“Bixhoz me dashurinë” ka qenë një nga serialet indian më të ndjekur, i transmetuar në TV Klan gjatë vitit 2018. Ky serial po transmetohet sërish në Klan Plus, por prej shumë kohësh me siguri nuk keni dëgjuar ç’ka ndodhur me aktorët. Më poshtë ju sjellim disa informacione me më të rejat e fundit nga aktorët e serialit duke nisur nga personazhi kryesor “Shivai” e deri tek “Bavja”, e cila në jetën reale do të martohet së shpejti.
Nakuul Mehta ose siç e njohim ndryshe si “Shivai” është bërë baba i një djali me emrin Sufi. Në një intervistë së fundmi, aktori ka treguar se ka qenë shumë e vështirë për të që të vazhdonte punën në pandemi ndërkohë që e priste i biri në shtëpi.
“Kur u riktheva në punë gjatë pandemisë bëja si polic në xhirime duke i thënë të gjithëve të vendosnin maska dhe të dezinfektoheshin. Por është e vështirë të xhirosh në kohë korone. Aktorët janë shumë të rrezikuar nga virusi sepse nuk mund të vendosin maska gjatë xhirimeve. Të gjitha më kanë bërë më të shqetësuar sepse më pret një beb në shtëpi”-është shprehur aktori.
Surbhi Chandna e njohur si “Anika” është përqëndruar tek karriera e saj në televizion. Ajo së fundmi u shfaq si e ftuar speciale në spektaklin “Big Boss”, që është versioni indian i “Big Brother”. Aktorja bëri të ditur se shumë shpejt do të luajë dhe në një serial të ri.
Kunal Jaisingh ose siç e njohim me emrin “Om” vazhdon të ketë shumë sukses në fushën e serialeve duke luajtur në një prej prodhimeve më të ndjekur dhe gjithashtu duket shumë i lumtur në jetën private. Aktori ka treguar në një intervistë së fundmi se ai dhe bashkëshortja e tij, Bharti nuk po nxitohen të kenë një fëmijë sepse janë përqëndruar tek karriera dhe po mundohen të balancojnë jetën profesionale me atë private.
Shrenu Parik e njohur si “Gori” së fundmi ka patur ditëlindjen. Aktorja, e cila mbushi 32 vjeç e festoi ditën speciale me prindërit dhe kolegët e serialit ku po luan aktualisht. “Isha në punë këtë ditëlindje. Më pëlqeu shumë të festoja në xhirime me kolegët, stafin dhe prindërit e mi. Ditën e bëri speciale ardhja e prindërve të mi që më dhanë shumë dashuri dhe bekime. Stafi më surprizoi me një tortë dhe zbukurime në dhomën e grimit”-tregoi aktorja.
Leenesh Matto, i njohur si “Rudra” ka të reja nga jeta e tij private. Aktori ka konfirmuar se është në një lidhje me kolegen e tij Shivani Jha. Dyshja janë njohur në xhirimet e një seriali dhe kanë një vit të lidhur.
Mansi Srivastava, e njohur si “Bavja” është gjithashtu në një lidhje dashurie. Mediat indiane shkruajnë se aktorja në janar të vitit të ardhshëm do ta kurorëzojë në martesë lidhjen me Kapil Tejwani, një fotograf me profesion. Ata janë njohur në xhirimet e një reklame.