Intervista nga: Suada Daci//Styling: Jose Cordero/Photoshooting: Endrit Mertiri/Make Up: Henri Gjata/ Hair: Sezeri/ Thanks to: Sisol store
Këtë periudhë kam intervistuar shumë artistë dhe të gjithë më kanë konfiduar se në periudhën e pandemisë janë frymëzuar dhe kanë shpalosur të gjithë talentin në artin e tyre. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Kejsi Tolën e cila publikoi pak kohë më parë albumin e saj të parë “Luminous”, por që përpara këtij produkti final iu deshën shumë video calls, masterclass-a online dhe sot kemi një EP që cdokush do të gjejë veten në tekstet e këtyre këngëve. Duke qenë se Kejsin e takojmë rrallë nëpër intervista jemi munduar që të kuptojmë gjithçka rreth gjithë këtij rrugëtimi të bukur që ajo ka përjetuar ( Paris-Romë-Barcelonë) dhe për hir të së vërtetës këtë herë Kejsi ka folur … dhe ka folur gjatë për këtë “dritë” të brendshme të saj të cilën e shpërndau tek ata që prej vitesh e duartrokasin e që pëlqejnë muzikën e saj…
Kejsi si ndihet një artist kur e vë para të gjithë punën, ka dalë edhe projekti në televizion, ti je shplodhur, ke bërë ato ture e tua se ke dy vite që praktikisht udhëton në gjithë botën,e bën dot një përmbledhje sepse njerëzit janë shumë kuriozë.
Tani duket se çdo gjë mbaroi, çdo gjë u vendos në vendin e vet. Ka dy vjet që pres vetëm ta nxjerr dhe të përfundojë, ideja është që tani mendoj të kundërtën. Tani ka filluar. Duket sikur çdo ditë ka gjëra të reja, çdo ditë publiku kërkon gjithmonë e më shumë dhe duhet të jesh akoma dhe më aktive.
Mos të flasim për gjërat e reja. Qëndrojmë te “Luminous”. Si lindi gjithçka, të gjitha detajet, nga emri, drita brenda teje që e bëri gjithçka në këtë variant? Dimë që ke punuar shumë këngë, por publikove vetëm 5, ishin “crème dela crème” të të gjithë punës tënde?
Gjithçka ka filluar pak para pandemisë dhe pastaj ishte pandemia që më dha kohën të mendohesha dhe të kuptoja se çfarë doja të bëja. Kanë qenë “video-calls” pafund, kanë qenë disa kontakte në “Instagram”. Filloi më shumë si një “kerkese” e imja ndaj vetes time për të bërë një gjë që nuk e kisha bërë më përpara.
Ku e gjete guximin, se duket sikur je pak natyrë e tërhequr?
Kur i dua gjërat fort dhe kur di se çfarë mund të bëj, këtë besoj e dinë të gjithë për veten, kapacitetin e tyre, deri ku arrijnë. Mendoj se vitet kalojnë shpejt dhe nëse nuk i bëjmë gjërat në momentin që e kemi ndjesinë që duhet ta bëjmë, mund të humbasim shumë. Ndjesinë e fortë e kam pasur kur mora pjesë te “Sunny Hill 2”. Ishte ndjesi e mirë sepse këngëtarët ishin ndërkombëtarë, m’u kujtua vetja në “Eurovision”, ajo ndjesia që ti ke njerëz që të duan aty jashtë. Por është dhe tregu shqiptar që deri diku të kufizon në disa gjëra sidomos kur ke krijuar nje profil pak më”serioz”, tranzicioni për diçka më komerciale është pak më i vështirë. Por, nuk ishte vetëm kjo, ishte ideja që unë po kërkoja diçka më tepër. E provova dhe nuk e besoja as vetë që do të funksiononte. I gjithi ka qenë një proces dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe për këtë në fakt ka një meritë të madhe pandemia sepse më dha kohë të kuptoja procesin, të kuptoja si funksiononte, kam bërë masterclass-e online. Në fillim më dukej sikur nuk dija të komunikoja mire ne anglisht. Por pastaj dhe kjo “frikë” iku me kalimin e kohës.
Me kë ishte video-call-i i parë?
Video-call-i i parë ka qenë me Charlie Walk, është music-executive dhe ka qenë president i “Republic Records”, që është një prej shtëpive më të mëdha muzikore në Amerikë. Ka punuar me Ariana Grande, Lady Gaga-n, Beyonce-n.
