U bënë ditë tashmë që vepra e Dritëro Agollit është në gojën e të gjithëve. Është e preferuara e muajit të leximit, janë hapur ekspozita me libra, dorëshkrime, fotografi, janë mbajtur kumtesa, e të tjera do të mbahen, janë botuar shkrime në gazeta e të tjerë do të botohen… Por një nga ngjarjet më të mëdha që do të shënjojnë 85 vjetorin e lindjes së shkrimtarit dhe poetit Dritëro Agolli, është pa dyshim edhe një botimsurprizë për lexuesin dhe vetë autorin, nga ana e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, raporton “Panorama”. Një surprizë që zbulohet pikërisht sot, në ditëlindjen e shkrimtarit, në një Konferencë jubilare, organizuar nga Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, pranë Akademisë së Shkencave. Është botimi i tri dramave, gati të panjohura për publikun, të lëna në heshtje, të kritikuara në kohën kur u shkruan, të ripunuara, të censuruara, të humbura në kohë, e në fund “të dënuara” me harresë nga vetë autori, i cili nuk ka dashur t’i ribotojë ato. Bëhet fjalë për dramat “Fytyra e dytë”, “Mosha e bardhë” dhe “Baladë për një grua”, botimi i të cilave u mundësua nga Agjencia për Zhvillim Rajonal 2, Tiranë. Por merita më e madhe i takon pa dyshim studiuesit, prof. Dr. Shaban Sinani, i cili i përgatiti për botim dhe redaktoi veprat. Botimi i tri dramave shoqërohet edhe nga një tekst i gjatë i Sinanit, i titulluar “Dramat me fat dramatik të Dritëro Agollit”. Pasi lexuesi është njohur me veprat e Agollit, studiuesi i fut ata në një tjetër kontekst, i njeh me frymën e kohës, duke shpjeguar fatin e këtyre dramave, deri në momentin që ato i rikthehen publikut. Sigurisht një nga momentet që përbëjnë kuriozitet për lexuesin, e ku studiuesi është ndalur pak më gjatë, është sjellja e vetë autorit karshi veprës së tij. “T’i imponosh një shkrimtari që të mos kujtohet për ekzistencën e një vepre të tij dhe që ta dënojë me harrim atë – kjo është rruga më e lehtë për të ndryshuar vende në historinë e letërsisë. Kështu ka ndodhur me dramaturgjinë e Dritëro Agollit. Mund të duket e habitshme, por edhe vetë shkrimtari, në të vetmin jetëshkrim të autorizuar, që e gjejmë të paraqitur në faqen e numerizuar në emër të tij, një prej dramave të veta, Baladë për një grua, as e përmend si titull. Edhe në jetëshkrimin si anëtar i Akademisë së Shkencave, në renditjen e veprave të tij, mund të gjenden të dhëna kalimtare për dramat Fytyra e dytë dhe Mosha e bardhë, por Baladë për një grua thjesht s’ekziston. Dhe s’ekziston as në zërin që i kushtohet këtij shkrimtari në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave”, shkruan Sinani, teksa shton më tej se autori ishte përpjekur të ribotonte ndonjë tregim nga vëllimi Zhurma e erërave të dikurshme dhe sidomos për romanin Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, por nuk e bëri këtë me tri dramat e tij, të cilat tashmë i shtohen korpusit të veprës së botuar të autorit. Sipas shënimeve që shoqërojnë botimet e secilës prej dramave, mësojmë se për gjetjen e dramës “Fytyra e dytë” ka ndihmuar biblioteka e Akademisë së Arteve dhe personalisht drejtoresha Miranda