Çfarë do të thotë vërtet të jesh një grua shumëdimensionale në shekullin XXI?
Ndoshta përgjigjja gjendet te Bleona, gruaja që nuk kërkon leje, që nuk i trembet brishtësisë dhe që ecën me elegancën e dikujt që ka mësuar të mbështetet te vetja. Këtë dhjetor, artistja shqiptare është protagoniste e kopertinës së “Vogue Belleza”, në një edicion që feston autenticitetin, këmbënguljen dhe bukurinë si një deklaratë lirie.
Historia e Bleonës nis që në moshën 5-vjeçare, kur u ngjit për herë të parë në skenë pa e kuptuar plotësisht se çfarë do të thoshte “të performoje”. Ajo dinte vetëm një gjë: muzika e bënte të ndihej gjallë.

Dekada më vonë, i njëjti impuls vazhdon të jetë burimi i saj kryesor i frymëzimit.
“Ajo vajzë ende jeton brenda meje kureshtare, intensive, me bindjen se gjithçka është e mundur nëse guxon ta provosh.”
Jeta e saj ka qenë një manifestim i vërtetë i pavarësisë. Teksa bota ende mësonte si ta shqiptonte emrin e saj, Bleona ishte gjithmonë në majë në Shqipëri. Kënga e saj e parë, Let Me Be Free, shkaktoi bujë, liria, në një kontekst ku kjo fjalë ende shqiptohej me vështirësi.
“I theva normat kulturore pa u menduar shumë,” kujton ajo. “Thjesht doja të shprehesha.”
Kjo nevojë për shprehje u shndërrua në misionin e saj: të thyejë barriera, të provokojë dhe të ecë përpara. Sot, ta shohësh në kopertinën e “Vogue Belleza” është më shumë sesa një vlerësim, është përmbushja e një ëndrre që dikur dukej e paarritshme.
“Kur isha në turne në Evropë, blija çdo numër të ‘Vogue’ që gjeja,” rrëfen ajo. “Të mendosh se sot jam aty është një kujtesë se ëndrrat bëhen realitet.”
Kjo kopertinë dëshmon se asgjë nuk është e pamundur kur beson te vetja. Nuk pret që të tjerët t’i realizojnë ëndrrat e tua, ti e krijon fatin tënd, një vendim pas tjetrit.
Bleona ka ndërtuar një karrierë pa zinxhirë dhe pa shtëpi diskografike që t’i diktojnë rrugën.

“Jam një artiste që ndërtohet dhe rindërtohet,” thotë me krenari Bleona.
Në një sistem si Hollywood, ku nepotizmi ende përcakton rregullat, ajo zgjodhi të jetë jashtë sistemit dhe të krijojë rregullin e saj. Ajo vetë dërgon emaile, prodhon këngë dhe video, editon, mikson dhe, nëse diçka dështon, është ajo që korrigjon ose mban gjithë përgjegjësinë.
“Nuk ka plan B. Nëse dua perfeksion, duhet ta garantoj vetë. Siç themi ne në Shqipëri: bëje mirë, bëje vetë.”
Kjo etikë pune kombinohet me një ndjenjë të fortë integriteti.
“Ia kam dëshmuar publikut se suksesi nuk ka nevojë për leje, por integriteti ka rëndësi. Për mua, suksesi pa integritet nuk është sukses.”
Edhe pse karriera e saj e ka çuar në skena unike, rrënjët mbeten gjithmonë të pranishme.

“Jetoj në avion, por Shqipëria është në zemrën time. Në ‘Hollywood’ kam punuar dyfish për të arritur gjysmën e asaj që artistët amerikanë e kanë gati nga skuadrat e tyre.”
Megjithatë, në çdo tapet të kuq ku ka ecur, kolegët e kanë respektuar, sepse e dinin sa e vështirë ishte të “bëje zhurmë” pa një kompani muzikore apo një ekip PR pas vetes.
“Kur njerëzit në SHBA zbulojnë se jam shqiptare, më përmendin artistë që i admirojnë, por historia ime është ndryshe. Unë kam jetuar komunizmin. Jam e vetmja artiste shqiptare që ka pritur në radhë për bukë si gjithë populli në vitet ’90, dhe sot mund të them me krenari se kam lënë gjurmën time në Hollywood. Kjo ma ndryshon mënyrën si e shoh botën.”
Fuqia e saj nuk qëndron vetëm te zëri, por tek aftësia për të frymëzuar. Ajo i ka kthyer pengesat në motor dhe paragjykimet në shtysë. Sot, ndërsa feston 30 vite karrierë, Bleona ripohon rolin e saj si ambasadore kulturore.
“Kur thonë Shqipëri, mendojnë për Bleonën. Dhe kjo, për mua, është nderi më i madh.”
Pas lëkurës perfekte dhe energjisë së pashtershme fshihet një filozofi e thjeshtë, por revolucionare: gjumë, hidratim dhe jetë pa e tepruar.

“Skena është katarsisi im.”
Çdo të diel, për tre deri në katër orë, ajo i përkushtohet ritualit të saunës, banjove të ftohta dhe masazhit.
“Është rinisja ime fizike dhe mendore.”
Në botën e saj, kujdesi për veten nuk është luks, por mbijetesë.
“Mirëqenia është feja ime. Yoga, pilatesi dhe meditimi më rikthejnë në qendër.”
Kjo disiplinë e brendshme çon te vizioni i saj për atë që do të thotë të jesh një “divë” sot.
“Të jesh divë nuk do të thotë të jesh thjesht kërkuese; do të thotë të vendosësh standarde. Unë jap shumë dhe jam një libër i hapur. Kur më lëndojnë, e kuptojnë se mirësia ime nuk është dobësi. Nuk e zvogëloj kurrë veten për dikë që nuk mund të përballojë njëqind për qindin tim.”
Kënga e saj e re, “Famous”, luan me këtë koncept, një satirë për egon, por edhe një reflektim mbi çmimin e famës.
“Artistët nuk duhet ta marrin veten shumë seriozisht. Unë gjithmonë i kam mbajtur këmbët në tokë.”
Në vitin 2026, Bleona do të publikojë një ribotim të plotë të katalogut të saj shqiptar dhe një album të ri në anglisht.
“Nuk besoj te nostalgjia. Besoj tek evolucioni. Sinonimi im është inovacioni. Kapitulli i ardhshëm ka të bëjë me trashëgiminë: dua ta globalizoj muzikën shqiptare.”
Bleona përfaqëson forcën femërore në formën e saj më të pastër, një kujtesë se bukuria e vërtetë nuk është në pasqyrë, por në lirinë për të qenë pikërisht ai që je./Vogue
Fotografia: MAURICIO SANCHEZ
Styling: VENUS FABBRICATORE
Make up: Gus Bortolotti
Hair: Ernesto Vargas
Asistent fotografie: José Hernández
Asistent styling: Ana Lucia Marban
Drejtor kreativ: Claudia Valdez
Produksion: Ella Cepeda








