Pothuajse 20 vite më pas, bota e modës është gati të na magjepsë sërish. “The Devil Wears Prada 2” është zyrtarisht në proces dhe pritet të shfaqet në kinema më 1 maj 2026 — një rikthim që fansat e kanë dashur gjithmonë, por që pak e prisnin!
Ndërkohë që nuk ka ende një konfirmim përfundimtar nga aktorët kryesorë, thashethemet janë optimiste. Meryl Streep, Anne Hathaway, Emily Blunt dhe Stanley Tucci përfliten për një rikthim epik në zyrën më të frikshme të modës.
Sipas Variety, vazhdimi do të fokusohet te Miranda Priestly (Meryl Streep) që përballet me rënien e revistave të printuara dhe një sfidë të re: ish-asistentja e saj (Emily Blunt) është tashmë një figurë e fuqishme në botën e luksit dhe kontrollon fondet reklamuese për të cilat Miranda është e gatshme të luftojë. Një përplasje që premton tension dhe elegancë.
Pavarësisht se Anne Hathaway ka qenë disi skeptike për një vazhdim në disa intervista, Emily Blunt ka lënë të nënkuptohet se “ka diçka që po gatuhet”, ndërsa Stanley Tucci është më entuziast: “Do isha i lumtur nëse ndodh.”
Projekti do të rikthejë emrat që qëndruan pas suksesit të parë: producentja Wendy Finerman, regjisori David Frankel dhe skenaristja Aline Brosh McKenna. Kjo treshe krijuese premton një tjetër goditje artistike, me modë të sofistikuar, tension emocional dhe humor therës — si gjithmonë.
Prandaj, po, është momenti të mendoni seriozisht për një rinovim të garderobës — sepse Miranda Priestly po rikthehet.