Bakiasi, që ka mundësuar tekstin e daktiloshkruar të kësaj drame. Sipas këtij shënimi, daktiloshkrimi është pranuar në këtë bibliotekë në vitet 1978 1979, kur “Fytyra e dytë” u luajt për herë të fundit në skenë, dhuruar nga studentëtaktorë Hasan Bregu (në rolin e Bektashit) dhe Shpresa Buxheli (në rolin e Arianës), diplomuar në atë institucion gjegjësisht në vitin 1977 dhe në vitin 1979. Ndërsa “parashtypja (preprint) e dramës ‘Mosha e bardhë’, i pari në Tiranë dhe në Shqipëri, bëhet sipas tekstit të botuar nga ‘Rilindja’, Prishtinë 1986″. Botimi i dramës “Baladë për një grua” u arrit me ndihmën e Aneta dhe Petrit Malajt, aktorë të njohur, pedagogë në Akademinë e Arteve, që mundësuan gjetjen e tekstit të daktiloshkruar të kësaj drame. Më tepër për “Dramat me fat dramatik të Dritëro Agollit”, flet vetë studiuesi Shaban Sinani. ALMA MILE
“DRAMAT ME FAT DRAMATIK TË DRITËRO AGOLLIT”
Shaban Sinani
Pse “i ndëshkoi” kaq rëndë Dritëro Agolli tri dramat e tij? Mund të kishte qenë po aq vetëmohues, në mos më shumë, sa u takon tregimeve të vëllimit Zhurma e erërave të dikurshme, që ishin qortuar vrazhdë, duke u paraqitur deri si model i një vepre që nuk ndihmon për edukimin ideologjik të njerëzve, në raportin kryesor paraqitur Plenumit XV të KQ të PPSH, mbajtur më 26 tetor 1965.
Sikur të mos mjaftonte qortimi në këtë raport, të mbajtur nga Ramiz Alia në emër të Byrosë Politike, kjo përmbledhje do të ripërmendej edhe në diskutimin e Mehmet Shehut Roli i letërsisë dhe i arteve në edukimin komunist të masave. Aq shumë u shenjua si vepër e rrezikshme kjo përmbledhje, saqë E. Hoxha, me sa duket, për të shtendosur disi gjendjen, në fjalën e tij në mbyllje të kësaj mbledhjeje gjeti një rast të çmojë qortimin me kamxhik të Dritëro Agollit për poezitë banale që preferohen si tekste këngësh nga kompozitorët. Por as kjo nuk do ta shpëtonte nga një valë e dytë qortimesh, kësaj here në Plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, mbajtur vetëm një muaj më vonë, më 23 dhjetor 1965. Qëndrimi që mbajti Dritëro Agolli ndaj tregimeve të mallkuara është krejt i ndryshëm nga ai ndaj dramave. Disa prej këtyre tregimeve ai u përpoq t’i rikthejë, në mos në ndonjë formë tjetër përmes kinematografisë. Kështu rierdhën të rehabilituar te publiku Njeriu i mirë dhe Apasionata. Duhet thënë se për këto tregime autori mund t’ia lejonte vetes njëfarë indiference, sepse pothuajse e gjithë përmbledhja ishte botuar në Prishtinë më 1973 me titullin Njeriu i mirë dhe kështu kishte shpëtuar përgjithnjë nga humbja. Disa tregime të tjera të ndaluara, si Martesa e papritur e Pasho Velçanit; ose tregimet e kritikuara në mesin e viteve 1980, ishin të vetëshpëtuar, sepse qenë botuar në Nëntori ose në Drita. Më i interesuar do të duhej të ishte për dramat. Si t’ia bësh të padëshirueshme një vepër autorit për gjithë jetën? Kjo nuk është një pyetje e tepërt për rastin e tri dramave të Dritëro Agollit dhe për çdo rast tjetër të ngjashëm, përderisa arti dhe letërsia nuk ekzistojnë jashtë receptimit dhe përderisa një nga nyjat themelore të receptimit është mendimi kritik.
