Art Abazi është nga ata që u përgjigjen gazetarëve menjëherë. Hap krahun e makinës, u përgjigjet pyetjeve, na nis dhe një video “cool”. Në intervistën për revistën ‘Who’ ai na tregon për albumin që i dedikohet gjyshes së ndjerë dhe për projektet me vëllain e tij Dren Abazi.
Një këngëtar dhe autor këngësh si Arti, kryesisht i stilit “pop” ka qëndruar shumë larg tregut komercial duke prodhuar vetëm muzikë të vërtetë.
Në rradhë të parë të urojmë suksese për albumin. Por një detaj i vogël nuk na shpëtoi. E gjithë kjo punë i dedikohet gjyshes tuaj të ndjerë. Sigurisht gjyshet janë shumë të dashura për të gjithë, por më trego pak sa e veçantë ishte marrëdhënia juaj?
Po, albumi i dedikohet gjyshes, jo për faktin se para pak kohësh u nda nga unë fizikisht, por për shkak të gjithë mbështetjes dhe motivit që më ka dhënë, që prej fëmijërisë…
Madje, po e ndaj me ju… Inçizimin e këngës së fundit, e cila do të publikohet këto ditë ma pagoi pikërisht gjyshja, pak kohë para se të ikte… Pastaj si raport mund të them lirshëm që ka qenë i jashtëzakonshëm, dashuri pa kushte.
View this post on Instagram
Sa kohë t’u desh për të realizuar albumin? Edhe si nisi gjithë kjo ide?
Albumin si koncept e kam filluar që para 5 viteve. Unë nuk funksionoj me idenë që këngë duhet publikuar çdo 2 javë siç po ndodh tani. Është një punë mjaft serioze (mendoj unë), e them pa modesti sepse kam punuar me artistë që tashmë janë të verifikuar si muzikantë dhe nuk bëjnë asnjë kompromis kur është në pikëpyetje muzika.
Në intervista je shfaqur shumë modest për sa i përket muzikës, por po shohim që avash avash po të kthehet në prioritet. Po punon për ndonjë projekt që do e lançosh së shpejti?
Mund të ma thoni ku po e shihni ju prioritetin? (qesh) Jo thjesht unë jetoj çdo ditë me muzikën… Në fakt dëshira ime ka qenë të isha më pak produktiv se sa kam qenë deri sot, por uroj shumë që kjo përmbyllje e këtij cikli 4-5 vjeçar sa jam marrë pak më shumë me muzikën, të më shërbejë si shtysë për të ardhmen.
View this post on Instagram
Po ndonjë bashkëpunim me Drenin? Se po na e kurseni ca si shumë?
Kërkesën e kam dërguar tek Dreni për një këngë të përbashkët. Dreni më ka thënë ‘po’ (nuk e di nëse ma tha nga keqardhja apo se realisht më vlerëson), por ‘topi’ është tek ai dhe unë jam në pritje për konkretizimin e atij projekti… Këngë më mirë të themi se më pengon termi projekt kur është në pyetje kënga. Me Drenin besoj se do jetë bashkëpunimi më i mirë që do të mund të më ndodhte.
View this post on Instagram
Intervistoi: Gaciana Dema