Cristiano Ronaldo, përveçse një nga futbollistët më të mirë në histori, njihet edhe për zakonet e tij unike që lidhen me kujdesin për trupin. Së fundmi, ylli portugez ka tërhequr vëmendjen me një detaj të vogël, por të pazakontë: ai i lyen thonjtë e këmbëve me të zezë.
Sipas gazetës gjermane BILD, ky nuk është një veprim estetik, por një zgjedhje praktike. “Ai e praktikon këtë veprim për arsye higjienike dhe mbrojtëse, duke parandaluar bakteret dhe kërpudhat që mund të shfaqen për shkak të djersës në këpucë.” Ky zakon përdoret shpesh edhe nga sportistë të tjerë të disiplinave si boksi, MMA apo atletika. Emra si Mike Tyson dhe Israel Adesanya kanë ndjekur të njëjtën praktikë gjatë karrierës së tyre.
Ronaldo, i cili është i njohur për përkushtimin e tij ekstrem ndaj mirëqenies, përdor edhe teknologji të avancuar si “Oura Ring” – një unazë inteligjente që mat gjumin, ritmin e zemrës, temperaturën dhe aktivitetin fizik. Ai ndjek një rutinë strikte, që përfshin deri në pesë sy gjumë në ditë.
Ndërkohë, portugezi vazhdon të shkëlqejë edhe në fushë. Ai ka fituar së fundmi Ligën e Kombeve të UEFA-s për herë të dytë, pas një finale dramatike kundër Spanjës, ku shënoi një tjetër gol dhe e çoi numrin e përgjithshëm të golave në karrierë në 938. Pas ndeshjes në Mynih, Ronaldo dha edhe një deklaratë të qartë për të ardhmen e tij: “Po,” – tha ai kur u pyet nëse do të qëndrojë te Al-Nassr, duke shtuar: “Praktikisht, asgjë nuk ndryshon.”
Një kampion në çdo aspekt, që nuk lë asgjë në dorë të rastësisë – madje as thonjtë e këmbëve.