Botimet “LIVING” vijnë për herë të parë këtë vit në Panairin e Librit “Tirana 2015”, duke sjellë për lexuesit disa tituj mjaft interesantë. Në këtë intervistë për revistawho.com, drejtuesja e botimeve “LIVING”, Etleva Çepele ndan me ne sugjerimet e saj…
Si duket panairi këtë vit? Ju jeni për herë të parë me Botimet Living, por kam idenë që e keni ndjekur vit pas viti si përkthyese dhe kontribuuese në shqipërimin e disa veprave. Cilat konsideroni të mirat dhe problemet e tij?
Po, është e vërtetë që Shtëpia Botuese Living bëhet për herë të parë pjesë e panairit të librit. Panairi për mua ka gjithmonë një aureolë frymëzuese, por ndryshe nga vitet e tjera, kur shkoja në disa stenda të ndryshme për të parë ecurinë e librave që kisha përkthyer, këtë vit emocioni shkon ekskluzivisht për librat e Living, të cilët na e shpërblyen punën pa orar duke arritur ta gjenin rrugën për te lexuesi. Ne si staf jemi shumë të lumtur për këtë. Do të jetë me siguri një panair që do ta mbaj mend gjatë, kështu që nuk dua të flas këtë herë për problematika.
Cilët janë librat që duhet të blejmë?
Mendoj se gjithsecili prej nesh duhet të blejë atë vepër letrare ku e gjen veten më mirë dhe e lexon me më shumë ëndje. Nuk ka receta për librat. Nuk është e thënë të blesh medoemos një libër që ta kanë lavdëruar, nëse nuk bëhet fjalë për zhanrin tënd të preferuar, pasi në këtë mënyrë, procesi i të lexuarit do të rezultonte i mërzitshëm, do të ishte një humbje kohe. Sipas kësaj filozofie, Shtëpia Botuese Living, përveçse të sjellë libra me përkthim shumë të mirë dhe me një shqipe sa më të pastër, ka menduar t’i prekë të gjitha zhanret, për të sjellë libra për të gjitha shijet e lexuesit. Mua më ka lënë shumë mbresa libri “Vajza e Pirenejve”, nga autorja Kristin Hannah, i sjellë në shqip nga përkthyesi Blendi Lami, të cilin do t’ua sugjeroja të gjithë të pasionuarve pas historical fiction dhe që natyrisht e gjeni në Botimet Living. Po ashtu, për të gjitha vajzat e reja që duan të bëjnë përpara në jetë dhe kanë shumë dilema, do të këshilloja #GIRLBOSS, i cili paraqet një histori suksesi që ka bërë xhiron e botës dhe është shumë motivues.
A ekzistojnë në Shqipëri bestseller-at?
Patjetër që po. Në çdo vend ka libra best-seller. Edhe në Shqipëri, paçka se jemi një vend i vogël, ka pasur best-seller-a. Di për libra që janë shitur në shumë kopje, madje dhe nga autorë shqiptarë. Natyrisht, nuk është një fenomen që ndodh rëndom në vendin tonë.
A shitet më shumë letërsi shqiptare apo e huaj?
Të them të drejtën, nuk di shifra dhe nuk mund ta them me siguri, por besoj se shqiptarët sot, lexojnë më shumë letërsi të huaj. Them sot, sepse besoj se para viteve `90, ka pasur një ekuilibër më të mirë mes autorëve tanë dhe atyre të huaj për sa i përket leximit në vend. Ndoshta atëherë edhe prodhimtaria e shkrimtarëve vendas ka qenë më e madhe, por mbaj mend që para kësaj kohe dhe ndoshta edhe diçka më pas, unë vetë lexoja edhe autorë të huaj, edhe shqiptarë, ekuilibër që tani e gjej të prishur. Janë të paktë autorët shqiptarë që kanë sukses sot. Gjithsesi, edhe bota është më e madhe se ne.
A është e vërtetë që shqiptarët blejnë libra më së shumti gjatë panairit?
Një pjesë e mirë e tyre, po. Në panair librat kushtojnë edhe më lirë, në fakt. Por me siguri që ka edhe nga ata lexues, të cilët ndjekin ecurinë e shtëpive botuese, sidomos ditët e sotme, kur të gjitha ato i reklamojnë titujt e rinj nëpër reklama televizive ose nëpër rrjetet sociale, dhe nxitojnë t’i blejnë librat nëpër librari edhe kur sapo dalin në shitje. Unë vetë blej libra gjatë gjithë vitit dhe nuk besoj se jam e vetme. Madje më duket sikur interesi për librin ka filluar të rizgjohet në Shqipëri dhe kjo është për t’u përgëzuar. Për shembull, libri i Shtëpisë Botuese Living, i cili ka korrur më shumë sukses edhe në panair, “Rregullat e Gotit”, është shitur shumë gjatë gjithë vitit.
Ç’mendoni për librin elektronik?
Libri elektronik, ose siç njihet më së shumti “e-book”, është një tendencë në rritje në mbarë botën e tanimë, jo vetëm nga të rinjtë. Pavarësisht nga kjo, në Shqipëri vazhdon të blihet kryesisht libri fizik. Personalisht, nuk jam për atë mënyrë të lexuari. Gjithashtu, mjaft kohë kalojmë para ekranit të kompjuterit për arsye pune ose duke u endur nëpër rrjetet sociale, për të qenë përpara tij edhe për të lexuar një libër. Unë kam provuar të lexoj libër elektronik dhe përveç kësaj gjatë kohës së leximit, kam ndier mungesën e emocioneve që të sjell shfletimi, prekja e çdo faqeje letre, aroma e librit të sapoblerë, por mbi të gjitha, një vend mbetet bosh në bibliotekën personale (fizike), që është tempulli i çdo lexuesi të mirë. Shprehja “më mirë një shfletim sesa një klikim”, besoj se i përmbledh të gjitha këto për mua.