Sardi Strugaj po ngjall sërish kuriozitet rreth një teme që e ndjek sa herë afrohet një sezon i ri i reality-show-t më të komentuar. I ftuar së fundmi në “Wake Up”, këngëtari u ballafaqua me pyetjen që i bëhet kudo: “A do të bëhet pjesë e ‘BBVA 5?’” dhe këtë herë, përgjigjja nuk ishte aspak e prerë.
Sardi pranoi se nuk mund ta pohojë hapur, duke lënë një lloj misteri që ndez thashethemet. “Ta lë kështu të hapur… Po më provokonte një shok para ca kohësh dhe më tha që e kishte marrë vesh, i kishin ardhur disa informacione që do jem pjesë e “Big Brother”. I thashë që nuk më lejohet ta them, e kemi në kontratë”, tha ai duke qeshur.
Ai shtoi se shpesh ngacmon fansat me shaka të kësaj natyre, por këtë herë nuk dha një mohim të qartë. Pas një buzëqeshjeje enigmatike, Sardi mbylli intervistën me një fjali që i linte të gjithëve tek dera: “Do e shihni”.
Kjo është një ndryshim i dukshëm nga deklaratat e para dy viteve, kur e njëjta pyetje u prit me një “jo elegante”. Në atë kohë, ai u shpreh: “Është një emision që e kam ndjekur dhe vitin e parë edhe vitin e dytë. E pëlqej, është një eksperiment social”, duke shtuar se nuk e shihte veten në format si person që do lirinë dhe familjen “ta kem afër”.
Megjithatë, historia televizive ka treguar që fjalia “Unë në Big Brother? Kurrë!” shpesh përfundon ndryshe.