Cili ka qenë mesazhi i parë me të, çfarë i ke shkruar ti?
Mesazhi i parë ka qenë prezantimi, që jam një artiste nga Shqipëria, i kam treguar background-in tim dhe i kam shprehur dëshirën për të punuar me të.
Pse tek ai dhe jo te një tjetër? Kishe dëgjuar më parë për të?
Unë mund të kem dëgjuar për shumë njerëz dhe kam ber kerkime per njerez ne kete industri. Por Charlie Walk ishte ai që më ktheu përgjigje menjehere. Në kohën që mu përgjigj, ai po bënte një masterclass për të sjellë rreth vetes së tij artistë të rinj dhe jo vetem. Në video-call-in e parë që kam bërë me Charlie-n, përveç faktit që nuk po më besohej që ishte ai. Kur folëm, unë isha e papërgatitur se çfarë duhet të thoja. Ai në fakt ka shumë përvojë në mënyrën e të trajtuarit të artistëve të rinj. Në video-call ishte shumë i dashur dhe u tregua i hapur të bëhej pjesë e masterclass-it që ai po bënte. Kam bërë për 5-6 muaj masterclass-in, ishte një herë në javë. Aty kishte këngëtarë të rinj, me eksperiencë që jepnin shumë nga vetja. Kam marrë shumë eksperiencë, ka qenë periudhë e bukur dhe fitimprurëse për mua që më duhej, sepse nuk e njihja industrinë botërore.
Si ishte atmosfera, ne të kemi parë paksa në videot që ke postuar në “Youtube”, por duam të dimë përjetimet e tua?!
Në periudhën që sapo njerëzit kishin filluar të vaksinoheshin, fillova të bëhesha pjesë e kampeve. Sapo kufijtë u hapëm menduam të bëjmë një kamp në një vend të Evropës, sepse po shkonte gjatë gjithë procesi. U munduam të krijonim muzikë “online”, por ishte e vështirë. Kemi vendosur të bëjmë kampin e Parisit dhe unë prapë isha shumë e paqartë se çfarë do ndodhte. Isha vetëm, me njerëz që nuk i njihja, me njerëz që i kisha takuar vetëm virtualisht. Kishim folur që do bëjmë diçka shumë të bukur, por nuk e dija si funksiononte gjithë ky proces. Kur kam shkuar në Paris nuk me besohej pasi ky kamp pati një moment që mund të anulohej dy ditë para se të niseshim. Ishte gjithçka gati, fatmirësisht shkoi çdo gjë mirë. Ka qenë unike përvoja në Paris, përveç faktit që ishte kampi i parë, kishte shumë njerëz. Vinin shumë producentë, përveç atyre që kishim zgjedhur. Ka qenë përvojë e rrëmujshme, por nga ana tjetër më bëri të kisha besim në këtë gjënë që po bëja. Dëgjoja përvoja të ndryshme të tyre me këngëtare të famshëm botërorë.
Si janë këta njerëz, janë vërtet kaq të thjeshtë sa thonë?
Janë më të thjeshtë sesa i mendojmë. Patjetër që shumë prej tyre kanë karaktere të vështirë, por janë të thjeshtë dhe shumë të apasionuar dhe të përgjegjshëm për atë që ata bëjnë. Janë njerëz që fokusohen në procesin e të bërit muzikë. Por nga ana tjetër janë të vështirë, sepse përshembull mbaj mend në kampin e Romës, njërit prej tyre nuk i erdhi valixhja dhe ai aty kishte gjëra të tij të rëndësishme pa te cilat nuk mund te punonte. Një risi tjetër që kam vënë re ishte mënyra e të punuarit në grup, në Shqipëri punojmë në grup, por jo në grupe aq të mëdhaja.
Pate me të gjithë shumë kimi, se kjo është shumë e rëndësishme?
Unë jam njeri pak i ftohtë,nuk krijoj menjëherë relata, më duhet pak kohë që ta njoh tjetrin, të kuptoj rrethanat ku ndodhem, të mësohem pak me gjërat që pastaj të jem e lirshme. Këtë e kam treguar edhe në marrëdhëniet që kam krijuar në karrierën time në Shqipëri. Atje kampi i parë ka qenë paska më i vështirë, pjesa tjetër ka shkuar shumë mirë.
