Weekend-i i Çmimit të Madh të Las Vegasit u kthye në një skenë ku shkëlqyen jo vetëm makinat, por edhe yjet e showbiz-it — dhe në qendër të gjithçkaje ishte Beyonce. Prania e saj e ndezi atmosferën para garës, ndërsa të gjithë sytë mbetën te diva 44-vjeçare, e cila u shfaq me një kostum sportiv lëkure, duke tërhequr vëmendjen e publikut dhe mediave.
E shoqëruar nga Jay-Z, ajo u prit me përzemërsi nga Lewis Hamilton, shtatë herë kampion bote. Pas një përshëndetjeje të shkurtër, Hamilton vendosi t’i dhuronte këngëtares një moment të paharrueshëm: një xhiro në pistë me shpejtësi marramendëse, që arriti deri në 300 km/h. Pamjet u bënë virale menjëherë, duke ndezur komentet online.
Ndërkohë, pistën e Las Vegasit e pushtuan edhe shumë të tjera personazhe të njohur. WAGs-at më të komentuar të paddock-ut u shfaqën me stil, përfshirë Alexandra Saint Mleux, e cila shoqëroi Charles Leclerc pas shpalljes së fejesës së tyre, si dhe Rebecca Donaldson, që u pa krah Carlos Sainz në zonën e bokseve. Modelja Brooks Nader shkëlqeu me një look sportiv me motive garash.
Në event u panë edhe figura të rëndësishme politike amerikane, mes tyre Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem dhe drejtori i FBI-së Kash Patel, të cilët madje pozonin për foto pranë një Cadillac-u rozë të ndërtuar tërësisht me Lego.
Las Vegasi mbeti sërish skena ku sporti, muzika dhe spektakli krijuan një kombinim të pandalshëm — por këtë herë, qendra e gravitetit ishte vetëm një: Beyonce, e cila në disa minuta arriti të ’fshijë’ çdo trend rrezikshëm të Hollywood-it dhe të bëhej protagoniste absolute e fundjavës.








