Intervista nga Manjola Markola/ Fotot nga Fadil Berisha
Arti është magjia e jetës. Në të gjitha kornizat që formësohet, krijon hapësira që frymojnë e frymojnë në pafundësi. Në rrugëtimin e magjisë së artit, mbetet vend për pyetje, për përgjigje, për lumturi, për lot, mbetet vend edhe për enigma që ndonjëherë ruhen deri në përjetësi. Përmes asaj rrugës së artë gjatë së cilës rrugëton arti, ne takojmë Artin. “Xingu” i dy arteve nuk mund të jetë kurrsesi përjetësi. Ndonjëherë yjet në ballë janë të padukshme, e ato përjetësohen me vetë artin. E duket se kjo ka ndodhur me Artin. Po-po, e kam fjalën për Arti Abazin, artistin e këngëve të shpirtit. Në një rrëfim tejet të veçantë, nga atje, përtej oqeanit, në tokën e ëndrrave ku edhe jeton prej muajsh, Arti i tha (pothuasje) të gjitha. Ka pakëz Kosovë, pakëz Shqipëri, ka pakëz Amerikë, ka shumë dashuri dhe disa kujtime që jetojnë përgjithmonë. Kur Arti e arti bëhen bashkë, ka shumë për të thënë…
Art, si kanë kaluar kohë për ty, nga Kosova në Amerikë, një ndryshim stili jete?
Në përgjithësi ka qenë një periudhë e ngarkuar për mua, shumë lëvizje, pak ose aspak pushim. Tani këtu në Amerikë edhe më shumë dinamikë, edhe pse ende jam në fazën e përshtatjes me vendin, kulturën e çdo gjë tjetër këtu.
Vendimi për t’u larguar ishte e atij llojit “U tha, u bë”, apo e mirëmenduar për një kohë të gjatë?
Ardhjet e mia në Tiranë kanë qenë të menduara më gjatë se vendimi për të ardhur këtu në Amerikë. Megjithatë, Amerika ka qenë gjithmonë një vend që më ka zgjuar kureshtjen, si nga kultura, arti, diversiteti, ashtu edhe nga inovacioni dhe mundësitë e shumta që ofron, ndaj konsiderova se kisha arritur në një pikë të jetës ku një vendim i tillë do t’i kontribuonte mirëqenies time, zhvillimit tim, qoftë atij emocional, edhe atij profesional dhe artistik.
Si e gjen veten në Amerikë, të duhet kohë të gjesh hapësirën të cilën e kërkon kur e merr për t’u shpërngulur në një vend gjigand?
Të them të drejtën e kam gjetur veten më mirë sesa e kam imagjinuar. Sigurisht që në këtë drejtim ka kontribuuar tej mase mbështetja e miqve të mi këtu, por edhe unë në përgjithësi si person, përshtatem shpejt kudo që jam, ndoshta edhe natyra ime më ndihmon që shumë shpejt të kyçem dhe të nxjerr më të mirën nga çfarëdo që bëj.
Familja jote si e priti largimin tënd, pate mbështetje apo edhe mendime skeptike?
Në fakt, i gjithë rrugëtimi që nga mendimi për të ardhur këtu, e deri më sot, ishte më i lehtë seç e kisha menduar. Madje, mbështetja e familjes më shtyu më shumë. Ndoshta ngaqë e dinë që ambiciet e mia i tejkalojnë mundësitë që të ofrojnë Kosova e Shqipëria. Pikërisht për këtë kanë qenë gjithmonë entuziastë të më shohin në një vend i cili do të përmbushë ëndrrat dhe kërkesat e mia.
Sa art ka Arti në Amerikë, është muzika në vendin e parë edhe atje, apo ndryshojnë disi prioritetet kur vendos të nisësh një jetë të re e sidomos në një vend si Amerika?
Arti edhe në hënë po të shkojë, do ta bëjë atë që di të bëjë më së miri. Unë kam fatin të kem miq të mirë edhe këtu në Amerikë. 2 prej tyre janë, fotografi i mirënjohur Fadil Berisha dhe muzikanti i jashtëzakonshëm Faton Macula, përvoja dhe dashamirësia e të cilëve më jep mundësinë të jem i pranishëm në mjedise ku arti është kryefjalë.
Ndërkohë në Kosovë e Shqipëri, Arti është ai artisti i këngëve të shpirtit, nga ato që mbeten në kujtesën e përjetshme, si ka qenë rrugëtimi yt në muzikë, se duhet thënë u bënë goxha vite?
