuk ishte e disponueshme, ajo ka telefonuar mbesën e saj A., ku e fton të shkojnë në Elbasan te një person që ka qenë dhe më parë. Më pas, Silvana ka telefonuar Engjëllin, por në nr. 06…160 dhe i thotë të shkojnë në Elbasan dhe do të marrin A. se është duke folur me L.B.
“PO VIJ ME NJË SUPER ‘P…’”
Në komunikim e sipër, në orën 20:37, Silvana bisedon me nr. 06…981 dhe i thotë se po shkon me një super p… Personi tjetër është shok me L. Në këtë vazhdë Silvana, në orën 20:46, i dërgon SMS L. në nr. 06…346 dhe i thotë se ajo e mira që i ka çuar dhe një herë më parë, do 200, domethënë është ajo që e ka prish për 12 minuta. Po kështu Silvana i thotë L. se atë vajzën po shkon ta shohë njëherë a është e mirë apo jo. Silvana i dërgon SMS L. në nr e tij 06…346, ku i thotë: “O la po mar atë që donte 200, mir, me 100 ok”. Në shkëmbim SMS me nr. 06…981, ky i fundit i thotë Silvanës të marrë tullumbace (prezervativë), duke i thënë se do shkojmë te hoteli ku shkojmë përherë. Më pas Silavana, në datë 09.01.2016, ka telefonuar Engjëllin në nr. e tij privat 06…160 dhe i thotë të shkojë ta marrë te shtëpia dhe të shkojnë te Gjyshi.
SEKS DHE DROGË
Po nga transkripti i bisedave telefonike rezulton se në grupin që Silvana po shkon është i përfshirë dhe nr. 06…339, me të cilin bën biseda për të pirë narkotikë. Nga transkripti i bisedave të nr. 06…431, që i përket shtetases Xheje D., në datën 08 janar 2016, ajo bisedon me një numër të paidentifikuar nga ana e Policisë Gjyqësore, i cili rezulton të jetë mashkull. Ky person e ka telefonuar nga ora 16:25 deri në orën 19:00, me intervale. Ky person i kërkon asaj të shkojë me të duke nënkuptuar se do kryejnë marrëdhënie seksuale, por më parë do hanë darkë së bashku dhe do shkojnë në hotel. Nuk është e qartë nëse janë takuar ose jo dhe ku kanë shkuar.
“SHEFI PAGUAN MIRË”
Në datë 12.01.2016 janë konstatuar biseda të nr. 06…205, që i përket Silvana N., e cila e fton të pandehurën Xheje D. të shkojë me klientë që Silvana ndodhej, por personi rezulton i paidentifikuar nga ana e Policisë Gjyqësore. Po kështu Silvana i shprehet qartë Xhejes për pagesa të mira nga klientët. Në datë 12.01.2016, ora 01:43, i thotë: “Ai jep mirë. Ai që ishim me Anën”. Silvana në një moment tjetër e nxit që të marrë në telefon I. në datë 12.01.2016, ora 05:46. Me interes vihet re biseda e datës 12.01.2016, ku nr. 06…009 i thotë Xhejes se është shefi i madh dhe numrin ia ka dhënë Sona (Silvana). Ky identifikohet me emrin I. Në datë 15.01.2016, e pandehura Xheje D. është telefonuar nga Silvana N., e cila i ka thënë të vishej dhe të dilte.
POLICI-TAKSIST
Nga transkripti i bisedave të nr. 06…769, që i përket punonjësit të Policisë, Engjëll Y., vihet re se ai ka marrë thirrje të shpeshta nga nr. i Silvanës, duke filluar nga data 24.12.2015 e në vazhdim. Në bisedën telefonike të datës 25.12.2015, ora 05:54, rezulton se e pandehura Silvana N. e pyet Engjëllin se sa lekë i ka dhënë atij ai çuni që shkuan te L. Engjëlli i përgjigjet 30 mijë lekë, ndërsa Lisi 70. Po kështu në datë 25.12.2015, ora 23:59, Engjëlli ka telefonuar Silvanën në nr. 06…205 dhe e pyet se ku të shkojë ta marrë dhe ajo i thotë te G… Në datë 28.12.2015, Silvanën e ka telefonuar Engjëlli në nr. 06…362, ora 05:36, dhe i thotë të shkojë te një hyrje që kishin qenë dhe më parë, ku Engjëlli i thotë se ka qenë me Vlonjatin dhe e di ku ndodhet si hyrje. Sipas bisedave të datës 30.12.2015, rezulton se Engjëlli ka njohje edhe me R., e cila është kushërira e Silvanës, e përfshirë dhe ajo në prostitucion./ Panorama