Një studim i gjerë i realizuar nga Harvard School of Public Health dhe Mount Sinai, ka ringjallur shqetësimet mbi përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë. Sipas të dhënave të mbledhura nga mbi 100 mijë persona dhe analizës së 46 studimeve të mëparshme, ekspozimi ndaj acetaminofenit – substanca aktive e njohur në barna si Paracetamol apo Tylenol – mund të ndikojë në zhvillimin e trurit të fëmijëve, duke rritur mundësinë për çrregullime si autizmi apo ADHD-ja.
Studiuesit shqyrtuan përdorimin e këtij medikamenti gjatë të tre tremujorëve të shtatzënisë dhe e lidhën më pas me të dhënat shëndetësore të nënave dhe fëmijëve. Përfundimi i tyre: përdorimi duhet të bëhet vetëm kur është vërtet i nevojshëm.
“Duke qenë se ky medikament përdoret gjerësisht, edhe një rritje sado e vogël e rrezikut mund të ketë ndikim të madh në shëndetin publik. Rekomandojmë përdorim me masë të acetaminofenit, dozën më të vogël efektive në një kohëzgjatje sa më të shkurtër, sipas udhëzimeve të mjekut… dhe jo të kufizohet fare,” theksojnë autorët e studimit, duke paralajmëruar se edhe dhimbjet ose ethet e patrajtuara mund të jenë të dëmshme për beben.
Ky nuk është paralajmërimi i parë për paracetamolin. Një hulumtim tjetër i kryer në Universitetin e Notingamit vitin e kaluar, tregoi se përdorimi i tij mund të rrisë deri në 36% rrezikun e ulçerës së stomakut dhe gjakderdhjeve në zorrë. Përveç kësaj, u vu re një rritje e gjasave për sëmundje kronike të veshkave, sëmundje zemre dhe hipertension.
Ekspertët këshillojnë që mjekët të konsiderojnë edhe alternativa jo-kimike për menaxhimin e dhimbjes dhe temperaturës gjatë shtatzënisë, për të shmangur rreziqe të panevojshme për nënat dhe fëmijët e tyre.