Ehh erdhi koha të themi “u bënë goxha vite”. E kam thënë dhe vazhdoj ta them e rithem se pavarësisht se në këto vite kam qenë mjaftueshëm i pranishëm në media, nuk ia fal dot vetes që nuk i pata dhënë prioritetin dhe këmbënguljen e duhur muzikës, qetësisë time së shpirtit. Edhe pse një album serioz është tanimë i krijuar nga unë, ndërkohë që puna për të dytin është duke vazhduar, prurjet e mia muzikore kanë qenë aq të rralla saqë si duket publiku më ka “ndëshkuar” për mosseriozitetin tim. Në fakt, këtë e them për të shprehur koshiencën time, sepse nga viti 2014 unë prej tyre marr dashuri pothuajse çdo ditë, në një formë a tjetër, kjo është e vërteta.
Të gjitha këngët e tua duket sikur krijojnë një libër, kohë pas kohe, herë pas here, arti i Artit shndërrohet në rrëfime jete, a është kjo një gjë e bërë në mënyrë të vetëdijshme, apo ndonjëherë nënvetëdija krijon disa degëzime më unike?
Kur thashë “Nuk ia fal vetes që nuk i pata dhënë prioritetin dhe këmbënguljen e duhur muzikës” e kisha fjalën edhe për faktin që produksionet e sjella nga unë, nuk e mbajnë të plotë vulën time, në sensin e krijimtarisë. Unë jam i bindur se muzika që kam brenda është shumë më e pasur se kaq sa kam dhënëm deri më sot, ndaj mund të them lirshëm që më e mira nga unë, ende nuk ka ardhur. Jam i sigurt që do të vijë shumë shpejt.
A ka konkretisht Art dhe pjesëza nga jeta jote në këngët e tua, kështu hapur, pranuar nga ti, duke qenë se ti shkruan dhe tekstet vetë, nuk shpëton nga ky le të themi dyshim?
Padyshim. Në secilën këngë timen ka vargje për të cilat janë frymëzuar nga momente të miat të jetës. Kuptohet që kanë qenë kryesisht momente dhimbjeje, ashtu siç historikisht ka ndodhur me krijimin e këngëve më të bukura, ndër vite. Më duhet të them që edhe kur tekstet e këngëve të mia i ka shkruar dikush tjetër dhe unë kam qenë në rolin e interpretuesit, kam qenë mjaft bashkëpunues dhe mendoj se kam qenë një lehtësim dhe për tekstshkruesinm duke i dhënë ide dhe rrëfime të ndjera nga jeta ime.
Të rikthehemi pak tek Amerika, çfarë ka atje që nuk e gjeje në Prishtinë dhe nga ana tjetër çfarë të mungon më shumë nga Prishtina?
Ndoshta ngaqë nuk ka kaluar shumë kohë që kur kam ardhur, deri sot nuk më mungon gjë dhe nuk më ka marrë malli për asgjë atje. Patjetë që kontakti i përditshëm me familjen time nuk mungon, por edhe këtu jam i rrethuar nga njerëz të mrekullueshëm. Kam qenë gjithashtu i zënë me disa projekte të cilat nuk më kanë lënë fare as të mendoj çfarë më mungon.
Si është një ditë e Artit në Amerikë, a ndryshon rutina rrënjësisht, duke nisur nga përshtatja me gjumin?
Më duhet ta pranoj se që kur kam ardhur këtu në Amerikë, nuk fle më shumë se 2-3 orë gjatë natës. Më duket sikur jam duke jetuar me orën e Prishtinës.Familjarët e mi flenë gjumë dhe zgjohen, ndërkohë unë jam zgjuar. Më duket vetja ndonjëherë si kujdestar. Nga ana tjetër, nëse flasim për ditët e mia, këtu vetëm fjala monotoni nuk ekziston, kjo ka bërë që unë të bie në dashuri me energjinë e këtij vendi. Pastaj fakti që njerëzit këtu, kryesisht amerikanët, qoftë në takimet e rastësishme, qoftë në ndonjë event, kanë kaq shumë kureshtje për të të njohur si artist dhe të trajtojnë me aq respekt e konsideratë, sa nuk mund të mos inspirohesh e duash artin tënë edhe më shumë.
Këngë, Amerikë, Kosovë, punë, po me zemrën e Artit çpo ndodh? A kemi të reja, le ndonjë gjë pezull këtej, krijove ndonjë gjë të re andej, na zbulo detaje?
Hahaha. Sinqerisht nuk kam për të zbuluar asgjë, sepse po të kishte, nuk do hezitoja aspak. Më lini të rehatohem së pari me jetën e re këtu, pastaj edhe asaj i vjen radha.
A ia kanë thyer zemrën ndonjëherë Artit? Po ti ke thyer ndonjë zemër?
Deri më sot, Artit zemrën nuk ia ka thyer askush tjetër përveç vetes. A ia kam thyer unë zemrën dikujt? A këtë nuk e besoj. Nuk më duket aq lehtë të të thyhet zemra, apo jo?!
