Një zhvillim i papritur ka tronditur opinionin publik dhe skenën e muzikës shqiptare. Këngëtari i njohur Gjesti është arrestuar në Prishtinë, ndërsa autoritetet kanë nisur menjëherë procedurat hetimore lidhur me disa dyshime për vepra penale. Lajmi ka bërë jehonë të menjëhershme në media dhe rrjetet sociale, duke ngritur shumë pikëpyetje mbi rrethanat e këtij ndalimi.
Në një deklaratë zyrtare, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ka bërë të ditur detajet e para mbi rastin. Sipas njoftimit:
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik, se me urdhër të Prokurorit Kujdestar është ndaluar për 48 orë një (1) person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale: ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ sipas nenit 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për veprën penale ‘Kanosja’ sipas nenit 181 të KPRK-së, si dhe veprën penale ‘Asgjësim apo dëmtimi i pasurisë’ në bazë të nenit 321 të KPRK-së”.
Autoritetet kanë konfirmuar se i ndaluari është një figurë e njohur për publikun si këngëtari Gjesti. Në këtë fazë të hershme të procedurës, institucionet kanë zgjedhur të tregohen të rezervuara për detajet e mëtejshme të çështjes. Nga ana tjetër qarkullojnë zëra nga burime akoma të pakonfirmuara se këngëtari dyshohet se mund të ketë kërcënuar me armë pronarin e një kompanie marketingu dhe studioje muzikore të njohur.
Në vijim të deklaratës së saj, Prokuroria ka sqaruar gjithashtu se procesi hetimor është ende në zhvillim dhe se vendimet e radhës do të merren brenda afateve ligjore:
“Prokurori i Shtetit, në koordinim dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedural në lidhje me këtë rast. Për shkak të fazës së hershme të procedurës hetimore dhe me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve, në këtë fazë nuk mund të ofrohen detaje shtesë lidhur me rastin. Prokuroria Themelore në Prishtinë, brenda afateve ligjor, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale dhe do të vendosë për masat e mëtejshme në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”.