Ti rrije vetëm në kamp, apo kishe të drejtë të dilje?
Kemi lëvizur shumë, në grup në pjesën më të madhe të kohës. Merrnim energjinë e qyteteve që ishim dhe ktheheshim super të frymëzuar për të krijuar. Ishim diku te 15 veta në kamp. Amerikanë, kanadezë, evropianë, francezë, holandezë. Mix kulturash.
Te “Luminous” të gjitha këto këngë që të bëre, u krijuan nëpër këto kampe?
Po, këngët janë produkt i kampeve. “Doing like that” është e vetmja këngë që i ka mbijetuar kampit të Parisit. “Distraction”, “What you want”, “One night in Barcelona”, janë këngë nga kampi i fundit i Barcelonës. Kënga “All night”, nga kampi i Romës.
Klipin e “What you want” e bëre në Itali, në Milano, pse? Është thënë në media se more me vete regjisorin e Maneskins, stilistin e Rihannës, Mariah Carey-t, Gigi Hadid.
Janë dy pika të ndryshme. Sepse Jose-ja ka qenë me mua që në fillim, që në kampin e Parisit. Me të në fakt është një histori shumë e bukur. Një mikesha ime iku me pushime në Amerikë, pushime në të cilat duhet të isha dhe unë. Ka qenë në Miami në një hotel, kthehej nga club-i dhe shohin një djalë që mundohej të fuste 10 valixhe të mëdha në një ashensor dhe ky ishte Jose-ja. Ata i ishin afruar ta pyesnin edhe për faktin që kishte aq shumë valixhe, ndërkohë që ai u ka shpjeguar se ishte stilist dhe po punonte për një projekt në Miami. Ajo i kishte folur për mua. Ishin takuar në mëngjes në hotel dhe gjithë kjo biseda çoi deri në takimin tim me Jose-në dhe jam e lumtur për këtë gjë sepse falë bashkëpunimit me të stili im ka ndryshuar dhe mua më pëlqen shumë.
Historia që lidhet me Jakomo-n është krejtësisht tjetër. Atë e kam njohur te “Borotalco tv” , unë pata bisedë me këtë studio produksioni për të bërë një videoklip dhe ata më dhanë disa emra producentësh, mes tyre dhe Jakomo-n, që zgjodha unë. Kështu bashkëpunova me të dhe jam e lumtur sepse videoklipi ka qenë përvojë unike. Lokacioni që zgjodhëm ishte unik, koncepti po ashtu. Ndonjëherë më duken ëndërr të gjitha dhe them “vërtet e kam jetuar” dhe jam e lumtur që gjërat po shkojnë kështu. Jam e lumtur që njerëzit e kanë përkrahur këtë projekt, publiku e ka pëlqyer këtë rikthimin tim.
Cilën këngë ta kanë pëlqyer më shumë?
Kanë pëlqyer “What you want” që është me videoklip, shumë të tjerë pëlqejnë “Doing like that”, ka të tjerë që pëlqejnë Barcelonën, varet. Barcelona mbetet pak më komerciale ose më saktë pak më afër publikut ndoshta sepse të jep fiks ate vibe-in e qytetit të Barcelonës edhe është pak më verore edhe në sintoni me motin që po ndryshon.
Ku ndryshon procesi i punës, nëse krahasojmë me atë në Shqipëri?
Ne kemi producentë shumë të mirë në Shqipëri. Ne kemi stilin tonë në Shqipëri, por kemi filluar të huazojmë mënyrat dhe teknikat evropiane, apo ato amerikane. Ndryshimi është te tregu, jashtë është treg shumë i madh dhe në këtë rrjedhë, njerëzit janë pak më kreativë, guxojnë më tepër, eksperimentojnë më tepër. Ne në Shqipëri jemi pak më të mbyllur, sepse dimë disa gjëra, duam të bëjmë disa gjëra sepse kemi një publik të caktuar. Ndërsa publiku i tyre është global, shumë i madh.
Ti e përjetove Eurovizionin në një moshë shumë të vogël, sot pas kaq shumë vitesh, fakti që ke qenë atje, ke prekur edhe finale, ndikoi te ta, apo nuk kishte ndonjë ndikim të madh?
