Bella Hadid ka rrëmbyer gjithë vëmendjen në nisjen e edicionit të 78-të të Festivalit të Filmit në Kanë, falë një transformimi të papritur. Supermodelja 28-vjeçare u shfaq në Hotel Martinez me flokë biondë, duke hequr dorë nga ngjyra e saj karakteristike, ajo e zezë, dhe duke konfirmuar statusin si një ikonë mode e padiskutueshme.
Ndonëse këtë vit organizatorët kanë vendosur rregulla më të rrepta për veshjet në tapetin e kuq, Hadid nuk hezitoi të theksonte siluetën e saj. Ajo kishte zgjedhur një korsé të bardhë të hapur dhe xhinse të ngushta, duke e përmbyllur look-un me taka nude dhe syze dielli të rrumbullakëta — një kombinim që sfidonte kufijtë e klasikes dhe së guximshmes.
Modelja ka komentuar më herët për zgjedhjet e saj sa i përket stilit të flokëve, duke thënë: “Unë kam një personalitet më të errët. Por të jesh bionde është si të jesh engjëll. Gigi ia del gjithmonë,” – ka thënë ajo, duke iu referuar motrës së saj më të madhe, Gigi Hadid.
Kjo paraqitje e re duket se është më shumë se thjesht një ndryshim estetik — është një deklaratë vetëbesimi dhe një mënyrë për të shkëputur veten nga krahasimet që i janë bërë shpesh me Gigin.