Në një moment kur marrëdhënia mes David Beckham dhe djalit të tij të madh Brooklyn është bërë publike dhe e tensionuar, një zë i papritur ka hyrë në mes, Snoop Dogg. Reperi amerikan, mik prej më shumë se dy dekadash me ish-futbollistin, ka zgjedhur të flasë hapur në mbështetje të tij.
“David është njeriu im, ne e njohim njëri-tjetrin për më shumë se 20 vjet”, është shprehur ai, duke shtuar se pavarësisht suksesit dhe famës, “nuk ka asgjë më të rëndësishme për të sesa familja e tij”.
Duke komentuar përplasjen baba-bir, Snoop ka theksuar një mesazh universal:
“Asnjë baba nuk është perfekt. Të gjithë bëjmë gabime, por gjithmonë duhet të ketë falje.” Ai ka sqaruar se nuk ka ndërhyrë drejtpërdrejt në konflikt, por e di se Beckham “mund të më kontaktojë kur të dëshirojë”, duke respektuar faktin që çështja po trajtohet privatisht nga familja. Në një reflektim më personal, reperi shtoi: “Ne duhet t’i lëmë fëmijët tanë të zgjedhin rrugën e tyre, por prindërimi ka të bëjë me të qenit i pranishëm dhe t’u bësh të ditur se je aty për ta, pavarësisht gjithçkaje.”
Deklarata vjen pas akuzave publike të Brooklyn ndaj prindërve të tij, David dhe Victoria Beckham, për sjellje manipuluese, si dhe pretendimeve për tensione familjare që lidhen me martesën e tij me Nicola Peltz. Në një kohë kur drama familjare po komentohet globalisht, ndërhyrja e Snoop Dogg i jep historisë një dimension tjetër: përtej titujve dhe polemikave, mbetet mesazhi i thjeshtë se edhe ikonat e botës së sportit e showbiz-it përballen me sfidat e zakonshme të prindërimit.







