Këngëtari i njohur Erik Lloshi ka befasuar publikun me rrëfimin e tij në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku ndau histori të padëgjuara më parë nga jeta private dhe profesionale.
I pyetur se pse nuk e kemi parë ende në “Big Brother VIP”, këngëtari zbuloi se një arsye vendimtare ka qenë reagimi i bashkëshortes së tij.
“Po të tregoj për vjet, një histori që është e bukur, por mund të ishte dhe fatale për mua. Në momentin që mora vendimin për t’u futur në ‘Big Brother’, ose më saktë për të shkuar të nënshkruaja kontratën me stafin, më doli gruaja përpara dhe më tha: ‘Nëse ti futesh në ‘Big Brother’, bëj gati divorcin.’ Është e vërtetë kjo. Tha: ‘Bëj gati divorcin, se mua nuk më pëlqejnë këto gjëra, nuk i kam qejf.’ Dhe në fund unë zgjodha familjen, patjetër”, tha Lloshi.
Artisti tregoi se ishte gati të firmoste për pjesëmarrjen, por gruaja e tij, Romina, e bëri të ndryshonte mendim. “Mendova se po bënte shaka, por e kishte me të vërtetë shumë seriozisht. Nuk e di se me çfarë mendje është këtë vit, por…” – u shpreh ai me humor.
Duke folur për partneren, Lloshi theksoi se Romina preferon të qëndrojë larg botës së showbiz-it: “Ka disa njerëz që i përballojnë gjërat e partnerit, ka dhe që nuk i përballojnë. Romina është një lloj personi që ka zgjedhur të bëjë një jetë komplet tjetër, do një jetë larg mediave, edhe pse është një nga personat më të artikuluar që unë kam njohur ndonjëherë.”
Ai shtoi se edhe pse ajo mund të kishte shkëlqyer në media, ka vendosur të mbetet e rezervuar: “Në një intervistë që kemi qenë me dikë, i ka thënë që nëse do bënte ndonjë emision në radio, do bënte goxha emër. Ka qenë vetëm dy herë pjesë e intervistave të mia dhe është betuar që nuk vjen më kurrë, sepse nuk i pëlqen vëmendja fare.”








