Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme është hedhur në erë një nga palestrat e Tiranës, e cila ndodhet pranë Liqenit Artificial. Bëhet fjalë për palestrën “Tirana CrossFit”, e cila është mjaft e frekuentuar nga vipat e kryeqytetit si Klea Huta, Olta Boka, Turjan Hyskaj, Mërgim Mavraj, Arbër Çepani etj. Në lidhje me këtë sulm ndaj palestrës, policia po bën zbardhjen e plotë të ngjarjes për të zbuluar ndonjë konflikt të mundshëm që mund të kenë pasur pronarët e saj.
Njoftimi i Plotë i Policisë: Më datë 07.02.2017, rreth orës 05:32, në afërsi të Kopështit Botanik, tek një palestër, ka ndodhur një shpërthim, i cili dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e
vendosjes së një sasie të vogël lëndë të dyshuar eksplozive në murin e jashtëm të palestrës. Si pasojë e këtij shpërthimi ka patur vetëm dëme të vogla materiale (thyer xhamat). Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin si dhe kapjen e autorëve të kësaj vepre.