Nga Rudina Laka\ Të përgatisin dieta apo të krijojnë balanca të vlerave ushqyese që një person duhet të marrë për një vakt të caktuar, është puna e përditshme e çdo dietologu. Por si reflektohet e gjithë kjo tek regjimi ushqimor i familjes së tyre apo edhe tek ajo që ata personalisht konsumojnë? Si ushqehet një dietologe? A llogarit ajo çdo kalori që konsumon? A ha pica një dietologe? Cilat janë disa nga sekretet e regjimit të saj ushqimor?
Këto dhe shumë detaje të tjera dietologia Blerina Bombaj i ka treguar në një intervistë për “Revistawho.com”.
Si ushqehet një dietologe?
Një dietologe ushqehet mirë sepse duke qenë e ndërgjegjshme për efektet e ushqimit në organizëm, instiktivisht bën zgjedhje që janë të shëndetshme edhe pse tek-tuk mund të jetë e lirë edhe për ushqime që nuk konsiderohen të shëndetshme. Por zakonisht është e orientuar të zgjedhë ushqime që e ndihmojnë të jetojë mirë nga ana fiziologjike, mendore dhe shpirtërore sepse ushqimi është i lidhur ngushtë me këto tre aspekte.
Përbërja e tre vakteve të tua ditore?
Tre vaktet e mia ditore janë:
Mëngjesi, që e konsumoj gjithmonë edhe pse jam gjumashe dhe zgjohem në momentin e fundit. Por asnjëherë nuk dal nga shtëpia pa pickuar diçka. Kohët e fundit jam duke konsumuar një fetë bukë thekre me dy lugë gjalp susami. Në pak sasi të jep proteina dhe minerale dhe omega 3.
Dreka: Një sallatë dhe një pjatë kryesore që mund të jetë me peshk, mish pule, mishin e kuq e ha shumë rrallë. Brumra të shëndetshëm, makaronat integrale, orizi i zi, patatet e ëmbla, thierza, fasule dhe qiqra. Bukën e ha shumë, më pëlqen shumë, nuk e kam ndarë kurrë dhe deri më tani nuk i kam parë ndonjë të keqe bukës.
Darka: Një sallatë që e përgatis me perime të tokës tonë, me qepë të njoma dhe salcën e përgatis me vaj ulliri dhe pak hudhër. Më duket mënyra e vetme e mundshme për të marr hudhrën. Atë e quaj si antibiotikun natyral që nuk duhet të mungojë kurrë.
Ndjek një regjim strikt ushqimor apo thjesht vakte të balancuara?
Deri tani nuk kam patur nevojë të ndjek një regjim strikt sepse jam ndier mirë me peshën trupore. Por po, kam një regjim të caktuar ushqimor pasi konsumoj tre vakte në ditë, të cilat i konsumoj pak a shumë në të njëjtin orar dhe që kanë një strukturë të ngjashme.
Në çfarë rasti e prish regjimin tënd ushqimor? E tunduar nga një ëmbëlsirë apo nga brumra?
Nuk jam një person që kam neps dhe të mos rri dot pa e prishur regjimin tim.
Cili është ushqimi që të tundon dhe nuk i reziston dot asnjëherë, pavarësisht se mund të ketë shumë kalori?
Nuk është se kam ndonjë ushqim që më tundon shumë, por me faza mund të më tundojë një akullore apo ndonjë ‘brown’ me çokollatë apo një pasta me borzilok në momente të caktuara.
Çfarë bën pasi ke ngrënë një vakt jo të shëndetshëm, që mund ta bëjmë të gjithë për të mos u ndier fajtorë?
Nuk e përsëris pa diskutim atë gjë në vaktin tjetër. Përpiqem që këtë gjë ta bëj sa më rrallë dhe ta ekuilibroj në vaktin pasardhës me një ushqim që ndihmon në eleminimin e efekteve që ka një ushqimi i gatshëm apo i përpunuar.
Ushqimi apo produkti që nuk ke konsumuar kurrë sepse të shëndosh apo shkakton celulit?
Nuk do konsumoja kurrë dhjamin e mishit ose plëncin, nuk do i fusja në gojë.
Çfarë konsumon kur të merr uria edhe pse mund të kesh ngrënë vaktin e planifikuar?
Në qoftë se më merr uria mendja nuk më shkon për ëmbëlsira asnjëherë, më shkon për brumra. Një pasta do më kënaqte, një trahana do më pëlqente. Mund të më shkojë mendja edhe për sallatë, por ajo nuk e shuan urinë.
Orari i fundit kur konsumon ushqim gjatë ditës?
Maksimumi është ora 9 e darkës sepse rreth orës 10:30 unë shtrihem, lexoj dhe në 11:30 më ka zënë gjumi. Nuk është orari më i mirë për të konsumuar darkën, por ky është orari që përkon me arritjen time në shtëpi dhe koha që duhet për të përgatitur darkën, sepse është vakti i vetëm që unë konsumoj me fëmijët.
Cili eshte ushqimi që ke ngrënë më shumë gjatë shtatëzënive?
Mbaj mend në shtatëzëni kam pasur shumë qejf supën me brokoli dhe rrushin. Unë nuk jam shumë e dhënë pas frutave fatkeqësisht, por në shtatzëni kam pasur shumë neps për fruta dhe veçanërisht për rrush. Mund të nxirrja tim shoq edhe në orën 12 të natës për rrush të bardhë.
Sa kilogramë shtove?
Kam shtuar 20 kilogramë për çdo shtatzëni. Kam pasur një oreks të jashtëzakonshëm. Edhe pasi më kishin ardhur dhimbjet e lindjes nuk mundesha të hiqja dorë nga ushqimi, edhe pse më thonin që të mos haja se do lindja. Fillova të haja pak me delikatesë, por pastaj mbaroja të gjitha gjërat në tavolinë.
