Një kapitull i ri dhe plot emocion po hapet në jetën e këngëtarit Ardian Bujupi dhe bashkëshortes së tij Fjolla Fetinci. Çifti, i cili pak kohë më parë ndau me publikun lajmin se po bëhen prindër për herë të parë, ka zbuluar tashmë edhe një tjetër detaj të shumëpritur: gjininë e bebit që po vjen në jetë. Në një fotografi të publikuar në rrjetet sociale, Fjolla shfaqet pranë Ardianit me barkun e rrumbullakosur, ndërsa lajmi konfirmohet me një fjali të thjeshtë, por plot emocion: “Është djalë”.
Në postimin që shoqëron momentin e veçantë, Bujupi shkroi: “Nga dashuria jonë po lind një jetë e re. Mirë se vjen, engjëlli ynë”. Një deklaratë që u prit me entuziazëm të madh nga fansat dhe miqtë e çiftit, të cilët mbushën menjëherë komentet me urime dhe mesazhe të ngrohta për prindërit e ardhshëm. Fotografia intime e çiftit, ku këngëtari vendos dorën mbi barkun e bashkëshortes, u shpërnda me shpejtësi në rrjet dhe u kthye në një nga momentet më të komentuar të ditës në showbizin shqiptar.
Historia e tyre e dashurisë ka qenë relativisht diskrete për publikun. Ardiani, i njohur për faktin se prej vitesh ka ruajtur me shumë kujdes jetën private, u martua në fshehtësi me Fjollën dhe vetëm në vjeshtën e vitit 2024 vendosi ta prezantojë publikisht lidhjen e tyre. Që nga ai moment, çdo detaj nga jeta e çiftit ka tërhequr vëmendjen e fansave, të cilët kanë ndjekur me interes çdo zhvillim të ri.
Në fillim të këtij viti, dyshja konfirmoi për herë të parë se po presin një fëmijë, duke shkruar në rrjetet sociale: “Mirë se vjen engjëlli ynë”. Tani që misteri i gjinisë është zbuluar dhe çifti pret një djalë, fansave nuk u mbetet veçse të presin momentin kur familja e tyre do të zgjerohet zyrtarisht, një moment që, pa dyshim, do të jetë një nga më të lumturit në jetën e tyre.









