Bella Hadid është rikthyer në pasarelë, por momenti që duhej të ishte triumfues për të është shndërruar në arsye shqetësimi për fansat. Një video që po qarkullon me shpejtësi në TikTok e tregon modelen 29-vjeçare teksa përpiqet të ruajë ekuilibrin gjatë ecjes në “Victoria’s Secret Fashion Show 2025”, ndërsa mban në shpinë një palë krahë që peshonin plot 50 paund.
“Dallohet nga fytyra e saj. Dukej pak e ngurtë aty,” – dëgjohet të thotë autori i videos. “Dhe shiko si po përpiqet të luajë me shpatullat që të mbajë ato krahë të mallkuar në vend. Megjithatë, po e përballon si një profesioniste.”
Edhe pse përpiqet të duket e qetë, ai theksoi se Bella “gati sa nuk u rrëzua” në fund të ecjes.
“Shiko, mezi po e mban ritmin. E kanë rënduar plotësisht. Ja, këtu po e sheh që po lufton me to,” – shtoi ai.
Modelja ishte veshur me një kombinim engjëllor në të bardhë e argjend, me një korse të ngushtë dhe fund të palosur – një pamje që duhej të simbolizonte kthimin e saj në shkëlqim, por përfundoi duke ndezur debate për shëndetin e saj.
Në rrjete sociale, ndjekësit u mbushën me komente shqetësimi për gjendjen e saj pas hospitalizimit të fundit.
“O Zot, mendova se ishte vetëm përshtypja ime — dukej sikur ishte në dhimbje,” – shkroi një fans.
“Ajo ishte në spital para pak javësh, pse e shtynë kaq shumë?” – komentoi një tjetër.
“Ata krahë janë tmerrësisht të rëndë dhe ajo është shumë e lehtë. Për më tepër, është ende e sëmurë… por gjithsesi e bëri të vetën,” – shtoi një tjetër përdorues.
Në Reddit, komentet ishin të ngjashme:
“Dukej sikur ose do të binte në tokë, ose krahët ishin tepër të rëndë,” – shkroi dikush.
“Dukej shumë e parehatshme… duhej të mbante krahët me duar për t’i përkrahur më mirë,” – shtoi një tjetër.
Një përdorues kujtoi:
“Ajo vetë tha në Instagram që krahët peshonin 50 paund!”
Kritikat ndaj organizatorëve nuk munguan, pasi shumë besojnë se modeli që sapo ishte rikuperuar nga një sëmundje nuk duhej të ngarkohej me një rekuizitë kaq të rëndë.
Kthimi i Bella-s në pasarelë erdhi vetëm pak javë pas trajtimit të saj në Gjermani për sëmundjen kronike neurologjike Lyme, në spitalin “St. George” pranë Mynihut. Vetë ajo ndau më herët foto nga spitali, ku shihej e lidhur me tuba oksigjeni, duke u kërkuar ndjesë ndjekësve për mungesën në rrjetet sociale.
Një burim për “Daily Mail” tha:
“Bella është funksionale sa mundet, por gjithmonë ka vend për përmirësim. Kur gjërat bëhen keq, ajo tërhiqet. Duket sikur bateria e saj rimbushet vetëm kur është vetëm.”
Hadid ka folur hapur për betejën e saj me Lyme, sëmundje që sjell dhimbje koke, lodhje, ndjeshmëri ndaj dritës e zhurmës dhe mpirje. Ajo ka rrëfyer gjithashtu për luftën me ankthin dhe depresionin, duke shkruar së fundmi:
“Pesha e ankthit dhe depresionit mund të jetë përthithëse, paralizuese dhe e padukshme për botën përreth. Me kalimin e viteve kam kuptuar se kjo nuk është dobësi — është pjesë e imja. Ndjeshmëria, ndërgjegjja, empatia… në shumë mënyra, janë superfuqitë e mia.”
Sipas burimeve, modelja ka një rrjet të fortë mbështetjeje — familjen Hadid dhe partnerin e saj, Adan Banuelos, një kalorës meksikano-amerikan me të cilin ka qenë në lidhje që nga fundi i vitit 2023.
Në një intervistë për Allure, Bella kishte pranuar:
“Pas 10 vitesh në modeling, kuptova që po jepja gjithë energjinë, dashurinë dhe përkushtimin tim në diçka që, në fund, nuk m’i kthente prapa. Nëse nuk ndihem mirë, marr kohë për veten time… për herë të parë, nuk po vendos një fytyrë të rreme.”
Dhe siç shtoi me sinqeritet:
“Tani, kur dikush më sheh në foto dhe thotë se dukem e lumtur, vërtet jam. Ditët e mia të këqija tani janë ato që dikur ishin ditët e mia të mira.”