Patjetër, sepse çdo gjë ka peshën e vet. Kënga e Eurovizionit është e vetmja këngë e imja në anglisht dhe pse nuk ishte një anglishte perfekte se unë isha vetëm 17 vjeçe. Por ata, atë këngë kuptonin dhe atë dëgjonin më shumë. Ka ndikuar, megjithathë tregu amerikan nuk e njeh shumë Eurovizionin. Ndryshe ndodhte me producentët evropianë.
Cilat janë planet e tua, je në kontakt me këta njerëz, do shkosh prapë nëpër këto kampe?
Po patjetër. Ajo që doja fillimisht ishte të bëja këtë që bëra. Janë punuar nga 10 materiale në 3 kampe të ndryshme, që do të thotë 30 materiale dhe unë përzgjodha 5 prej tyre. Do të ishte shumë për të bërë një album të plotë, sepse nuk dihej si do të pritej, si do ecnin këto këngë. Ky ishte eksperiment dhe thjesht po shoh si do shkojë…
Si po shkon?
Po shkon shumë mirë. Publiku e ka pritur shumë mirë. Isha skeptike pak me publikun ne Shqiperi. Duke qenë se këngët janë anglisht, por nuk jam zhgënjyer nga publiku shqiptar. Sigurisht që jam duke menduar të bëj dhe muzikë të re në shqip. Është pak konfuze kjo pjesë sepse kur ata punojnë një këngë e bëjnë muzikën dhe tekstin menjëherë. Kështu që bie pak ndesh me tekstin shqip. Ndoshta do të marr një tekstshkrues shqiptar që të bëjmë muzikën e huaj dhe tekstin në shqip. Kam shumë plane…
Kur vendose për këto 5 këngët, kujt ia tregove të parit, artist?
Të them të drejtën, nuk ia kam treguar pothuajse askujt. Me Flori Mumajesin dhe Olta Bokën kam patur biseda dhe ata i kanë dëgjuar materialet. Më duhej një “feedback” nga profesionistët. Njerëz të tjerë jo, vetëm familja ime dhe miqve të mi, por që nuk janë pjesë e muzikës.
Flori çfarë të tha?
Flori ka qenë shumë pozitiv në të gjithë vibe-in që ka marrë.
Ke në plan të bashkëpunosh prapë me të?
Absolutisht që po. Jo vetëm tani, por ka qenë në vazhdimësi kërkesa për të bërë një këngë të re me të dhe uroj të ndodhë sa më shpejt.
Duhet të vinte “Luminous” që të ndryshoje dhe ngjyrën e flokëve?
Emrin “Luminous” e kam vendosur unë. Është albumi im i parë dhe po kërkoja që në çfarë duhet të bazohem që të vendos emrin e njëjtë. Po mundohesha të gjeja diçka që të ishte shumë personale e imja. Mund ta kisha quajtur edhe thjesht “Kejsi” por pastaj duke kërkuar, nuk e di kur hasa fjalën “Luminous” më pëlqeu energjia që më transmetonte. Kam pasur shumë momente të bukura në karrierën time, kam pasur shumë. Të gjitha kanë ndriçimin e tyre, por mendoj që në këtë moment kam kaluar një nga eksperiencat më të bukura. Kjo eksperiencë më ka ndriçuar emocionalisht, profesionalisht. Kjo ishte drita që të gjithë prisnin që unë të ndizja në karrierën time. Përsa i përket flokëve, nuk lidhet me emrin e albumit. Erdhi rastësisht dhe pastaj gjërat filluan të lidhen. Kam qenë në Kosovë kur po bënim outfit-et per cideoclipin dhe gjithë kohës kam qenë në video-call me Jose-në dhe gjithë kohës ai më jepte këshilla dhe thoshim se çfarë donim të bënim.
Por veshjet u realizuan nga një stilist shqiptar…
Po, edhe make-up dhe floke jane bërë nga shqiptar. Nuk shkëputem nga Shqipëria, sepse njerëzit që më duan janë këtu. Po flisja dhe Jose-në dhe ai më tha “Si mendon që t’i bëjmë flokët bionde?”. I thashë që ishte ok por të më dërgonte diçka që mendonte dhe të gjitha ato që më dërgoi ishin bionde. I thashë që do mendohesha. Të nesërmen do provoja veshjet dhe do flisja me Kacin se ai do vinte në Milano me ne. Shkoj te salloni i tij, i tregova këngën, çfarë do xhironim dhe e pyeta dhe për atë që për flokët bionde. Më tha direkt “Ulu në karrige” dhe kështu u bëra bionde. Unë jam një njeri që nuk kam qejf të ndryshoj. Dua të jem e vendosur dhe e sigurt për gjërat që bëj. Por më pëlqejnë shumë, mendoj që më shkojnë, madje dhe me emrin e albumit.