A i qëndron asaj “listës tipike” që është bërë klishe, “çfarë duher të ketë një vajzë për të qenë me ty?”, apo mendon se nëse dy njerëz janë për njëri-tjetrin, thjesht ndodh dhe kimia ndihet në ajër?
Unë pavarësisht se jam i prirur t’i besoj logjikës së dytë, lista e kritereve, padyshim që është e pashmangshme nëse realisht pretendon që një dashuri të zgjasë. Unë patjetër që i kam disa parime të cilat duhet t’i ketë vajza me të cilën dua të jem.
Si është formësuar koncepti yt për dashurinë përgjatë gjithë jetës tënde? Gjen ndryshime përgjatë rrugës?
Unë nuk mund ta përkufizoj dot si koncept, ashtu siç edhe e kanë përkufizuar shumë filozofë të shquar, pra si diçka që është e pamundur të përkufizohet. Nejse, është çështje debatesh…
Së fundmi ke realizuar edhe një set fotografik me të madhin Fadil Berisha, si erdhi ky bashkëpunim?
Përvojë fantastike. Të ndodhesh përballë objektivit të Fadilit, domosdoshmërisht e ke një yll në ballë, edhe nëse ai yll nuk ekziston fare në ballin tënd, ashtu siç nuk ekziston në timin. Nuk e di, unë Fadil Berishën në radhë të parë e respektoj për humanizmin që ka, përkushtimin dhe punën e palodhshme që ai bën dhe pastaj për mjeshtërinë e tij në botën e fotografisë. Është i jashtëzakonshëm si njeri. Ka qenë ai vetë që e ka propozuar realizimin e fotografive, që i kam publikuar kohë pas kohe. Jam ndierë realisht i privilegjuar dhe i vlerësuar për këtë. Edhe nëse kalon një ditë pa u takuar me Fadilin, jemi në kontakt të përditshëm, kështu që si e tillë, ai gjithmonë do të jetë një mik i çmuar për mua.
E sheh modelingun si një derë tek e cila mund të trokasësh në Amerikë, si një mundësi për të gjetur një pjesë të vetes?
Modelingu nuk ka qenë ndonjëherë në synimet e mia, pavarësisht se disa herë kam qenë pjesë e disa reklamave të ndryshme, si në Kosovë, ashtu dhe në Shqipëri, por duke qenë i rrethuar nga miset nga mbarë bota në studion e Fadilit, sikur po më pëlqen kjo punë (hahaha), nuk e di, unë i përshtatem çdo arti të bukur.
Nëse jetën tënde deri tani do ta përshkruaje me 5 fjalë, cilat do të ishin ato?
1. Bekim 2. Ngrohtësi 3. Muzikë 4. Ngjyra 5. Dhembshuri 6. Shpresë
Ps: Një ishte bonus.
A ka një vend specifik në të cilin ndoshta gjeje prehjen e shpirtit që të mungon nga Kosova?
Pa e menduar dy herë, Rugova.
Do të dëgjojmë këngë prej Artit nga Amerika, ke ndonjë projekt në plan?
Ashtu siç e thashë, jam në procesin e punës për albumin e dytë, për të cilin 5 këngë kanë përfunduar. Një instrumental me motive shqiptare ishte ideja e Fatonit që ta realizonim së bashku këtu. Gjithashtu deri në fund të këtij viti do të realizoj dhe dy këngë të tjera.
Dreni si e priti largimin tënd, atë këngën që nuk e bëtë bashkë, kur do ta bëni?
Dreni mund të duket i ftohtë dhe pak më i ndjeshëm në krahasim me mua dhe Rinën, mirëpo po ju tregoj që Dreni ishte i vetmi që qau kur erdha unë në Amerikë. Raporti me Drenin është aq dramatic, saqë nuk mund të mos quhet i jashtëzakonshëm. Kur vjen pun ate muzika dhe ana profesionale, di të jetë kritik, madje dhe i ashpër, me qëllimin që të më shohë sa më lart. Për shkak të pritshmërive të tin profesionale që ka tek unë, ai shumë herë nuk është i kënaqur me shumë gjëra që unë prodhoj apo bëj. Sidoqoftë, unë besoj se “ashpërsia” e Drenit ndaj meje, me sensin e të bërit kujdes në muzikë dhe kudo tjetër, më ka ndihmuar pafund dhe për këtë, Dreni mbetet i pazëvendësueshëm për mua. Sa për këngën, uroj që malli ta bëjë të vetën dhe më në fund të reflektojë, sepse realisht më mungon një projekt i përbashkët me të.
Kur do ta shohim Artin në Prishtinë e Tiranë?
Nuk kam një datë të caktuar, por do të jeni të parët që do ta merrni vesh kur të vij.