Moderatori Arjon Muça ka qenë i ftuar në emisionin “Natën me Aulonën” ku ka rrëfyer një pjesë të jetës së tij që deri më tani e kishte mbajtur private.
“Unë jam disleksik, një nga gjërat që s’e kam thënë kurrë në ekran. Kam probleme me leximin,” u shpreh ai, duke habitur shumë shikues duke qenë se ai njihet si një nga moderatorët më të artikuluar në ekran.
Kur moderatorja Aulona Musta e pyeti se si e kuptoi këtë çrregullim, Arjoni tregoi se ishte gjatë viteve të shkollës fillore që ai hasi vështirësitë e para me leximin.
“Në moshën 6-7 vjeç, unë kuptova që kur të tjerët dinin të lexonin, unë s’dija. Jo se s’dija, por thjesht nuk e kuptoja mirë sesi funksiononte koncepti i leximit,” tregoi ai. Për të, shkronjat shpesh shfaqeshin të shtrembëruara, duke nxjerrë në pah një sfidë që ai nuk e kishte identifikuar më herët.
Për të kapërcyer këto vështirësi, Arjoni ka zhvilluar teknika të veçanta për të mësuar dhe për të punuar.
“Unë mësoj përmendësh, dhe kur filloj të lexoj, truri im ka zhvilluar aftësinë të krijojë imazhe fotografike. Unë i rishoh shkronjat dhe fjalët, sikur të ishin fotografi dhe mund të gjej pikat kyçe,” shpjegoi ai.