10 vjet më parë, kur u nis për në Amerikë dhe tha që do bënte një karrierë ndërkombëtare, të gjithë e panë me habi. Ndoshta edhe me mosbesim. Para saj kishte pasur edhe te tjerë që ishin nisur me të njëjtin vetëbesim përtej oqeanit. Por pakkush – për fat të keq – ia kishte dalë. Megjithatë Bleona Qereti nuk ua vari aq shumë skeptikëve. Pasi dha disa intervista siç vetëm ajo di të japë, kapërceu kontinentin e fluturoi mbi oqean për të qenë gjithmonë lajm, sfidë e përmbushur e ndonjëherë edhe çudi. Tani, një dekadë më pas kemi dëgjuar lajmin e fundit prej saj: Bleona Qereti është renditur e para në “Billboard Dance Music”.
E pra ky është vetëm lajmi i fundit që vjen nga Bleona. “Billboard Dance Music” nuk është një arenë e lehtë artistësh, aq më tepër kur ata vijnë nga një vend i vogël. Por Bleona ka kohë që e ka vërtetuar se ajo është një artiste pa korniza shtetesh. E mbi të gjitha është nga ato vajza që jo vetëm i ka përmbushur ëndrrat se saj, por edhe ato sfidat që për shumëkënd do ishin të pamundura.
Sepse askush nuk e mendonte në 1992, kur nisi gjithçka, se Bleona do të arrinte suksese për 20 vite me radhë. Rrugën nuk e ka pasur të shtruar me flori, megjithatë emri i saj tashmë shkruhet me gërma të arta. Ajo ka lindur me yllin në ballë, por pa punë të fortë nuk do të ishte këtu ku është sot. Arritjet e vit pas viti janë fakte që dëshmojnë se Bleona i ka pasur qëllimet shumë të qarta që në fillim dhe për këtë arsye edhe pse kanë kaluar 20 vite publiku vazhdon ta ndjekë njësoj si në ditën e parë.
Debutimin e saj të parë, Bleona e ka pasur në vitin 1992 në “Festivalin Ballkanik të Fëmijëve” në Prevezë të Greqisë. 20 vite më pas në 2012 nisi punën për të ndërtuar një karrierë të suksesshme në “Hollywood” me producentin me famë botërore, Timbaland. Gjithashtu në po të njëjtin vit ajo organizoi turin e dytw në trojet shqiptare për promovimin e hitit ‘Pass Out’. Turne qw nuk wshtw organizuar nga asnjw artist tjetër shqiptar, ku pati një pjesëmarrje masive në sheshet më të mëdha në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Paralelisht në vitin 2012 Bleona pati debutimin e saj të parë përkrah aktorit Stiven Seagal në filmin “True Justice”, në rolin e Lunës.
Nwse do tw heqim tw njwjtwn paralele nw dy dekadat, do tw kujtojmw se për publikun shqiptar u bë e njohur në vitin 1993, kur pati debutimin e parë në teatrin “Skampa” në Elbasan. Ajo ishte këngëtarja kryesore në spektakël. Pas 20 vitesh Bleona u bë e njohur për herë të parë për publikun ndërkombëtar si këngëtare. “Take it like a man” u mirëprit nga të gjithë, madje u rendit në vendin e 7 në listën e këngëve “Club Dance” në Mbretërinë e Bashkuar për vitin 2013.
Në 1994 u shfaq për herë të parë në një festival kombëtar me këngën “A t’i besoj”. Falë punës dhe energjisë së saj të pandalshme, 20 vite më vonë ajo u bë pjesë e një “reality show ” në Amerikë, “Euros of Hollywood”.
1995 ishte me të vërtetë viti i saj i suksesit për fillimet e karrierës. Emri i Bleonës përflitej kudo, duke qenë se tashmë pjesëmarrjet e saj në festivale ishin bërë më të shpeshta. Ajo mori pjesë për herë të parë në “Festivalin e Pranverës” me këngën “Si të panjohur” dhe priste me padurim vendimin e jurisë. Pas 20 vitesh situata ndryshoi, sepse në 2015 ishte Bleona në vendin e jurisë, që duhej të merrte vendimin për fatin e konkurrentëve në “X Factor Albania”.
Në dhjetor 1995 ajo u shfaq për herë të dytë në festivalin e fundvitit me këngën “Lermëni” dhe falë performancës së saj ekstravagante në rrethet e muzikës dhe publikun e gjerë, një ditë më pas përmendej vetëm emri Bleona. 20 vite më pas, në 2015 ajo publikoi këngën “Take you over”, që e bëri të njohur në një masë të madhe nga publiku amerikan dhe rrethet e muzikës amerikane filluan ta marrin seriozisht emrin Bleona. “Take you over” arriti të renditej edhe në vendin e 3-të në “Billboard Dance Charts”.
Njësoj si yjet ndërkombëtarë, në vitin 1996 Bleona nisi turin e parë në “Koncertin e Pranverës”. Gjatë turit të gjithë flisnin për Bleonën dhe çdo gazetë shkruante për këtë sukses të këngëtares. Në të njëjtin vit ajo udhëtoi drejt Zvicrës, Gjermanisë dhe Italisë, për t’u prezantuar për herë të parë për shqiptarët e diasporës. Kaluan 20 vite dhe suksesi i Bleonës sa vinte dhe shtohej, fansat e saj krijuan grupin më të zjarrtë “Bleonaires”. Në 2016 ajo u bë pjesë e jurisë së “Your Face Sounds Familiar” në Shqipëri dhe çdo javë tërhiqte vëmendjen e të gjitha mediave. Bleona nuk mund të linte pas edhe karrierën e saj ndërkombëtare, prandaj në të njëjtin vit luajti përkrah aktorit të njohur, Dolph Lundgreen, në filmin “Dead Trigger”.
