Angelina Jolie po përgatitet për një nga lëvizjet më domethënëse të jetës së saj, një largim të mundshëm nga Shtetet e Bashkuara sapo binjakët e saj, Vivienne dhe Knox, të mbushin 18 vjeç në korrik 2026. Sipas burimeve pranë aktores, vendimi është “një plan i menduar prej kohësh”, i shtyrë deri tani nga marrëveshjet e kujdestarisë me ish-bashkëshortin Brad Pitt, të cilat tashmë janë drejt përmbylljes.
Aktorja, e cila prej vitesh ka jetuar në Los Angeles për hir të fëmijëve dhe angazhimeve ligjore, nuk e ka fshehur kurrë ndjesinë e saj të distancimit nga klima sociale e SHBA-së. “Ndonjëherë vendi ku jetojmë tani nuk ofron atë lloj njerëzishmërie që kam gjetur nëpër botë,” është shprehur ajo në një diskutim publik, duke lënë të kuptohet se horizonti i saj familjar dhe personal mund të zhvendoset drejt një mjedisi më privat, më të qetë dhe, sipas saj, më të sigurt.
Jolie ka qenë gjithmonë e drejtpërdrejtë në qëndrimet e saj për lirinë e shprehjes dhe çështjet humanitare, duke theksuar se “çdo gjë që kufizon lirinë e shprehjes dhe liritë personale është e rrezikshme”. Për shumëkënd, këto deklarata janë lexuar si reflektim i shqetësimeve të saj për drejtimin shoqëror dhe politik të vendit, por për Jolie, prioriteti mbetet familja. “Fëmijët e mi janë gjithmonë në qendër të çdo vendimi,” ka thënë ajo në intervista të mëparshme.
Deklaratë që na lë të kuptojmë se për Angelina Jolie, shtëpia nuk është thjesht një adresë, është një zgjedhje e vetëdijshme për mënyrën se si dëshiron të jetojë dhe të rrisë fëmijët e saj.








