Shumë hulumtime kanë treguar që lëngu i boronicave është ilaç i përkryer kundër anemisë, që boronica ngadalëson procesin e plakjes, përmirëson funksionimin e shikimit dhe qarkullimit të gjakut, ndalon fazat fillestare të zhvillimit të karcinomës.
Frutat e kësaj bime, origjina e së cilës është në Ameriken Veriore, e cila në formën e egër rritet në tokën me lagështi të moderuar të pyjeve gjetherënëse të ahut, përmban acide organike, veçanërisht të mollës dhe të limonit, pastaj sheqer, taninë pirokatehinike, vitamina C dhe B, karotinë, proteina, vajra yndyrore.
Përveç frutave edhe gjethet e boronicës janë shëruese, sepse janë minierë e vërtetë e mineraleve të kaliumit, natriumit, manganit, kromit, hekurit dhe bakrit. Po ashtu janë të pasura me vitaminë C, acide organike, saponinë, sheqer dhe taninë, transmeton Koha.net. Për të qenë efektive, gjethet duhet të vilen në pranverë derisa bima lulëzon, ndërsa frutat vetëm kur janë tërësisht të pjekura. Edhe frutat e thata janë shëruese, ndërsa thahen ose në hije ose në furrë në 40 gradë celsius. Përmbajnë shumë përbërës të vlefshëm, siç janë flobatanina, sheqeri invert, acidet organike (të mollës, limonit ose qelibarit), pektinë, vitaminë C, karotinë.