Në një cep të artë të Milanos, aty mes gjithë magjisë që qyteti po përjetonte prej kreativitetit, pamë atë që bekoi sytë tanë, por jo vetëm. Një mbrëmje që u derdh në aromë, në art, në teknologji, në hijet e reales dhe sureales. Një udhëtim që më çoi drejt të bukurës, të papërshkrueshmes, drejt yjësisë së luleve, udhëtim që më dha në dorë yllin e largët me emrin “Aldebaran”. Instalacioni ku u mbajt i gjithë prezantimi i aromës më të re nga Marc Antoine Barrois, ishte një mrekulli më vete. Gjithçka e kuruar deri në detaj. Hapësirë e bardhë, e thjeshtë në madhështi, e mbushur me një dritë të butë që here-herë të jepte reflektimin e lëkurës, e herë të tjera pasqyrim të shpirtit.

I gjithë instalacioni e shtynte imagjinatën të lëvizte në heshtje e aty mes aromës së “Aldebaran”, artit dhe teknologjisë, ndodhej mjeshtri, Marc Antoine Barrois. Pa zhurmë, por me praninë që ndihej kudo. Ai nuk prezantoi thjesht një parfum, por i ftoi të gjithë të pranishmit në një dimension tjetër, aty ku drita dhe aroma u bënë një. “Aldebaran” nuk është thjesht një aromë, është një yjësi lulesh në hapësirën e pafundme qiellore.
Nota e parë që të përqafonte ishte tuberoza, por ndryshe nga çdo herë tjetër, ishte e brishtë, e lehtë, e paqtë. Ishte si të të përkëdhelte trupin një puhizë e lehtë vere, një dritë mëngjesi, rrreze dielli.Pastaj ishte yerba mate, një shpërthim jeshil, pa zhurmë, por me aromë që të çon diku në vise të largëta, Më pas paprika, kryekëput një ftesë e bukur për të shijuar jetën. Në fund fava tonka, një aromë që të mban përqafuar gjatë, e ngrohtë, e butë, me një ndjesi gati-gati të përqafimit njerëzor. Perfekte në netët kur na merr malli për ata që kemi larg.
Gjatë prezantimit, Marc-Antoine foli pak, por me fjalë që goditën thellë. Ai e përshkroi “Aldebaran” si një Patronus, një dritë shpirtërore që na mbron dhe na udhëheq përmes errësirës. Një krahasim që nuk mund të ishte më i goditur se kaq, sepse ky parfum nuk mbetet në lëkurë, ai depërton në ndjesi, në emocione, në shpirt.
Nuk ishte një event i zakonshëm, por një event me një ndjeshmëri të tejskajshme. Kishte më shumë heshtje se fjalë, më shumë ndjenjë sesa reklamë dhe kjo e bëri të paharrueshëm. Çdo pjesëmarrës mbante me vete një copëz dritë, një gjurmë ylli. Aldebaran u prezantua në linjën “limited edition”, me vetëm 100 parfume në të disponueshme në të gjithë botën. Kjo, jo për të krijuar mungesën, por për të ruajtur magjinë e përvojës. Shishja e parfumit “Aldebaran” është e thjeshtë, elegante, një objekt arti më vete, një copëz e vogël që mban brenda një qiell të tërë.
Në fund të mbrëmjes, kur dritat u zbehën dhe aromat mbetën pezull në ajër, ndjeva se kisha marrë pjesë në diçka më shumë se një event, në një ritual modern, ku parfumi nuk është vetëm aksesor, por pasqyrë e shpirtit.
Dhe kjo është filozofia e Marc-Antoine Barrois: të të kujtojë se ndjeshmëria nuk është dobësi, por fuqi. Dhe parfumi? Një mënyrë për të prekur shpirtin…