Sveva Casati Modignani prezanton “Një bashkëshort si shpirt”
Romani i përkthyer nga Adrian Beshaj dhe i botuar nga “Dudaj”, trajton marrëdhëniet në çift. A ju ka ndodhur ndonjëherë, gjatë pushimit të drekës, të nxitoni për të mbaruar një punë dhe, fare rastësisht, të shihni bashkëshortin tuaj të ulur në një tryezë restoranti në shoqërinë e një flokëverdhe, ndërsa mendonit se ndodhej në zyrën e tij, i përkulur mbi letra? Jo? E pra, Albertës i ndodhi. Dhe në mendjen e saj prej bashkëshorteje besimplotë ngjallet një dyshim i tmerrshëm. Papritur, të gjitha siguritë e martesës së saj u shkrinë nën rrezet e pamëshirshme të qartësisë. E mësuar ngaherë të ndihej e shpërfillur, sidomos nga seksi tjetër, një ditë kishte takuar atë burrë shumë të pashëm, i cili, në mënyrë të pabesueshme, e kishte vënë re dhe i ishte vardisur si një kavalier i qëmotshëm, derisa u martua me të. Por tani, pa e kuptuar, Alberta është bërë e parëndësishme edhe për të… Dikush ka thënë se yjet janë engjëj mbrojtës dhe se zbresin në tokë kur kemi nevojë për ndihmën e tyre. Alberta pa një yll që u këput dhe e gënjeu mendja se ishte ogur i mirë. Ndonjëherë, edhe shenjat e qiellit mund të të gënjejnë. Ose, ndoshta, gabimi është në sytë e atij që e shikon. Kush tha se burrat nuk dinë ta befasojnë një grua?
“Pallati Soljani”, si shembet jeta në një ditë
Romani i Sveva Casati Modignani “Pallati Soljano”, përkthyer nga Geverina Muzhaqi nis në një mbrëmje maji, kur në pallatin Soljano – ndërtesa e shtatëqindtës e dinastisë së koralarëve të Kullës së Grekut – bie telefoni. E gjithë familja është mbledhur në tryezë për të ngrënë drekën: Ursula, e shoqja e Eduardit; të pesë fëmijët e tyre; Margarita, e vjehrra; dhe dy bijat e saj. Të gjithë janë në pritje që Eduardi të kthehet. Ursula ngre receptorin dhe nëpërmjet zërit me ton zyrtar të një polici njoftohet se i shoqi ka humbur jetën në një aksident automobilistik. Dhe ja tek vjen goditja e tmerrshme: dashuria e tyre tridhjetëvjeçare që përfundon sa hap e mbyll sytë. Ursula nuk mund ta dijë se ajo dhimbje e beftë, në vetëm pak kohë ka për t’u kthyer në një dhimbje edhe më të fortë, në çastin kur zbulon disa fotografi të bashkëshortit, ku ka dalë një djalosh me sytë me bisht dhe ku shkruhet: “Yt bir, Stivi”. Dhe, nga kjo nisje befasuese e romanit, Sveva Casati Modignani na kthen pas në kohë për të na rrëfyer historinë e dashurisë së Ursulës – milanezja e lirë dhe e pavarur, bijë e një këpucari – dhe të Eduardit – trashëgimtari i familjes më të rëndësishme të koralarëve të Kullës. Sveva Casati Modigani është një prej emrave më të dashur të narratives bashkëkohore: romanet e saj janë përkthyer në njëzet vende të ndryshme e me shitje që kanë arritur më tepër se 10 milionë kopje. Autorja jeton ngaherë në Milano, në të njëjtën shtëpi ku ka lindur e që i përkiste gjyshes së saj.
“Një skeptike bën paqe me martesën”
Romani “Një skeptike bën paqe me martesën”(Dudaj) i autores Elizabeth Gilbert, përkthyer nga Edlira Keta është vijim i librit “Ha, lutu, dashuro”. Në fund të romanit të parë Elizabeth Gilbert bie në dashuri me Felipen, një brazilian që jeton në Indonezi. Çifti u betua për dashuri të përjetshme, por gjithashtu të dy u betuan se (si të mbijetuar pas divorcesh të vështira), nuk do të martoheshin kurrë më. Por befas, kur Felipe mori një urdhër të papritur – nga autoritetet e imigracionit – për të mos shkelur në ShBA, çifti u përball me një ultimatum të padiskutueshëm: ose të martoheshin, ose Felipe nuk do të lejohej më kurrë të futej në Amerikë. Në dhjetë muajt e ardhshëm, ndërsa Elizabeth dhe Felipe udhëtojnë nëpër Azinë Juglindore, në pritje të marrjes së lejes për t’u kthyer në shtëpi dhe për t’u martuar, autorja bën kërkime të hollësishme në fushën e historisë, këshillimit dhe perspektivave në lidhje me betimin romantik. Pajisur me një veçanti të rrallë në të shkruar, inteligjencë dhe pasion, “Një skeptike bën paqe me martesën” është një meditim joshës për përshtatshmërinë, besnikërinë dhe familjen – dhe, së fundmi, një celebrim i shkëlqyer i dashurisë.
