Në një moment kur muzika ballkanike po jeton një ringjallje të fuqishme, një tjetër debat ka shpërthyer mes Tiranës, Prishtinës dhe Sofjes. Në qendër të tij është një emër ikonë i skenës shqiptare, i ndjeri Shpat Kasapi, dhe një nga figurat më të njohura e më provokuese të pop-it bullgar, Azis. Shkëndija? Një refren.
Publikimi i këngës së re “Havte” nga Azis në bashkëpunim me Tsvetelina Yaneva ka nxitur reagime të forta në rrjetet sociale shqiptare, ku shumë dëgjues kanë vënë re një ngjashmëri të theksuar mes linjës melodike të refrenit dhe hitit të padiskutueshëm “Valle Kosovare”, këngë që identifikohet fort me emrin e Shpat Kasapit dhe që prej vitesh është kthyer në simbol festash, dasmash dhe nostalgjie kolektive.
Ngjashmëria nuk është një aludim i zbehtë. Për shumë fansa, ajo është “pothuajse identike”. Dhe pikërisht këtu nis pyetja që po qarkullon me shpejtësi në rrjet: frymëzim ballkanik apo huazim i drejtpërdrejtë?
Ironikisht, kjo situatë vjen në një kohë kur “Valle Kosovare” po përjeton një rikthim të fuqishëm ndërkombëtar falë TikTok-ut, duke u përdorur në miliona video dhe duke rikthyer në qarkullim një nga hitet më të dashura të repertorit shqiptar.
Në të dhënat zyrtare të “Havte” nuk përmendet asnjë referencë ndaj autorëve të “Valle Kosovare”, çka e ka bërë debatin edhe më të nxehtë. Në industrinë muzikore, kufiri mes frymëzimit dhe kopjimit është një vijë e hollë, shpesh subjekt interpretimi, por gjithmonë e ndjeshme kur bëhet fjalë për hite që mbajnë identitet kulturor.








