Kohët e fundit aktorja e njohur turke, nuk kishte pranuar të bëhej pjesë e projekteve të reja, megjithë kërkesat që ka pasur nga producentë të ndryshëm. Arsyeja e këtij refuzimi nga Nebahat Çehre, e njohur për rolin e Firdevsit në “Dashuri e ndaluar” ka qenë dorëheqja nga kinemaja.
Një numër i pafund rolesh në seriale të ndryshme televizive e kanë bërë Çehre ndër aktoret më të paguara dhe më të kërkuara në Turqi, por tani ka ardhur koha të pushojë.
Mediat turke kanë raportuar se Firdevs, pas xhirimit të 125 filamave, ka vendosur të dalë në pension dhe në deklaratën e saj për mediat, në Stamboll, ajo tha pikërisht këtë gjë: “Nuk dua më të luaj !”, shkruan “Express”.
Edhe pyetjes nëse do të vazhdonte t’i qëndronte këtij vendimi edhe për ofertat më “të parezistueshme”, 73-vjeçarja tha se “nuk ka asgjë të parefuzueshme”.
Çehre e ka nisur karrierën televizive si modele dhe pasi fitoi çmimin Miss Turqia në vitin 1960, u bë pjesë e ekranit me oferta të ndryshme në kinema.
Kohët e fundit, mediat raportuan se aktorja ka pasur probleme me Alzheimerin dhe kjo mund të jetë arsyeja e heqjes dorë nga kinemaja, por Çehre, megjithatë, i hodhi poshtë të tilla spekulime.