Si i humbe kilogramët e marra gjatë shtatzënisë?
Kilogramët e shtatzënisë i kam hequr pa asnjë përpjekje sepse më iku oreksi. Në momentin që kam lindur mua më është prerë oreksi dhe nuk më është dashur të mbaj dietë, brenda 4-5 muajve trupi është rikthyer në formë. Kjo është edhe gjenetike.
Ke neps? Në qoftë se po për çfarë?
Unë nuk kam neps, por për personat që kanë neps do të thoja të mos e privojnë veten, por ta rrallojnë dhe të kontrollojnë sasinë sepse ekulibri është çelësi i suksesit. Në qoftë se e prishim këtë ekulibër, edhe kur ky ushqim është i shëndetshëm, efektet nuk do të jenë pozitive. Ky është ligj i natyrës. Mos e evitoni sepse më keq është.
Çmenduria më e madhe që ke bërë ndonjëherë për ushqimin?
Nuk kam bërë ndonjë çmenduri për ndonjë ushqim. Përgjithësisht i kam çmendur të tjerët sepse nuk haja, jo se më shkonte mendja për ndonjë ushqim. Ka qenë problem në familjen tonë mungesa e oreksit tim.
Si është të kesh një mami apo një bashkëshorte dietologe? I llogarit çdo kalori që ata marrin?
Sigurisht që është një privilegj, sepse një dietologe do zbatojë këshillat në familjen e saj, tek vetja dhe pastaj do të japë mend për të tjerët. Nuk jam posesive tek ushqimi i fëmijëve, nuk i privoj në ambientin e shkollës që të ushqehen ndryshe nga të tjerët, edhe pse në shkollën e tyre ushqimi nuk është më i miri që unë do të doja. Ama kur vijnë në shtëpi unë u flas shumë për ushqimin dhe u jap shembull për t’u rritur shëndetshëm dhe për të pasur një imunitet të fortë. Kur dalim nuk i lejoj të pijnë pije me gaz apo të marrin ëmbëlsira me tepri, por as nuk i privoj. Ajo që nuk do ua jepja kurrë janë pijet freskuese me sheqer dhe ushqimet e paketuara siç janë patatinat. Nuk kanë tolerim nga ana ime.
Raporti i fëmijëve të tu me ushqimin? Ka tolerancë për “junk food” apo janë kategorikisht të ndaluara?
“Junk food” janë të ndaluara në mënyrë kategorike. Nuk ka asnjë arsye përse duhet të lejojmë fëmijët të hanë ushqime plot me kimikate dhe pa asnjë lloj jete dhe tepër të dëmshme për ta.
Ke mbajtur ndonjëherë dietë, qoftë edhe në adoleshencën tënde kur ende nuk ishe përfshirë në këtë profesion?
Dietë kam mbajtur, por për t’u shëndoshur, jo për t’u dobësuar. Një përpjekje shumë më e vështirë sesa ajo për t’u dobësuar sepse që të hash atëherë kur nuk të hahet është shumë e vështirë. Sa herë që jam përpjekur kam dështuar, deri sa erdhi një periudhë kur shtova vetvetiu disa kilogramë.
Na trego disa sekrete nga regjimi yt ushqimor që lexuesi nuk i di.
Sekretet e regjimit tim janë sallatat që i konsumoj gjithmonë, në drekë edhe në darkë, sepse të ndihmon në mbajtjen e peshës optimale. Sekret tjetër mund të jenë disa kombinime bimore që unë i bëj shpesh. Përshembull një kombinim i mjaltit me një pikë vaj rigoni ose vaj kokosi për të forcuar imunitetin.
Përpiqem të zgjedh cilësin më të mirë të ushqimeve, qoftë edhe makaronat, orizin, bukën, t’i zgjedh organike. Mund të bëj një kombinim të kosit të bërë vetë me manaferra të kuqe, mana apo boronica dhe manaferra të vendit, kombinuar me disa lloje farash, fara kërpi apo fara kia dhe pak vaj lini. Një kombinim tjetër mund të jetë një lëng me panxhar,selino dhe spinaq.
Merresh me sport?
Përpiqem të shkoj në palestër, përpiqem të bëj disa ushtrime vetë në shtëpi duke qenë se kemi oborr dhe hapësirë, ose edhe ecje, por nuk është mjaftueshëm. Është një nga pengjet që kam.
Disa gjëra që ne nuk i dimë për Blerinën dietologe?
Një nga gjërat që ndoshta nuk dini për mua është se unë kam qenë balerinë. Ai ka qenë pasioni më i madh i jetës sime, deri në moshën 9-vjeçare, por që nuk arrita dot ta realizoj për shkak të një dëmtimi që pata në këmbë.
Një tjetër detaj është se unë jam shumë gjumashe, në mëngjes jam gjithmonë me vonesë, e kam të vështirë të zgjohem.
Së treti e shpërdoroj shumë lekun, nuk e mbaj dot, ja gjej vendin me sekonda. E njoh si një të metë shumë të madhe të vetes time.
Së katërti unë qëndis shumë bukur, por që nuk e praktikoj. Kur kam qenë 9-vjeçe kam qëndisur një mbulesë tavoline, e kam pasur privilegj nga gjyshja ime e cila qëndiste shumë.
Nuk hipi kurrë në aeroplan, i kam shumë frikë, udhëtoj vetëm me makinë.
Së fundmi, nuk bëj kurrë diçka pa aprovimin e nënës time./revistawho.com