Europa ka qenë e mbuluar nga reshjet e shumta, që kanë prekur Gadishullin Iberik duke shkaktuar qindra viktima në Valencia.
Por sipas meteorologëve, parashikohet që stuhitë e Atlantikut të arrijnë dhe në Shqipëri në mesin e nëntorit.
Meteorologia Tanja Porja ka bërë të ditur se reshjet e dendura që do të godasin Shqipërinë dhe rajonin mund të rrezikojnë përmbytje të të njëjtit nivel.
“Nga data 12, 13, 14 nëntor reshjet do të fuqizohen drejt lindjes duke përfshirë Italinë e jugut dhe territorin shqiptar që nga data 11 nëntor e në vijim reshjet me intensitet të lartë do të përfshijnë një pjesë të Ballkanit, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën, Maqedoninë e Veriut. Reshjet priten të jenë 50-70 mm në një interval kohor 3 orësh. E gjithë kjo rrit riskun për përmbytje”, tha Porja.
Në Shqipëri, qytetet më të rrezikuara dhe gjithmonë nën kërcënimin e përmbytjeve janë Vlora dhe Durrësi.