Pas rikthimit të shumëpritur të sfilatës së “Victoria’s Secret” pas gjashtë vjetësh mungesë, një nga momentet më të përfolura të ngjarjes nuk erdhi nga pasarela, por nga një letër e hapur e modeles italiane Bianca Balti.
Balti, e cila ka mposhtur kancerin e vezoreve, zbuloi në një postim emocional në kanalin e saj Substack se kërkesa e saj për të marrë pjesë në sfilatë, në shenjë mbështetjeje për gratë që po përballen me kancerin, ishte refuzuar nga marka.
Modelja 40-vjeçare tregoi se pas diagnozës në vitin 2024, ajo kishte kaluar një periudhë të vështirë trajtimesh, përfshirë mastektomi parandaluese dhe kimioterapi, duke ndarë publikisht çdo hap të kësaj rruge me ndjekësit e saj. Për shumë gra në mbarë botën, ajo është kthyer në një simbol të forcës dhe shpresës.
“Nuk e di nga më erdhi guximi për t’ua propozuar këtë Victoria’s Secret-it, por e bëra. Çfarë kisha për të humbur?” shkruan Bianca në letrën e saj. Qëllimi i saj ishte të përfaqësonte fuqinë e grave që kanë luftuar me sëmundjen dhe të tregonte se bukuria nuk humbet me plagët.
Në mesazhin e saj drejtuar markës, Balti theksoi:
“Përfshirja do të thotë ta bësh publikun të ndihet i pari. Një në tre gra do të përballet me kancer gjatë jetës. Unë jam njëra prej tyre. Që kur mora diagnozën, jam bërë zëri i qindra grave që më shkruajnë çdo ditë, duke më thënë se fakti që më shohin pa parukë, me plagët e mia, u jep atyre shpresë.”
Ajo kujtoi gjithashtu se sfilata e re e Victoria’s Secret mbahej në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit — një koincidencë që për të kishte një domethënie të thellë:
“Më 14 tetor mbush një vit nga seanca ime e parë e kimioterapisë. Më 15 tetor, ju riktheheni në pasarelë. Jeta nuk krijon momente të tilla rastësisht.”
Balti shpjegoi se dëshira e saj për të qenë në pasarelë nuk ishte për vetëlavdërim, por për të dërguar një mesazh:
“Nuk jam më vajza e re që isha dikur, por jam e fortë, e guximshme dhe ende e gjallë. Dua t’u tregoj grave në mbarë botën se jeta vazhdon, se plagët nuk të bëjnë më pak grua, përkundrazi, të bëjnë më të plotë.”
Ajo kujtoi me emocion sfilatën e saj të parë për Victoria’s Secret në vitin 2005, krahas ikonave si Gisele Bündchen, Adriana Lima dhe Alessandra Ambrosio, duke reflektuar mbi ndryshimin e standardeve të bukurisë ndër vite.
Sot, industria po përpiqet të jetë më gjithëpërfshirëse, dhe megjithëse Victoria’s Secret e refuzoi me mirësjellje me përgjigjen “Këtë vit nuk është e mundur”, Bianca nuk e mori si dështim:
“E provova dhe nuk ndodhi. Por nuk pendohem. Kanceri më mësoi se jeta është shumë e shkurtër për të mos tentuar. Përpjekja nuk të dëmton kurrë.”
Në fund të letrës, ajo la një mesazh që u bë viral:
“Gratë që blejnë produktet tuaja janë të njëjtat që përballen me diagnozën e kancerit. Ne jemi publiku juaj, klientet tuaja, motrat, nënat dhe vajzat tuaja. Dhe do të ishte një nder i madh të përfaqësonim veten si gra të forta, të bukura dhe të gjalla.”