Në 1997, Bleona u shfaq për herë të parë me një videoklip me këngën “Era”, për krijimin e mëtejshëm të reputacionit të saj në muzikë. Ndërsa në 2017, tashmë si një yll ndërkombëtar, një video e saj u bë virale, falë bashkëpunimit me një nga drejtorët e filmit më të famshëm në “Hollywood”, Chris Applebaum.
Në vitin 1998, Bleona arriti një tjetër qëllim të sajin. Ajo publikoi albumin e saj të parë, “Kam qejfin tim” dhe prezantoi 3 video të tij. 20 vite më vonë, ajo vazhdon punën për karrierën e saj ndërkombëtare. Në 2018 Bleona prezantoi sërish 3 këngë, por këtë herë për albumin e saj EP (gjysmë album) në anglisht. Bëhet fjalë për këngët “I don’t need your love”, “Monster” dhe një cover në Italisht të hitit të njohur “Su Di Noi”. Dy këngët e para rezultuan mjaft të suksesshme, sepse “I don’t need your love” mban aktualisht vendin e #1 në “Bilboard Dance Charts”. Ndërsa “Monster” është një film me metrazh të shkurtër dhe pjesë e serialit televiziv “Paper Empire”, në të cilin Bleona ka një rol kryesor përkrah aktorëve të famshëm të “Hollywood-it” si: Wesley Snipes, Robert Davi, Sharon Stone dhe Denise Richards.
Duke qenë se emri i Bleonës u bë i njohur në gjithë Shqipërinë, tashmë ajo ftohej për të qenë pjesë e festivaleve jo vetëm si këngëtare, por edhe prezantuese. Në 1999 ajo provoi për herë të parë të prezantonte në “Festivalin e Pranverës” dhe njëkohësisht këndoi dhe hitin e saj “Nëse më do fort”.
Sigurisht që ndërmjet këtyre 20 viteve Bleona ka shënuar edhe suksese të tjera në karrierën e saj artistike. Në vitin 2000 ajo publikoi këngën e saj “Dua çfarë dua”, e cila ishte pjesë edhe e albumit të saj të dytë, “Nëse më do fort”. Ndërsa pas 10 vitesh ajo publikoi këngën e parë në bashkëpunim me Timbaland, “Show off”. Në 2001 ajo xhiroi videon e saj të parë në Romë, “S’më bëhet vonë”, që ishte pjesë e videokasetës së saj të parë dhe albumit të tretë me të njëjtin titull. Çdo video e këtij albumi u xhirua jashtë Shqipërisë, kryesisht në Itali dhe Gjermani. Pas 10 vitesh, Bleona publikoi këngën e saj të dytë “Without you”. Në vitin 2002, Bleona do të mbushte të gjitha sheshet kryesore të Shqipërisë, duke mbajtur turneun e saj të parë për promovimin e albumit të katërt, “Ik mëso si dashurohet”. 10 vite më vonë, në 2012, këngëtarja organizoi një tjetër turne për të prezantuar këngën e saj të dytë me Timbaland, “Pass out”, në të gjitha trojet shqiptare. Asnjëherë nuk ishte parë një pjesëmarrje aq masive në një turne, me pjesëmarrjen e 50-70 mijë vetave nëpër sheshe. Pasi promovoi albumin e saj të katërt në 2002, një vit më vonë Bleona publikoi albumin e pestë, “Ti nuk di as me ma lyp”, i cili shënoi shitje rekord, rreth 300 mijë kopje. Ndërkohë 10 vite më vonë, duke qenë se emri i saj u bë shumë i njohur në Amerikë edhe për mbrojtjen e të drejtave të njerëzve, Bleona u ftua për t’u bërë pjesë e koncertit “White Party” të komunitetit gay, dhe ishte Grand Marshall (femra më e bukur që ata kanë si shembull) në “Las Vegas Pride”. Në vitin 2004 ajo arriti të bënte realitet ëndrrën më të madhe të një artisti, organizimin e një koncerti dhe turi përtej oqeanit. Bleona mbajti koncertin e parë në “club-in” “Webster Hall” në New York City, ndërsa turi i parë amerikan u mbajt në Detroit, Chicago dhe Miami. Pas 10 vitesh ne 2014 ajo pati dhe debutimin e parë për radiot amerikane, “Sirus XM” dhe “I heart radio”. Gjithashtu Bleona u ftua për të dytin vit radhazi në “White Party”, ku përpara saj vetëm Lady Gaga, ka qenë këngëtarja tjetër që u ftua për dy vite në koncertin e komunitetit gay. Bleona publikoi albumin e saj të gjashtë në vitin 2005, për herë të parë në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Ndërsa në vitin 2006 sukseset e saj u vlerësuan me një çmim shumë të rëndësishëm, “Çmimi i karrierës”, në “Netët e klipit shqiptar”. Në vitin 2008 Bleona publikoi edhe albumin e saj të tetë “Mandarinë” dhe organizoi një koncert madhështor në Gjakovë me pjesëmarrjen e 30 mijë vetave.
Të shënosh kaq shumë arritje nuk është punë aspak e lehtë dhe këtë e pranon dhe vetë Bleona. Ajo thotë se nuk është me fat, por thjesht ka punuar shumë për të arritur këtë ditë. Suksesin e saj ajo e cilëson si një gradaçelë, sa më e lartë dhe e shndritshme aq më të thella janë themelet e saj. Të ndërtosh gradaçelën duhet shumë mund, megjithatë gjithmonë ja vlen, sepse e sheh botën në një tjetër nivel! / revistawho.com