Fytyra e dytë, në krye të herës, siç ka pohuar autori, lindi si një tregim dramatik. Nuk është fjala për një figurë letrare, por për një term. Dritëro Agolli ka pohuar se propozimi për ta ndryshuar, duke e kthyer nga tregim në dramë, iu bë nga një prej miqve të tij regjisorë. Dhe për këtë vepra duhej ndarë në akte dhe tablo, duhej strukturuar si pjesë skenike. Më së fundi tregimi mori formën e dramës. Vetë tregimi nuk u botua ndonjëherë, që të bëhej i mundur krahasimi i brendshëm, i cili do të lejonte arritjen në përfundime të vlefshme edhe për çka ndodh në procesin e transmodelimit të gjinive letrare. Tregimi u flijua për një dramë që gjithashtu nuk pati fat. Pasi komisioni i repertorit vendosi që shfaqja të ndalohej, për shkak se mburrja me gjakun e dëshmorëve nga njëri prej karaktereve (Bektash Shkoza) dhe vdekja e një karakteri tjetër në kantier nuk pajtoheshin me kanonin e heroit pozitiv dhe atë të optimizmit, varianti i parë ra. Pastaj … ne bëmë një variant të dytë dhe e mbyllëm dramën me ca vargje të Majakovskit, i cili thoshte se “kjo pelë nuk mund ta çojë deri në fund komunizmin, nuk mund të vrapojë gjer atje”. Sipas vetë autorit, varianti i parë përmbante kritika që përfshinin gjithë sistemin, prandaj duhej ofruar një variant i dytë, më i zbutur. Në këtë variant nuk është më gjithë sistemi me këmbë të lidhura nga burokratizmi, nga abuzimi me biografinë dhe me gjakun në luftë, nga intriga: pela që nuk e çon dot përpara vendin drejt komunizmit shenjon burokratizmin, të identifikuar me Bektash Shkozën, ndërsa karakteri tjetër, Aleks Kola, vetëm plagoset. Por edhe ky variant nuk u pranua. Pastaj u bë një variant i tretë, në të cilin drama mbyllej me një debat të punëtorëve dhe me kthesën e burokratit, për të mbetur si njeriu ynë. Atëherë unë hoqa dorë dhe ia lashë në dorë regjisorit.
* * * Fati i dramës
Fytyra e dytë është dëshmia më e drejtpërdrejtë e kontrollit të dyfishtë ideologjik mbi dramën shqipe të realizmit socialist në përgjithësi. Nëse letërsia ishte çështje shtetërore, drama dhe teatri ishin institucionalisht çështje shtetërore. Ajo ishte çështje e këshillave artistikë, e komisioneve të repertorit, e komiteteve të partisë, e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, e nëpunësve të lartë të partisë dhe të qeverisë. Këtu ne po citojmë vetëm një dëshmi të gjithë këtij kontrolli, një letër të Mehmet Shehut drejtuar Enver Hoxhës më 20 tetor 1975, në të cilën bëhet fjalë për këtë dramë dhe për vepra të tjera të Dritëro Agollit dhe Ismail Kadaresë: Për sa i përket konfuzionit që kanë edhe disa nga shkrimtarët e tjerë më të mirë në lidhje me luftën e klasave, luftën kundër burokratizmit etj., mjafton të përmendim dy vepra të gabuara, për mendimin tim, të Dritëro Agollit: a) Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, ku absolutizohet burokratizmi, ku del se rendi ynë është kalbur, me burokratë të pandreqshëm si Zylua etj. b) Drama “Fytyra e dytë” në fillim ishte një dramë që e nxinte situatën e rendit tonë, sepse këtu sundonin burokratët. Pastaj, pas disa kritikave shumë të zbehta, e ndreqi këtë dramë gjer në një farë mase. Kjo dramë ka 78 vjet që jepet. Por romani mbi burokratin Zylo është në qarkullim. Dhe megjithatë, më vonë, siç dihet, Dritëroi shkroi poemën e mrekullueshme “Nëna Shqipëri”. Tri dramat e Dritëro Agollit nuk u botuan asnjëherë në Tiranë. As teatër, as letërsi, ato mbetën jashtë qarkullimit letrar deri më sot. Për