Riti tradicional i përgatitjes së ballakumes, ëmbëlsirës karakteristike të trevës së Elbasanit, është shpallur pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale. Ky vlerësim thekson rëndësinë e saj si një simbol i veçantë i identitetit dhe traditës kulinare shqiptare, i lidhur ngushtë me festën e Ditës së Verës.
Familjet elbasanase e kanë ruajtur me kujdes të madh recetën origjinale dhe mjetet tradicionale të gatimit ndër shekuj, duke e përcjellë këtë trashëgimi brez pas brezi. “E kemi mbajtur ashtu siç na e kanë lënë të parët, duke përdorur enë tradicionale si kusia, luga e drurit dhe sofra. Kusia ime është 250 vjeçare dhe e ruaj me përkushtim si një trashëgimi nga stërgjyshja,” tregon Kreshnik Kaliqi, mjeshtër i ballakumes prej rreth 40 vitesh.
Vendimi i Ministrisë së Kulturës konsiderohet si një vlerësim për brezat e mëparshëm, të cilët e kanë ruajtur këtë traditë për më shumë se 400 vjet. “Është një nder për të parët tanë që e kanë mbajtur gjallë këtë recetë me dashuri dhe përkushtim, dhe ne do ta vazhdojmë për fëmijët tanë,” shton ai.
Ballokumja e Elbasanit mbetet një nga ëmbëlsirat e rralla që përgatitet sipas një recete të pandryshuar prej mbi 540 vjetësh, me përbërës të thjeshtë si miell misri, gjalpë dhe vezë fshati. Për banorët e zonës, Dita e Verës nuk ka kuptim pa këtë ëmbëlsirë tradicionale, e cila vazhdon të përfaqësojë identitetin kulturor dhe kulinarinë autentike të Elbasanit.