“Tri motrat” gjithë muajin në Teatrin Kombëtar
Shfaqja “Tri Motrat” e Anton Çehov me regji të Hervin Çulit do jetë gjithë muajin në Teatrin Kombëtar. Ajo mund të ndiqet në këto data: 3-4-5-6-7; 11-12-13-14 dhe 18-19-20-21 shkurt. Me skenografi të Kristo Çalës dhe kostume të Blerina Kokonës, në të interpretojnë aktorët: Anila Bisha, Flaura Kureta, Gladiola Harizaj, Erjona Kakeli, Elia Zaharia, Neritan Liçaj, Helidon Fino, Bujar Asqeriu, Naun Shundi, Ina Gjonçi, Olta Gixhari, Lulzim Zeqja, Indrit Çobani, Gert Ferra, Mehdi Malka, Natasha Sela, Genti Deçka, Rael Hoxha. Në skenë për herë të parë “Tri motrat” e Çehovit, pjesa e plotë integrale zgjat rreth katër orë. Përparim Kabo ka shkruar se “Çehovi vjen në skenën e Teatrit Kombëtar, krejt i natyrshëm në një rrëfenjë të “Tre Motrave”, duke na shtruar një pyetje jetësore, se “kush jemi dhe çfarë bëjmë ne?”. Dhe, “si do të jetë njerëzimi në të ardhmen, pas 100 apo 200 vjetëve?”. Të gjithë në fund nisen për diku tjetër, sepse nëse gjithçka mbetet ashtu e vagullt dhe e pandryshuar, njeriu dënohet me humbjen e kuptimit të jetës… Drama sillet me një ndjeshmëri shumë të lartë. Penduli i saj ishte: njerëzit kishin humbur dashurinë ose rrugën drejt saj, apo më keq, si edhe kishte ndodhur me njërën nga motrat, me vëllanë e saj dhe me një nga ushtarakët… që kishin ndërtuar një dashuri të gabuar, iluzive dhe zhgënjyese. Bota e provincës është gati e përhumbur. Njerëzit gdhiheshin dhe ngryseshin nën peshën e monotonisë, ku të tjera gjëra shihnin, të tjera gjëra mendonin, të tjera gjëra bënin tinëz dhe të tjera gjëra thoshin.
Lumturi Blloshi “provokon” në Galerinë Kombëtare të Arteve
Prej datës 21 janar në Galerinë Kombëtare të Arteve mund të vizitoni ekspozitën vetjake të artistes Lumturi Blloshmi. Ekspozita sjell në fokusin e aparatit fotografik një fazë të rëndësishme të krijimtarisë artistike të Lumturi Blloshmit. Artistja vjen në këtë ekspozitë përmes fotografive të instalacioneve dhe performancave të realizuara pas viteve ‘90. Si një ditar i hapur, ato rikujtojnë mesazhet e fuqishme artistike dhe sociale që Blloshmi i ka transmetuar publikut në ekspozitat e saj personale, apo në grup. Instalacione, apo performanca që kanë mbetur në kujtesë të shumëkujt si: Obsession – The Pyramid; The utopian Road; Ambiguity; The invasion of the space; Paradox; Duality; It’s a Wonderful Life; Is’t a men’s world, do të jenë pjesë e ekspozitës vetjake të Blloshmit. Përveçse si një retrospektivë e 25 viteve të fundit të artit të saj, kjo ekspozitë vjen si një dëshmi e përforcuar se Lumturi Blloshmi është një nga artistet e para femra që solli mediumin e instalacionit dhe performancës në Shqipëri. Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973 – 1974, një periudhë delikate në artin shqiptar. Lumturi Blloshmi arriti të krijojë dhe t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar tek peizazhi dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90, Blloshmi kërkoi dhe gjeti një karakter tjetër artistik dhe u bë shumë shpejt pjesë e atyre artistëve që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern shqiptar përmes performancave dhe instalacioneve. Lumturi Blloshmi lindi në Tiranë në vitin 1944. U diplomua për pikturë në vitin 1968. Në vitin 1988 çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Egjypt). Gjatë viteve ‘89–‘91, çeli dy ekspozita vetiake në GKA. Midis viteve 1992-2010 Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hag, New York, etj. Është fituese e konkursit ndërkombëtar “Onufri ‘94”. Vitet e fundit Lumturi Blloshmi është prezantuar me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës, apo Korçë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 Shkurt 2016.