Baladë për një grua nuk ekzistonte kurrfarë teksti autorial deri para disa vjetësh. Është e lehtë të thuash s’ka si të ketë humbur vepra, e kam unë, e kanë teatrot ku është vënë në skenë, faji i autorit nëse nuk e ka ruajtur. Por kur flitet për një vepër të humbur, është fjala për një vepër që i mungon publikut, jo një individi, kushdoqoftë ai, ose, më saktë, kur autori nuk ka çfarë t’i japë botuesit, sepse nuk ka asgjë të shkruar nga vepra e vet. Një regjistrim në zë, apo qoftë dhe në zë e figurë, që ndoshta mund të gjendet diku në ndonjë arkiv ku është depozituar, mund të jetë dëshmia e shfaqjes, jo e dramës. Ky është një dallim terminologjik. Shfaqja është e regjisorit, e trupës teatrore; drama është e autorit. Shfaqja është objekt studimi i historisë së teatrit, drama – i historisë së letërsisë. Shuarja e ngadaltë e subjektivitetit të autorësisë duhet të jetë dhe arsyeja pse kjo vepër nuk shenjohet kund as nga autori vetë. Sa i takon harrimit prej studimeve, le të përmendim vetëm një fakt: gjatë gjithë viteve 1980 këtë vepër kemi mundur ta gjejmë të përmendur në shtypin shkencor vetëm një herë, edhe në këtë rast në përbërje të një vështrimi panoramik mbi raportet e dramës dhe teatrit me kohën dhe bashkëkohësinë. Me këto drama kanë pasur lidhje regjisorë të mirënjohur, si Pirro Mani e Pëllumb Kulla; aktorë po aq të mirënjohur si Kadri Roshi; trupa teatrore të kryeqytetit, të Korçës, Vlorës, Fierit dhe ndonjë qyteti tjetër. Secila prej shfaqjeve të realizuara sipas dramave të Dritëro Agollit është tashmë lëndë kujtimesh dhe reflektimesh. Disa prej njohësve të drejtpërdrejtë të fatit të këtyre dramave kanë bërë të ditura të dhëna që janë me shumë vlerë për të kuptuar pse Dritëro Agolli hoqi dorë nga botimi i tyre. Mbrojtja që u ka bërë autori zgjidhjeve të veprës së tij në provën e përgjithshme të tavolinës në teatrin e Fierit, shkruan regjisori Pëllumb Kulla, duke iu referuar shfaqjes premierë të dramës “Baladë për një grua”, do të ishte vërtet interesante të bëhej e njohur, për të evidentuar vlerat e shkrimtarit atipik, njeriut rezistent dhe “kokëkrisurit” Dritëro Agolli. Ndoshta kjo qe arsyeja pse Dritëro Agolli zgjodhi të veprojë edhe me Baladë për një grua njësoj si me Fytyrën e dytë. Si një fatalist i dëshpëruar (për më tepër dhe i zhgënjyer prej miqve të tij të afërt, me detyrë si kadinj të arteve, siç shkruan me të drejtë Pëllumb Kulla, të cilët kishin shkuar me qëndrimin e tyre deri tek urdhri për moslejimin e regjistrimit në video të shfaqjes, domethënë deri tek urdhri për të mos lejuar gjurmë), tashmë i nënshtruar ndaj rregullave, por jo dhe ndaj vetvetes, e la dramën në rrjedhë të lirë dhe në heshtje tha: Unë heq dorë! Dhe kështu, mbeti pa lexues e pa shikues një nga dramat më të bukura, nga më njerëzoret të të gjitha kohërave, qëkurse shqiptarët kanë nisur të shkruajnë shqip. * * * Tri dramat e Dritëro Agollit janë pjesë e fondit kombëtar të dramës shqipe, një gjini me histori të vonët dhe me zhvillim periferik, zvogëluar edhe më shumë prej diskriminimit si gjini në raport me prozën dhe poezinë gjatë periudhës ideokratike. Në të njëjtën kohë, dramaturgjia e këtij autori përbën dhe pjesën më të panjohur e më të pavlerësuar të veprës së tij. Në Historinë e letërsisë shqipe të realizmit socialist (botim i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, 1978) dhe në Historinë e teatrit shqiptar (në dy vëllime, Instituti i Arteve, 1984) jepen gjykime