Adrola Dushi ishte pjesë e panelit të emisionit “Goca dhe Gra” mbrëmjen e djeshme, ku zëvendësoi bashkëmoderatoren Sherina Spahiu. Prezenca e saj në studio tërhoqi menjëherë vëmendjen, pasi ajo ndau disa detaje nga jeta e saj personale, duke folur hapur për lidhjen me këngëtarin Capital T, një romancë që u bë publike vetëm së fundmi.
Gjatë bisedës në studio, Adrola foli për përditshmërinë e saj dhe për mënyrën se si reagoi kur u publikuan për herë të parë fotografitë e çiftit. Ajo theksoi se privatësia është shumë e rëndësishme për të dhe për partnerin e saj.
“Ky Shën Valentin ishte një surprizë për mua. Kemi disa vite që jemi bashkë. Është si një maratonë. Kur e do shumë diçka, jam e bindur që ia del. Dhe ne ia dolëm. Nuk kemi dëshirë të jemi gjithandej në publik, sepse privatësia për mua është gjëja më e shenjtë. Ajo të lejon të jetosh më e qetë dhe më e lumtur,” u shpreh modelja.
Adrola tregoi edhe momentin kur mësoi për postimin që bëri Capital T në rrjete sociale. Sipas saj, gjithçka ndodhi në mënyrë spontane dhe shumë emocionale.
“Unë isha duke bërë pazar për rroba kur u publikua fotografia. Ishim në Amerikë, unë po punoja dhe ai më tha: ‘Prit pak, sepse dua të postoj diçka’. U emocionova shumë dhe u kënaqa. Madje kishim edhe dilema nëse duhej ta publikonim apo jo,” rrëfeu ajo.
Në fund, modelja theksoi se preferon të mbajë disa gjëra larg vëmendjes së publikut. “Nuk dua të gënjej, por disa gjëra dua t’i mbaj për vete. Jam e lumtur sepse, në fund të fundit, u prit shumë mirë nga publiku,” përfundoi ajo.







