Sot, në një ceremoni solemne të mbajtur në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, u dorëzua trofeu prestigjioz “Këpuca e Artë 2025”, i cili këtë vit shkoi për sulmuesin e Vllaznisë, Bekim Balaj.
Balaj u shpall golashënuesi më i mirë i sezonit futbollistik 2024–2025, falë 19 golave të realizuar me fanellën kuqeblu, duke kryesuar listën e shënuesve në kampionat. Ndryshe nga çmimet që kërkojnë votim, “Këpuca e Artë” jepet mbi bazën e statistikave, çka e bën këtë sukses edhe më domethënës.
Trofeu iu dorëzua sulmuesit shkodran nga legjenda e futbollit argjentinas Esteban Cambiasso, mes duartrokitjeve të të pranishmëve.
Por mbrëmja nuk u mbyll vetëm me suksesin sportiv. Gjatë fjalës së tij, Bekim Balaj ndau edhe një lajm shumë personal, duke emocionuar publikun:
“Do të bëhem baba i një djali,” u shpreh ai, duke e kthyer këtë moment në një nga më të veçantët e jetës së tij, brenda dhe jashtë fushës së blertë.
Një sezon i shkëlqyer për Balajn, i kurorëzuar jo vetëm me çmimin individual më të rëndësishëm për një sulmues, por edhe me një gëzim të madh familjar që e pret së shpejti.