për përkatësinë e nënllojit të dramave të Dritëro Agollit, veçmas të Fytyrës së dytë, që tashmë dihet si e kishte hapur rrugën për të qenë pjesë e vëmendjes së teksteve të tilla: nëse është dramë satirike, dramë me ngjyrime të komedisë apo komedi dramatike. Kjo sjellje me pamje tekniciste është e pranishme edhe në ato pak studime që u takojnë dekadave të vonshme. Duke lënë mënjanë përkatësinë e saj zhanrore, thuhet në një prej tyre, ky tekst dramatik i afrohet më shumë dramës satirike, e shkruar më pak me frymën e komikes e më shumë me frymën e seriozes, është një nga tekstet dramatike që në strukturën e konfliktit të vet, tematizon një fushë tematike interesante për kohën, të guximshme; vë në shënjestrën e retorikës së saj fenomene e procese morale, politike e shoqërore me peshë. Kështu, brenda një përcaktimi, drama Fytyra e dytë është tekst dramatik, dramë satirike, me frymë komike, me frymën e seriozes, dhe përsëri tekst dramatik. Për dramën e vetë dramës tekstet universitare për historinë e letërsisë së realizmit socialist dhe për historinë e teatrit nuk ka dhe nuk mund të kishte asgjë. Dhe kjo nuk është një e metë e vogël, nëse në kriter pranohet se historia e letërsisë është në pjesën më të madhe histori e receptimit të saj. Pse shqetësoheshin komisionet e përzgjedhjes, këshillat artistikë, ekipet mbikëqyrës të provave të përgjithshme, redaksitë e botimeve letrare, prej dramave të Dritëro Agollit? Lexuesi i sotëm e ka shumë të vështirë ta kuptojë absurdin e këtij konflikti, sepse ka luksin të mendojë për sistemin ç’të dojë. Ne jemi të gatshëm të pranojmë, në emër të demokracisë, edhe idetë më antidemokratike, shenjohet në një prej akteve themelore të lirisë së individit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por Shqipëria e viteve 19601990 ishte krejt ndryshe. Me dramat e tij Dritëro Agolli guxoi të prekë disa tabu, njëra prej të cilave ishte denoncimi i burokratizmit jo si një rrezik individësh, por si rrezik që vinte drejtpërsëdrejti nga mënyra e ndorimit shtetëror të vendit. Fytyra e dytë dhe Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo paguan haraçin e vet për këtë. Romani satirik, që gjeti shtigje të ngushtë të shkonte te lexuesi përmes revistës Hosteni, së cilës i lejohej shkalla më e lartë e kritikës, derisa u ndalua, për t’u modeluar si tekst i dramatizuar, duhej të pësonte dhe një humbje tjetër. Ata që e dramatizuan dhe e vunë në skenë si shfaqje teatri e zbutën fare: Ishte pa dëm ai Zylua i tyre, tjetërlloj u bë … Çudi si nuk u ra në sy komisioneve, Zylua fliste si Enver Hoxha po ta shikoje kur thoshte: “Këto kodra kaq të buta të vjen t’i hash me lugë”. Çfarë duhet thënë më shumë për fatalitetin e dramës? Pas kthimit në shfaqje teatrore burokrati Zylo nuk është më një rrezik për shoqërinë, por imazhi i liderit. Madje i liderit të kthyer në idol. Dramat e Dritëro Agollit prekën shenjtërinë e parimit. E tillë ishte Baladë për një grua. Dhe çfarë parimi, atë më doktrinarin: Partia mbi të gjitha. Si mund të jetë një njeri i denjë për partinë duke mos qenë i denjë si burrë, si prind, si familjar? Kjo ishte një përpjekje e rrezikshme për të ndërtuar njerëz të gjallë në vend të ikonave, për të lënë disi mënjanë mitin e njeriut të ri dhe për të zëvendësuar tipiken me karakterin. Dhe kjo ishte gjithashtu jashtë kanonit të realizmit socialist, sipas të cilit njeriu që del në dritë pozitive jashtë dritës së partisë, është negativ./ Panorama