Koncert Simfonik “Dances & Symphony” në Teatrin e Operas
Koncerti Simfonik “Dances & Symphony” mbahet në Teatrin e Operas dhe Baletit në datën 5 shkurt me pjesë të përzgjedhura nga kompozitorët Respighi, Bartok, Mendelssohn. Interpretohet nga Orkestra Simfonike e TKOB me dirigjent Edmond Doko. Ottorino Respighi (9 Korrik 1879 – 18 Prill 1936) ishte kompozitor dhe muzikolog italian. Antiche Danze e Arie, Suite No. 3 u kompozua në vitin 1932. Ajo është krijuar për harqe dhe fryma e përgjithshme që përcjell është melankolike. Është e bazuar në këngë nga Besard, Ludovico Roncalli, Santino Grasi da Parma dhe kompozitorë të tjerë anonimë. Béla Viktor János Bartók (25 Mars 1881 – 26 Shtator 1945) ishte pianist dhe kompozitor Hungarez. Romanian Folk Dances (Valle Folklorike Rumune) është një suitë e përbërë nga 6 pjesë të shkurtra të kompozuara nga Béla Bartók in 1915, fillimisht për piano dhe më pas për orkestër të vogël. Është e bazuar në 7 këngë rumune me origjinë nga Transilvania të cilat janë luajtur fillimisht me fyell. Felix Mendelssohn (3 Shkurt 1809 – 4 Nëntor 1847) ishte kompozitor, dirigjent, pianist dhe organist nga Gjermania që I përket periudhës së herët romantike. Simfonia Nr.3 e njohur edhe si “Simfonia Skoceze” është kompozuar midis viteve 1829 dhe 1842. Për këtë vepër ai është frymëzuar nga një vizitë në Edinburg, Skoci në 30 Korrik 1829, ku ai shkroi edhe notat e para të sinfonisë të cilën e vijoi gjatë qëndrimit në Itali. Edhe pse u përpoq që të ecte përpara me këtë krijim në 1831 ai e la atë mënjanë.
“Gënjeshtër pas gënjeshtre” në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”
“Gënjeshtër pas gënjeshtre” e Anthony Neilson me regji të Qëndrim Rijanit, kostume të Sofi Kara, skenografi të Beqo Nanaj interpretohet nga aktorët: Mehmet Xhelili, Genc Fuga, Sotiraq Bratko, Ermira Gjata, Adriana Tolka, Andi Begolli, Dasara Xhangolli. Ajo shfaqet në Teatrin Eksperimenatl “Kujtim Spahivogli” në datat 4, 5, 6 dhe 7 shkurt. Gënjeshtër pas gënjeshtre është një vepër në mes vargjeve të së cilës jemi përpjekur që të zberthejmë ato të vërteta tronditëse të cilat na thuhen përmes gënjeshtrave që vijnë njëra pas tjetrës, e që në tërësi formojnë një gënjeshtër të madhe që tek ne transmetohet nga dy policë, të udhëhequr nga paaftësia për të thënë një të “vërtetë” të dhimbshme. Të gjithë ‘përallën’ e transformojnë në një ngatëresë të madhe situatash, sa komike po aq intriguese për lojë me ndjenjat e shikuesit, publikut. Ata vijnë për t’ju dhënë lajmin e vdekjes së vajzës së tyre një çifti pleqsh dhe karakteret e tyre “luftarak” mes të mirës dhe të keqes ku në vetvete i ngatërron përjetimi (keqkuptimi) i çiftit të cilët mendojnë se ju ka vdekur qeni. E gjithë kjo përkthehet në një lojë ndjenjash. Aty diku paraqitet edhe një prift si përfaqësues i moralit të pastër dhe mban mbi supe të gjithë imoralitetin shoqëror. Mes ngatëresash të mëdha që prodhojnë pa fund situata komike, tek ne si një grusht ballit vijnë të “fshehtat” apo të “vërtetat” e asaj që quhet apo nuk quhet dashuri e vërtetë, e një çifti që ka një jetë që jetojnë si burrë e grua. Vetë përralla të cilën do ta ndiqni sado e largët gjeografikisht që duket, është po aq e afërt emocionalisht me ndodhitë e jetës sonë të përditshme.