Boksieri shqiptar Florian Marku, i njohur në arenën ndërkombëtare me një karrierë të suksesshme në boks, u arrestua në Gjermani. Teksa ishte duke udhëtuar nga Anglia në Gjermani më 9 dhjetor, në kufi iu njoftua për një urdhër arresti nga Greqia.
Bëhet fjalë për një çështje nga disa vite më parë, kur Marku ishte 18 vjeç. Atëherë, ai u arrestua në Selanik për shkak të një sherri dhe akuzave për plagosje dhe armëmbajtje pa leje. Ai u dënua me 7 vjet burg, por kreu vetëm 1 vit e gjysmë.
Megjithatë, çështja u apelua disa vjet më vonë dhe, për shkak të ndryshimeve të fundit në ligjin grek, tani ai duhet të kryejë të paktën 1/3 të dënimit.
Aktualisht, Florian Marku ndodhet në paraburgim në Gjermani, në pritje të ekstradimit në Greqi. Procedura për përgatitjen e dosjes mund të zgjasë deri në një muaj, dhe ekstradimi mund të ndodhë në fillim të vitit 2025. Avokatët e tij janë njoftuar se Marku duhet të kryejë pjesën e mbetur të dënimit, gjë që ai e ka pranuar. Kjo do të thotë se Marku duhet të kryejë rreth 6 muaj burg për ta mbyllur çështjen.