Pas një viti jetesë në SHBA, modelja Adrola Dushi më në fund është rikthyer në Shqipëri, ku do të qëndrojë për një muaj për të pushuar së bashku me të birin, Troin. Dushi ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në televizionin “Klan” ku foli për vështirësitë e jetës në SHBA dhe sukseset e saj në karrierë.

“Fillimi ka qenë shumë i vështirë, por tashmë që unë kam njohur njerëzit, kam njohur klientët, e kam pak më të thjeshtë.”- u shpreh Adrola. Ndërsa përsa i përket rritjes së djalit të saj Troit, ajo shpjegoi se një ndihmë shumë e madhe është familja e saj që jeton në New York. Dhe është pikërisht një anëtar i familjes, vëllai i saj Landi, që e bëri Adrolën të përlotej në studio, ku ndodhej së bashku me Troin. Në një videomesazh, ai u shpreh: “Të urreja aq shumë kur linde, sepse doja një vëlla, por pastaj kuptova që ti ishe gëzimi im dhe i familjes tonë!”

Dhe në këtë moment sytë e modeles u mbushën menjëherë me lot. “Nuk do ma merrte mendja kurrë që Landi do dilte në një videomesazh për mua.”-tha ajo.

Por teksa foli për karrierën dhe familjen, Adrola nuk dha thuajse asnjë detaj në lidhje me marrëdhënien e saj me Adisin, babanë e Troit me të cilin u përfol për një kohë të gjatë se ishte në prag të divorcit. Ajo tha disa herë se është zhvendosur vetëm me Troin në Manhattan dhe se tashmë që ishte në Shqipëri donte të kalonte pak më shumë kohë me të birin. Ndërkohë që në intervistat e një viti më parë, dyshja bëri me dije se nuk ishin ndarë, por thjehst ishin në pritje të dokumentave që edhe Adisi t’i bashkohej familjes në SHBA./Xing.al











