Fansat nuk i mungojnë Ardit Gjebreas, jo vetëm si moderator, por edhe si këngëtar. Megjithatë, prej vitesh tashmë artistin nuk e shohim të vij me këngë të reja. Por çfarë e ka detyruar kantautorin e njohur që të largohet njëherë e përgjithmonë nga pasioni i tij i parë, nga ai pasion që e bëri edhe të famshëm? Sipas “Mapo”, në një takim me studentët, Gjebrea ka treguar se nuk e gjen veten në tregun e tanishëm muzikor dhe nuk është i gatshëm të heq dorë nga stereotipi që ai krijoi me besnikëri.
“Unë shpeshherë jam më i sinqertë se ç’duhet dhe do ta ruaj sinqeritetin tim dhe sot, më ndodh që të keqkuptohem. Sot portalet e ndryshme mund të keqkuptojnë atë që dua të them dhe nuk do të jem shumë i sinqertë në përgjigjen time. Dua të jem pak diplomat sepse nuk dua të fyej askënd. Kështu që secili bën zgjedhjen e tij në jetë, por nëse unë do të vazhdoja të bëja muzikë dhe të këndoja, nuk do të jetoja më mirë se sa jetoj sot. Kjo është përgjigja ime e sinqertë pa dhënë detaje. Unë kam kënduar në pallate sporti, në stadiume, kam kënduar në Teatrin e Operas dhe Baletit. Kam kënduar në vende ku muzika vetëm dëgjohej. Në të gjitha turnetë që kam bërë jashtë, aty ku ka shqiptarë në Gjermani, SHBA, Greqi, kam kënduar nëpër teatro. Sot rrallë këngëtarët këndojnë nëpër teatro. Unë nuk dua të humbas atë habitatin tim. Unë krijova një lloj stereotipi dhe nuk dua ta humbas. Unë jam i lidhur me atë mentalitet të muzikës dhe nuk dua që të jetë ndryshe”- ka thënë këngëtari.