Edhe cover-i ishte gjetje, ajo ngjyra e kaltër, e fortë, ishte gjetje e momentit apo e mirëmenduar më parë?
Në fakt ne mendonim ta bënim të bardhë, kjo ka qenë ideja. Kishim një veshje që nuk e përdorëm në videoklip dhe mendonim të bënim një foto. Unë shkoj diku në një dyqan në Tiranë dhe doja thjesht të kisha diçka ekstra pasi Jose nuk mundi të vinte në Shqipëri edhe pse ishte planifikuar të ishte. Mua më ngelën sytë te xhaketa blu. E doja atë blunë. Kemi bërë shumë foto me të bardhën. Endrit Mertiri tha që ta bënim blu në blu dhe erdhi ajo gjëja që donim dhe mendoj që më përfaqëson shumë. Ishte e duhura. Rastësisht, por e duhura.
Gjërat shkuan mirë, por a ke ndonjë peng ti?
Ky ishte një projekt që mendoj ka shpërndarë energjinë time të këtyre dy viteve. Unë jam shumë e lumtur. Një nga njerëzit e paktë që më ka shkruar kur isha në kampet jashtë ka qenë Ledion Liço. Kur më shkroi, ndoshta e ka pasur për pjesën e transmetimeve radiofonike të këngëve. Por kur folëm nga afër dhe unë i tregova materialet, punën, projektin që po punoja. Më tha se do të flisnim kur të vendosja për projektin. Unë e kisha planifikuar koncertin, por në një moment tjetër. Duke qenë se ai u ofrua që Top-media të ishte media-partner, thashë pse jo t’ia kërkoja që të merrej ai me te gjithe eventin. Ai u tregua shumë i hapur për ta bërë dhe mendoj se ishte zgjedhja e duhur për këtë gjë, duke ditur që është nje nga njerezit me inovativ dhe fin në mënyrën si zgjedh, detajist per cdo gje. Mendoj se ka qenë mënyra më e mirë për ta sjellë afer publikut energjine time dhe te kengeve. Koncerti, ideja, kuptoi fiks atë gjë që unë doja dhe bëmë atë u pa.
Si ishin komentet duke e parë nga televizioni?
Publiku ma ka treguar gjithmonë dashurinë dhe i jam falënderuese për këtë gjë. Kjo më kishte munguar. Edhe pse në anglisht ky projekt, është përqafuar shumë dhe ka pasur komente të mira pafund dhe jam shumë e lumtur për këtë.
Kohët e fundit njerëzit thonë që ti ngjan me Lady Gaga-n, producentët atje, të thanë ndonjëherë që ke ngjashmëri, qoftë nga pamja, apo vokalisht?
Nuk kemi ngjashmëri vokale, por fizikisht po. Ardit Çuni ka një jetë që më thotë që ngjajmë. Ma kanë thënë por jo shpesh.
E shikon Amerikën si një opsion për të jetuar që të jesh në kontakt më të afërt sesa me video-calls?
Synimi që kam është të vazhdoj të bëj muzikë, si në Shqipëri, edhe jashtë. Nuk dua të largohem nga Shqipëria, këtë e kam thënë gjithmonë. Nuk kam synim të iki dhe të mos kthehem më. Por do funksiononte pak më thjeshtë në qoftë se shkoj atje. Besoj se do jetë shumë shpejt edhe kjo gjë. Por nuk them dot që do iki dhe do jetoj atje. Nuk është se kam një plan tani për të ikur.
Nga ana profesionale je e lumtur dhe të shohim shumë mirë, nga ana shpirtërore, ka dritë atje?
Nuk ka një njeri në jetën time, por kam dashur gjithmonë që jetën time private ta mbaj jashtë kamerave. Kjo është zgjedhje e imja, kjo jam unë. Nuk e kam fshehur veten nga bota, por unë kam zgjedhur që gjërat të jenë kështu. Nuk kam diçka që të jetë për t’u përfolur.
A do doje që të kishe dikë me të cilin ta ndaje këtë sukses?
Patjetër që po, por ndoshta ngaqë nuk e kam, nuk e ndiej mungesën.